Flet deputeti Nismës: Ja kur Kosova do të bëhet me ushtri

Politika

Flet deputeti Nismës: Ja kur Kosova do të bëhet me ushtri

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 22 janar 2018 Në ora: 17:13
Haxhi Shala

Formimi i Ushtrisë së Kosovës që disa vite ka mbetur një ndër problemet kryesore në vend.

I pari i këtij dikasteri qeveritar, Rrustem Berisha kishte thënë se Kosova i ka kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme për të arritur transformimin e FSK-së në ushtri, përcjell “Bota sot”.

Kështu mendon edhe deputeti i Nismës, Haxhi Shala. Ai në një prononcim për “Bota sot” thotë se Kosova që në vitin 2018 do të ketë ushtrinë e saj.

“Plani legjislativë i Qeverisë së Kosovës parasheh që në muajin maj të procedohet edhe ligji për FSK-në. Për këtë, besoj që në vitin 2018, Kosova do të bëhet me ushtrinë e saj. Pra, që në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, ligji do të procedohet në Kuvendin e Kosovës. Kjo ka të bëjë nëse shkojmë me ndryshime ligjore, por nëse shkojmë me ndryshime kushtetuese duhet një marrëveshje me partnerët e koalicionit. Partitë shqiptare janë të gatshme që të votojnë për ushtrinë, vetëm se duhet një koordinim i mirë i ministrit me partnerët e koalicionit, kryesisht me Listën serbe”, tha Shala.

Deputeti Shala thotë se Demarkacioni me Malin e Zi dhe Gjykata Speciale nuk janë kushte për formimin e ushtrisë së Kosovës.

“Çështja e Gjykatës Speciale dhe çështja e Demarkacionit me Malin e Zi deri në mesin e muajit shkurt do të përfundojnë si të zgjidhura.  Kjo nuk ka të bëjë asgjë me formimin e ushtrisë, kjo është krejt një proces në vete dhe duhet të trajtohet si domosdoshmëri e kohës, që edhe Kosova ta ketë ushtrinë e saj”, përfundoi Shala për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat