Tregohet prapaskena pse zhbërja e Speciales mbeti në dorën e Haradinajt

Politika

Tregohet prapaskena pse zhbërja e Speciales mbeti në dorën e Haradinajt

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 23 janar 2018 Në ora: 08:40
Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli

Me kërkesën e organizatave të dala nga lufta OVL UÇK dhe të 43 deputetëve nënshkrues për shfuqizimin e Gjykatës Speciale duhet të merret qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, pasi që kështu ka vendosur Kryesia e Kuvendit të Kosovës në mbledhjen së hënës.

Pro dërgimit të kësaj iniciative tek ekzekutivi kanë qenë deputetët e koalicionit PANA dhe ata të Lëvizjes Vetëvendosje.

Kurse, kundër ka qenë shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili si shenj pakënaqësie ka braktisur mbledhjen e Kryesisë. Kundër ka qenë edhe nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti nga radhët e PDK-së.

Hoti: Kjo iniciativë përkon me interesin e armiqve të Kosovës që duan ta rikthejnë rezolutën 1244

Me të braktisur mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, Hoti i LDK-së ka dhënë një deklaratë për media.

Ai ka thënë se LDK është kundër kësaj iniciative, e cila vë në pikëpyetje marrëdhëniet  e Kosovës me miqtë ndërkombëtar.

"Në pjesën e tretë ku diskutohet për ligjin për shfuqizimin e dhomave të specializuara, ne e lëshuam mbledhjen e kuvendit, në përputhje me qëndrimin që ka grupi jonë parlamentar dhe LDK- ja për këtë çështje që është shumë e debatueshme për shoqërinë kosovare, duke qenë se i vë në pikëpyetje të gjitha marrëdhëniet, që deri tash shteti i Kosovës ka ndërtuar me miqtë më të fortë ndërkombëtar, të botës demokratike. LDK është kundër kësaj iniciative", ka thënë Hoti.

Image
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti

Një mendim të ngjashëm, Hoti e ka paraqitur edhe në një konferencë për media që është mbajtur në ndërtesën e Kuvendit.

Sipas Hotit, shfuqizimi i Dhomave të Specializuara përkon vetëm në interesin e armiqve të Kosovës të cilët duan ta rikthejnë rezolutën 1244.

”Kjo është e pakuptueshme që pas gjithë këtyre përpjekjeve për të vetëdijesuar vendimmarrësit, shkon tutje kjo gjë. Nuk ka shpjegim tjetër, veçse është në interesin e armiqve të Kosovës që të izolojnë Kosovën e të rikthejnë rezolutën 1244”, ka thënë ai.

Veseli thotë se Kryesia ka vepruar në bazë të rregullores

Nga ana tjetër, kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli në deklaratën e tij për media pas përfundimit të mbledhjes, ka thënë se vendimi për t’ia dërguar qeverisë kërkesën në fjalë është bërë duke u bazuar në Rregulloren e Kuvendit.

“Kemi vepruar në bazë të rregullores. Gjithçka çfarë është bërë, është procedim në bazë të rregullores së Kuvendit. Iniciativa e 43 deputetëve për shfuqizimin e gjykatës speciale, iu ka dërguar për mendim Qeverisë. Kjo është e tëra të cilën mund ta them”, ka thënë Veseli.

Ai ka shtuar se nuk ka pasur nevojë askush të del nga mbledhja e kuvendit.

Konjufca: Topi është në dorën e Qeverisë për shfuqizimin e Speciales

Nga ana tjetër, shefi i grupit parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca e ka quajtur avancim vendimin e Kryesisë për t’ia dërguar ekzekutivit iniciativën për zhbërjen e Speciales.

Në deklaratën e tij për media, ai ka thënë se lidhur me këtë çështje, topi tashmë kalon në dorën e kësaj të fundit.

“Morën vendim me shumicë të votave, që nisma e deputetëve për shfuqizimin e dhomave të specializuara, t’i shkoj për shqyrtim Qeverisë së Kosovës dhe tash kemi një avancim të kësaj nisme. Kjo do t’i shkojë Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe krejt tash topi është në dorën e Qeverisë së Republikës së Kosovës, se çka mendon për shfuqizimin e dhomave të specializuara. Kjo iniciativë tashmë nuk është në Kuvendin e Kosovës. Nga kuvendi, kryesia mori vendim që kjo t’i shkonte Qeverisë së Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se ai beson se do t’i jepet një përgjigje finale kësaj çështje.

“Iniciativa e 42 deputetëve në lidhje me ndryshimin e  ligjit ekzistues për dhomat e specializuara, tashmë gjithçka ka marrë rrugën procedurale ligjore, ashtu siç kemi thënë dhe në të kaluarën se duhet të trajtohet. Sepse askush nuk mund t’i mbyllë sytë para një teme ekzistuese, një teme të ndjeshme me të cilën ka fiks një muaj që krejt skena politike është duke u marrë. Besojmë që proceduralisht do të marrë dhe përgjigjen finale”, ka thënë Krasniqi.

Haradinaj thotë se Qeveria duhet respektuar kërkesat e Kuvendit

Zyrtarët në Qeverinë e Republikës së Kosovës në një përgjigje të shkurt me shkrim për “Bota sot”, kanë thënë se ekzekutivi është i njoftuar lidhur me vendimin e Kryesisë së Kuvendit për Specialen dhe me kohë do të japin një përgjigje zyrtare për këtë çështje.

Nga ana tjetër, kryeministri Haradinaj, ka thënë se nuk e di se si do të veprojnë me iniciativën e deputetëve për shfuqizimin e Gjykatës Speciale të cilën kryesia e Kuvendit ia dërgoi të hënën Qeverisë së Kosovës.

Por sipas tij, ekzistojnë standarde që qeveria duhet t’i respektoj kërkesat e parlamentit.

"Është praktikë kjo procedurë, ne ende nuk e kemi marrë zyrtarisht shkresën dhe nuk e dimë çka përmban shkresa ose materiali i drejtuar. Por, ekzistojnë marrëdhëniet standard qeveria është e respektueshme ndaj parlamentit dhe e respekton çdo kërkesë, çdo procedurë. Nuk di si të iu them, si do të veprojmë për shkak se ende nuk e kemi marrë dhe nuk e dimë çka përmban kërkesa", ka thënë Haradinaj.

Dërgimi i Speciales në Qeveri, patate e nxehtë për Haradinajn

Nga ana tjetër, analistët politik në vend thonë se dërgimi i iniciativës për Specialen në Qeveri është bërë t’ia lënë në dorë përgjegjësinë Haradinajt.

“Mendoj se dërgimi i kësaj çështje nga Kryesia e Kuvendit tek Qeveria është një zgjuarsi nga partia më e madhe e koalicionit, PDK për t’ia hedhur topin e nxehtë në dorë Ramush Haradinajt”, ka thënë Jeton Kelmendi për “Bota sot”.

Image
Analisti Jeton Kelmendi

Sipas tij, kjo është një tentativë për të fajësuar Ramush Haradinajn si titullar i qeverisë dhe për t’ia vënë këtë barrë atij para ndërkombëtarëve.

Edhe publicisti, Skender Zogaj e konsideron si lojë të Kryesisë për vendimin e së hënës.

“Qeveria e ka kryer punën e saj dhe ia ka drejtuar Kuvendit. Kryesia e Kuvendit që disa javë po merret me qërimin e patates, e cila duke qenë tepër e nxehtë nuk guxoi t’ ia ngulte dhëmbët, prandaj u përcaktua për lojën e ping-pongut! “, ka thënë Zogaj për “Bota sot”.

Sipas tij, Kryesia në vend se ta procedonte kah deputetët e riktheu te Qeveria!

Image
Publicisti Skender Zogaj

 

“Qesharake dhe banale sepse, ky veprim i Kryesisë tregon se Kuvendi nuk funksionon, sepse e ka mbërthyer rëndë epidemia e fruthit, aq sa nuk ka gjasa shërimi! Kthimin i lëndës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale në Qeveri ka për shmangien nga përgjegjësia duke ia rikthyer Qeverisë “këmbët e arushës”! Nuk besoj se Qeveria do të heq dorë nga qëndrimet e shprehura, kështu kriza vazhdon”, ka shtuar Zogaj.

Burjani: Rezistenca për shfuqizimin e Speciales e pakuptimtë

Edhe njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani e konsideron të pakuptimtë këmbënguljen për shfuqizimin e Speciales.

Image
Analisti politik, Blerim Burjani

“Këto janë lojëra politike, sepse kjo kërkesë njëherë qeveria i dërgon Kuvendit, e ky i fundit i kthen prapa qeverisë. Pra s’ka seriozitet dhe ka frikë dhe paqartësi dhe askush nuk dëshiron të adresojë problemin, të gjithë ikin, tash nuk ka pasur fare nevoje t’i rikthehet Qeverisë. Po kjo është e pakuptimtë”, ka thënë Burjani për “Bota sot”.

Ndryshe, deputetët e koalicionit PAN në mbrëmjen e 22 dhjetorit kërkuan një seancë urgjente me një pikë të vetme të rendit të ditës, që ishte shfuqizimi i Gjykatës Speciale. Por, thirrja e kësaj seance dështoi pasi LDK-ja dhe Vetëvendosje braktisën mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit që rezultoi me mungesë të kuorumit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat