Halit Barani i reagon ashpër Qeverisë: Një minutë heshtje për kryekriminelin Ivanoviç, “vrau” për së dyti viktimat shqiptare

Politika

Halit Barani i reagon ashpër Qeverisë: Një minutë heshtje për kryekriminelin Ivanoviç, “vrau” për së dyti viktimat shqiptare

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 23 janar 2018 Në ora: 17:21
Halit Barani

Mbajtja e një minute heshtjeje për vrasjen e të dënuarit për krime lufte Oliver Ivanoviç, po konsiderohet si një veprim skandaloz, i bërë nga Qeveria e Kosovës.

Me këtë veprim të shëmtuar,  pushtetarët tanë edhe një herë dëshmuan se për interesa dhe qëllime të tyre janë në gjendje ti ofrojnë edhe një lëndim tjetër familjarëve të të vrarëve. 

Ata thonë se ky veprim ka qenë një vrasje e ndodhur për së dyti herë.

Halit Barani, kryetari i Qendrës Rajonale të KMDLNJ-së në Mitrovicë, i cili njëherësh edhe posedon dëshmi për krime lufte, ka thënë për “Bota sot“  se veprimet e Qeverisë së Kosovës, e cila mbajti një minutë heshtje për Oliver Ivanovicin, janë skandaloze.

“Ky veprim është edhe një herë vrasje, apo më mirë të them për së dyti herë vrasje për viktimat në Mitrovicë”, ka potencuar Barani.

Sipas tij, Oliver Ivanoviç ka qenë kryekriminel dhe ka marrë pjesë në tri masakra, kur janë vrarë 49 shqiptar ku pikërisht Ivanoviç ka qenë urdhërdhënës.

“Një nga masakrat që është bërë në Mitrovicë unë kam qenë vet dëshmitar okular në datën 16 prill 1999 tek vendi i quajtur “ tek Shelnjet” ku Oliver Ivanovic ka qenë urdhërdhënës dhe kryerës i vrasjes së 8 shqiptarëve. Pastaj, me datën 3 dhe 4 shkurt të vitit 2000, Oliver Ivanoviç ka qenë urdhërdhënës ku janë pushkatuar 10 shqiptarë civil, brenda nëpër shtëpitë dhe banesat e tyre. Po ashtu, në mesin e të pushkatuarve ka pasur gra e fëmijë e në mesin e tyre ka qenë edhe një fëmijë 13 vjeçar Nderim Nexhemdin Ajeti. Pastaj me datën 14 prill kur janë pushkatuar 31 shqiptar,  po ashtu Oliver Ivanovic ka qenë urdhërdhënës dhe Këshilli në Mitrovicë posedon shumë deklarata të dëshmitarëve okular, të cilët i kanë deponuar të gjitha këto vepra  në Këshill, përkatësisht këto krimet që i ka bërë Oliver Ivanoviçi bashkë me kriminelët tjerë. Prandaj, mendoj se është lëndim shumë i rëndë i familjeve të atyre viktimave që të behët kjo ceremoni (një minutë heshtje) nga udhëheqësit e Republikës së Kosovës, sepse një minutë heshtje për një kryekriminel që ka bërë krime mbi popullatën shqiptare është me të vërtetë e padrejtë”, ka thënë Barani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat