Kërcënimi me “luftë” nga shteti serb, dhe kundërpërgjigjia e Kosovës

Politika

Kërcënimi me “luftë” nga shteti serb, dhe kundërpërgjigjia e Kosovës

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 23 janar 2018 Në ora: 09:42
Ilustrim

Aleksandër Vulin, ministër i mbrojtjes i Serbisë, gjatë një vizite në kazermën “Stefan Nemanja” në Rashkë, deklaroi se ushtria serbe është e gatshme të ndërhyjë në Kosovë ndaj çfarëdo kërcënimi që ju bëhet qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë, duke drejtuar kështu një kërcënim të hapur ndaj shtetit të Kosovës.

Sipas tij, pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, nuk mund të thuhet se gjendja është e qetë dhe e rregullt.

“Ne jemi të gjithë shumë të kujdesshëm dhe sot jemi këtu për t’u siguruar për situatën dhe gatishmërinë luftarake të njësive tona dhe gatishmërinë për të reaguar ndaj çdo rreziku në këtë fushë. Pra jemi këtu për t’u bindur për aftësitë tona për të reaguar ndaj çdo fenomeni që mund të dëmtojë ndjeshëm sigurinë e të gjithë serbëve pavarësisht se ku jetojnë”, ka thënë Vulin.

Por sa mund të ndikojnë këto deklarata në krijimin e pasigurisë në Kosovë?

Deklarata politike

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e NISMA-së dhe njëherit Kryetar i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haxhi Shala, duke folur për “Bota sot”,  thotë se këto deklarata janë politike dhe askush nga vendet e Rajonit nuk janë të gatshme të krijojnë konflikte mes shteteve.

Image
Deputeti i NISMA-s, Haxhi Shala

“Këto deklarata të Vulin janë më shumë politike për promovimin e tij sepse as Serbia as Kosova e askush nga vendet e rajonit nuk është e gatshme të krijojë konflikt mes shteteve duke pasur parasysh se sigurinë në vendin tonë e mbikqyrë NATO dhe forcat tjera ndërkombëtare. Deklaratat e Vulin nuk janë për tu shqetësuar”, është shprehur Shala për gazetën “Bota sot”

Përballja me NATO-n dhe KFOR-in

Kurse, profesori dhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, theksoi se deklaratat e Vulin nuk janë serioze dhe Serbia duhet ta ketë parasysh se nëse do luftë me Kosovën, atëherë do përballet me forcat ndërkombëtare.

Image
Njoheësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami

“Këto deklarata te Vulin janë joserioze sepse Serbia nuk është e gatshme për lufte dhe mbi të gjitha populli serb nuk është I gatshëm për lufte. Nëse Serbia mendon të hyjë në luftë me Kosovën, atëherë duhet të jetë e vetëdijshme që përball saj do të jetë NATO dhe KFOR-i”, ka thënë për “Bota sot”, Avni Islami.

Skenarë nga shteti serb

Ndërsa, studiuesi i fushës së sigurisë, Armend Halimi, duke folur për “Bota sot”, ka dekalruar se këto deklarata të Vulin janë të pritshme dhe veç sa e forcojnë dyshimin se sulmet ndaj minoritetit serb bëhen me skenarë të parapërgatitur nga vetë shteti serb dhe nuk duhet marrë seriozisht.

“Ky është një reagim i pritur pas ngjarjes së ndodhur, që veq sa forcon dyshimin se sulmet ndaj minoritetit serb bëhen me skenarë të para përgatitura nga vetë shteti serb, për t’i dhënë arsye agresionit të tyre, dhe luftës diplomatike ndaj karshi Kosovës. Megjithatë, kërcënimet e tilla nuk duhet marr seriozisht, por që janë thjesht një trysni e padrejtë ndaj autoriteteve kosovare dhe bashkësisë ndërkombëtare ‘në tregun e kërkesave’ që do zhvillohen në bisedime”, ka thënë Halimi.

Image
Studiuesi i sigurisë, Armend Halimi

Ai më tutje, ka shtuar se Serbia do ta gjejë veten përballë forcave të NATO-s, e jo përgjigje vetanake të Kosovës.

 “Pra, këto janë deklarata të mëdha, që edhe vetë ata e dinë se janë të paqëndrueshme për agresion të mundshëm ushtarak ndaj Kosovës, ngase kanë parasysh se nuk do të përballen me kundërpërgjigjeje vetëm vetanke të Kosovës, por edhe një aleance të tërë ndërkombëtare, siç është NATO-ja, nën garancën e së cilës është siguria e sovraniteti territorial e hapësinor të Kosovës”, përfundoi Halimi.

Retorika populiste

Në anën tjetër, analisti politik Faik Krasniqi, është shprehur se këto deklarata janë të rrezikshme, por, sipas tij Kosova duhet që këto kërcënime t’i shfrytëzojë në dialogun në Bruksel.

Image
Analisti Faik Krasniqi

“Padyshim që deklarata të tilla të cilat vijnë nga zyrtarët më të lartë të shtetit serb, e sidomos nga Presidenti i Serbisë, janë të rrezikshme dhe zyrtarët tanë shtetërorë duhet t'i shfrytëzojnë deklaratat e tilla në Bruksel, që nuk mund të vazhdojmë dialogun me Serbinë, deri sa ata (serbët) na kërcënojnë haptazi me luftë. Sidoqoftë, këto janë retorika të zakonshme populiste të shumicës së politikanëve serb. Përderisa për sigurinë tonë përkujdesen trupat e NATO-së, respektivisht ato të KFOR-it, Kosova nuk është e rrezikuar nga asnjë shtet”, ka përfunduar Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat