Kosova dhe rreziku i Rusisë për destabilizimin e Ballkanit

Politika

Kosova dhe rreziku i Rusisë për destabilizimin e Ballkanit

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 23 janar 2018 Në ora: 12:36
Ushtarët e KFOR-it duke q%ndruar në Urën e Ibrit

Vrasja e të dënuarit për krime lufte, Oliver Ivanoviç nuk është zbardhur ende. Ky rast ka ngjallur dyshime të mëdha në opinion.

Disa thonë se Ivanoviç është vrarë nga vetë serbët për ta destabilizuar situatën në Kosovë, derisa të tjerë thonë se kjo vrasje mund të jetë bërë edhe nga Rusia, që ndoshta qëllim ka destabilizimin e Ballkanit e jo vetëm të Kosovës.

Ekspertë të fushës së sigurisë, mendojnë se kjo vrasje nuk mund të shkaktojë trazira në Ballkan edhe nëse vrasja e Ivanoviç ka qenë për këtë qëllim, pasi këtu veprojnë organizata ndërkombëtare siç është NATO dhe fuqitë perëndimore nga BE-ja.

Ndikimi rus në Ballkan

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Hajrullah Tërnava, duke folur për “Bota Sot”, thotë se Rusia po mundohet që përmes Serbisë të ketë ndikim në Ballkan e sidomos te ato shtete që ende nuk janë anëtare të BE-së.

“Rusia me veprimet e saja mes shërbimeve sekrete te saj dhe me ndikimin që e ushtron ndaj Serbisë e ka për qellim që të jetë e pranishme në Ballkan te ato shtete që ende nuk janë anëtare të BE-së. Një ushtrim të tillë në mënyrë permanente e ushtron një kohe të tërë ndaj Maqedonisë, Bosnjës e Hercegovinës e pse jo edhe ndaj Shqipërisë dhe Kosovës. Ndikimi i forte i Rusisë e ka ngadalësuar procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE. Tani Serbia e ballafaquar me këtë situatë nuk po di cilën rrugë të ndjekë, atë në BE apo me Rusinë dhe po tenton që paralel me situatën t’i arrijë dy qëllimet e saja atë në BE dhe me Rusinë”, potencoi Tërnava.

Image
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Hajrullah Tërnava

Ai më tutje, tha se Rusia nuk e ka ndikimin në Ballkan siç e ka pasur më herët dhe se eskalimi i situatës në Ballkan nuk mund të ndodhë për arsye se Rusët e dinë se Amerika ende ruan gjendjen e sigurisë në Kosovë e në të gjithë Ballkanin.

“Rusia dikur ka pasur ndikim të madh në Ballkan në kohën e komunizmit e sidomos me Paktin e Varshaves karshi NATO-s, ku ishin disa shtete Evropës të anëtarësuara në këtë organizate, e tani ajo po bën çmos që së paku të jetë e pranishme në këto shtete të pakta që kanë mbetur pa u futur në BE. Rusia e dine qartë koston e luftës së Amerikës dhe BE ndaj Serbisë për Kosovën, prandaj nuk mendoj se Ballkani është ne rrezik te eskalimit te situatës”,-përfundoi Tërnava.

Kajtazi: Nuk ka rrezik të përshkallëzimit të situatës

Edhe

Image
Eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi,

thotë se nuk ka rrezik të përshkallëzimit të situatës në Ballkan, pasi fuqitë perëndimore ende kanë kontroll politik mbi vendet e Ballkanit si dhe prezencë ushtarake.

“Ballkani meriton vëmendje në aspektin e sigurisë në çdo rrethanë, mirëpo zhvillimet e tanishme përkundër se janë duke lënë përshtypjen e një situate të nxehtë politike, rrezik të përshkallëzimit të situatës në shkallë të gjerë nuk pritet të ketë. Kjo për shumë arsye ku ndër më kryesorja është fakti se fuqitë perëndimore ende kanë kontroll politik mbi vendet e Ballkanit, si dhe prezencë ushtarake. Ne patëm një deklarate nga parlamenti britanik se Rusia kontrollon forca politike në Mal të Zi dhe Maqedoni dhe kjo dëshmon pretendime për ndikim të Rusisë në këto hapësira, mirëpo kjo është e përkohshme për shkak kufizimeve ekonomike që Rusia ka në raport me perëndimin. Trazirat eventuale për destabilizim mund të jenë të shkaktuara nga këto pretendime, por jo në nivelin për të trazuar Ballkanin”, tha Kajtazi për Bota Sot.

Agjendat ruse dhe përpjekjet e tyre për destabilizim

Në anën tjetër analisti politik, Nexhat Haziri, duke folur për “Bota Sot”, mendon se situata në Ballkan nuk ka qenë asnjëherë më shumë në rrezik të destabilizimit që nga paslufta për arsye të interesave të fuqive të mëdha në rajon.

“Thuajse asnjëherë, që nga mbarimi i luftës së Kosovës, Ballkani nuk ka qenë me rrezik për një destabilizim në shkallë të gjerë shkaku i gërshetimit të interesave të fuqive të mëdha në rajonin tonë. Deri sa BE dhe SHBA, po investojnë në një Ballkan paqësor, të zhvilluar dhe të integruar në organizmat euro-perëndimor, në anën tjetër është Rusia, e cila pas përparimit të paktit të NATO-së që bëri në Ballkan me anëtarësimin e Malit të Zi në aleancë, dhe paralajmërimit për zgjerim edhe me shtetet e tjera të Ballkanit, rusët po i shtyjë agjendat e tyre në Ballkan me qëllim destabilizimin e rajonit dhe futjes së interesave të saja afatgjata”,tha Haziri.

Image
Anlaisti Nexhat Haziri

Ai mendon, se përpjekjet e Rusisë për ta destabilizuar rajonin do të fokusohen në Kosovë, Mal të Zi, Bosnje dhe Maqedoni, duke e përdorur Serbinë si “Kalin e Trojës”.

 “Përpjekjet e Rusisë për ta destabilizuar rajonin do të fokusohen në Kosovë, Mal të Zi, BH dhe Maqedoni, shtete këto më një stabilitet të brishtë politik dhe të sigurisë, gjendja e së cilave i shkon përshtati interesave të Rusisë, sidomos këto tri të fundit që në forma të ndryshme po mundohet ti largoj nga agjendat e tyre euro-perëndimore dhe ti fusë nën ndikimin e saj. Një ndihmë në këtë aspekt Rusisë po i  afron edhe Serbia e cila është shndërruar si “kali i Trojës” për interesat e Rusisë në Ballkan për shkak të lidhjeve historike dhe fetare që kanë ndërmjet veti këto shtete, përkundër që Beogradi zyrtar është përcaktuar se dëshiron integrim në BE, megjithatë duket së lidhjet me Rusinë, janë më shumë se emocionale”,-përfundoi Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat