Rrahja brutale e Agron Mustafës nga dy policët, dhe heshtja e Prokurorisë së Shtetit

Politika

Rrahja brutale e Agron Mustafës nga dy policët, dhe heshtja e Prokurorisë së Shtetit

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 23 janar 2018 Në ora: 10:51
Ilustrim Pamje duke e rrahur drejtorin e telekomit, Agron Mustafa

Drejtori i Telekomit të Kosovës Agron Mustafa, ka thënë se sulmi ndaj tij që ndodhi më 30 dhjetor, ku u rrah nga dy policë, ishte i organizuar.

Ai ka publikuar edhe videon e rrahjes me pamje të rënda, ku shihet duke u sulmuar nga dy policë, derisa ka thënë se sulmi i ka shkaktuar shqetësim të jashtëzakonshëm.

Deri më tani, Inspektoriati Policor i Kosovës, ka suspenduar vetëm njëri nga dy policët, Avni Berishën, derisa për një gjë veprim të tillë nuk e ka ndërmarr edhe për policin Nazim Sahiti.

Ndërkohë, e kontaktuar nga gazeta “Bota sot” për të kuptuar se deri ku kanë shkuar hetimet për këtë rast, Prokuroria e Shtetit nuk ka kthyer përgjigje.

E sipas njohësve të çështjeve ligjore dhe politike, në Policinë e Kosovës ka mungesë të përgjegjësisë. Sipas tyre, aministia për policët që rrahën Mustafën, flet për mungesë drejtësie dhe lidhjet e drejtësisë me njerëz e jo me ligj.

Sipas Avokatit Adrian Gjoshi, policia dhe Prokuroria duhet ta kryejnë detyrën e tyre,  pavarësisht se kush është objekt hetimi.

Image
Avokati Adrian Gjoshi

“Policia dhe Prokuroria, duhet ta kryejnë detyrën e tyre, pavarësisht se kush është objekt i hetimeve”, është shprehur Gjoshi për “Bota sot”.

Mungesë përgjegjësie

Ndërsa analisti politik Faton Mehmeti, ka thënë se rrahja e Agron Mustafës nga policët, tregon se Policia e Kosovës, po i lejon policët të bëjnë çfarë të duan, pa dhënë përgjegjësi.

Sipas tij, kjo ngjarje ka krijuar pasiguri dhe frikë tek qytetarët e vendit, të cilët “ndihen të rrezikuar nga ata që duhet t’i mbrojnë”.

“Fatkeqsisht në polici ka njerëz që nuk janë të edukuar dhe të merituar, për të qenë pjesë e saj. Rrahja e drejtorit të Telekomit të Kosovës, nga ana e dy policëve, flet mjaftueshëm për mungesën e përgjegjësisë dhe si e tillë, ajo iu lejon policëve të bëjnë çfarë të duan pa dhënë përgjegjësi. Policia duhet të jetë autoritet dhe granatues i zbatimit të ligjit dhe trajtimit të njëjtë të qytetarëve. Rrahja e Mustafës krijon frikë dhe pasiguri te qytetarët, të cilët ndihen të rrezikuar nga ata që duhet t’i mbrojnë”, ka thënë më tej Mehmeti për “Bota sot”.

Image
Analisti Faton Mehmeti

Mehmeti ka theksuar se dy policët duhet të përjashtohen nga detyra, madje sipas tij, duhet edhe të ngritët akuzë kundër cenimit të jetës së personit zyrtar.

“Amnistia nga drejtësia për dy policët që rrahën Mustafën, flet për mungesë drejtësie dhe lidhjet e drejtësisë me njerëz e jo me ligj. Gjithsesi, ky rast ka krijuar shqetësim, prandaj duhet të përjashtohen të dy policët nga puna, duke ngritur akuzë kundër cenimit të jetës së personit zyrtar. Nëse kjo nuk ndodhë, disa do të trimërohen, duke ushtruar dhunë ndaj kujdo që dëshirojnë”, ka shtuar Faton Mehmeti.

Policia e Kosovës në shërbim të strukturave politike

E sipas ekspertit të sigurisë Hajrullah Tërnava, videoja e rrahjes së drejtorit të Telekomit, është dëshmi se Policia e Kosovës duhet të ndërmarr masa përshpejtuese për riorganizimin e saj në të gjitha nivelet.

Duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Tërnava ka theksuar se opinioni publik duhet t’i dijë motivet dhe arsyet e kësaj rrahje, meqë sipas tij, këtu bëhet fjalë për një mik të afërt të Kadri Veselit.

Image
Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërrnava

“Publikimi i videos ku rrahet drejtori i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa nga dy policë të Kosovës, është dëshmi se Policia e Kosovës, duhet të ndërmarr masa të përshpejtuara për riorganizimin e saj në të gjitha nivelet e saj, dhe të udhëheq hetime ndaj shumë si ta, si për të kaluarën e tyre ligjore dhe të pasurimit të tyre të pasluftës, gjithnjë në bashkëpunim me AKI-në. Kjo rrahje është edhe më e çuditshme se sikur qe u deklarua vet drejtori Agron Mustafa, se gjithnjë ka qenë në marrëdhënie të mira me ta, e sidomos në tv e pranoi se ky vet ishte mik i afërt me Kadri Veselin dhe SHIK-un, prandaj duhet opinioni publik t’i dijë motivet dhe arsyet e kësaj rrahje, sepse çdo kush mund të gjendet tani në pozitën e Agron Mustafës. Dhe nëse dihet haptas se personi i rrahur qenka i afërt i Kadri Veselit, a thua ata që nuk e kanë askënd si ky, çfarë mund t’i gjejë ata”, është shprehur Tërnava.

Sipas ekspertit të sigurisë, Policia e Kosovës, është në shërbim të strukturave politike që vijnë në pushtet për interesa të tyre personale.

“Rrahja sikur që u pa në tv shumë herë, gjithsesi na lë të kuptojmë se në polici ka njerëz mbi ligjin, ndaj të cilëve sa më parë duhet të ndërmirren masa ligjore dhe një herë e përgjithmonë, duhet kjo Polici të pastrohet dhe kjo polici të jetë në shërbim të popullit, e jo të disa njerëzve të strukturave politike që vijnë në pushtet e që akuzohen nonstop pranë gjyqeve të Kosovës, e që këta shefa të policisë, janë në shërbim të tyre për interesa të tyre”, ka thënë më tej Tërnava.

Ndërsa, duke komentuar vendimin e Inspektoriatit Policor për suspendimin e vetëm njërit polic, Tërnava ka thënë se IP duhet të veprojë konform ligjit dhe të jetë i pavarur në veprimet e veta.

“Nëse e shohim në tv inçizimin, aty shohim se u rrahën dy persona, kurse në opinion del se IP e ka suspenduar vetëm njërin polic, por jo edhe atë i cili rrahu drejtorin. Opinioni tani pyet a thua ky tjetri nuk u suspendua, sepse e rrahu më pak atë dhe ky nuk ishte drejtor. IP duhet të jetë i pavarur në veprimet e veta dhe të veprojnë njëjtë konform ligjit për të gjithë. Vetëm kështu e ruan autoritetin e tij ligjor”, ka përfunduar për “Bota sot”, eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat