Kelmendi: Nuk janë numrat për demarkacionin, do të ketë tentativë për të blerë edhe 2-3 vota

Politika

Kelmendi: Nuk janë numrat për demarkacionin, do të ketë tentativë për të blerë edhe 2-3 vota

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 27 shkurt 2018 Në ora: 15:03
Kuvendi i Kosovës, foto arkvi

Seanca për Demarkacionin me Malin e Zi që filloi të premten, u shty për të mërkurën, që do të mbahet nga ora 10:00.

E për këtë, në mes të disa partive parlamentare u arrit një marrëveshje, duke përjashtuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe Listën Serbe, që janë deklaruar kundër votimit të Demarkacionit.

Se sa ka gjasa që kjo marrëveshje të kalojë nesër, profesori Jeton Kelmendi ka folur për gazetën “Bota sot”, duke u shprehur skeptik se mund të ratifikohet, pasi për të pasur votat e Listës Serbe, duhet t’i jepen kompetenca ekzekutive Asociacionit.

“Të mërkurën presim që të mblidhet seanca për votimin e Demarkacionit. Unë jam skeptik se do të kalojë edhe nesër për faktin se nuk janë numrat. Pas një marrëveshje të arritur në mes të shumicës së partive në parlament, u pa se nuk i kanë numrat. Për t’i pasur numrat e minoriteteve serbë apo listës së Aleksandër Vucicit, Kosova do të duhet të marrë obligim që Asociacionit të Komunave Serbe t’i japë kompetenca ekzekutive dhe kjo varet se çka do t’i thotë qeveria Avni Arifit që është në negociata në Bruksel. Po ashtu këtë të mërkurë kur pritet të votohet demarkacioni, priten edhe vizita nga ndërkombëtarët që do të vijnë”, është shprehur ai.

Image
Jeton Kelmendi

Ndërsa sa i përket mundësisë që të ketë gaz lotsjellës nga Vetëvendosje, Kelmendi thotë se nuk do të ketë, por mendon se do të ketë përpjekje për të blerë vota.

“Unë nuk besoj se do të ketë gaz lotsjellës nga Lëvizja Vetëvendosje, por do të ketë ndonjë tentativë për të blerë ndonjë deputet nga Vetëvendosje por edhe nga minoriteti serb. Megjithatë, ka shumë spekulime që disa deputetë opozitës do t’i rrjedhin, së paku kemi Nait Hasanin që është deklaruar kundër. Pra kjo marrëveshje nuk i ka votat për të kaluar dhe çka do të thotë kjo. E gjitha do të bëhet për ta mbajtur qeverinë më tutje, sepse në momentin që do të bie marrëveshja, do të bie edhe qeveria dhe kjo është e gjitha. Përndryshe nuk pres që do të kalojë as nesër, varësisht se çfarë tentative do të ketë për të blerë edhe 2-3 vota sa ju duhen për ta ratifikuar marrëveshjen”, ka deklaruar profesori Jeton Kelmendi për “Bota sot”.

Mbetet të shihet nëse marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi do të ratifikohet nesër, pas 2 seancave të dështuara për këtë çështje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat