A janë siguruar votat për Demarkacionin? Flasin deputetët

Politika

A janë siguruar votat për Demarkacionin? Flasin deputetët

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 27 shkurt 2018 Në ora: 15:08
Foto ilustrim

Dita e mërkurë pritet ta mbyllë çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi, çështje kjo me të cilën Kosova po përballet tash e tri vite,

Kuvendi i Kosovës, pas dy dështimeve që ta ratifikojë këtë marrëveshje, ka vendosur që nesër të mbajë seancë të jashtëzakonshme për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Ajo çka mbetet konfuze është numri i deputetëve të cilët do e votojnë shënimin e vijës kufitare, ku duhen 80 votat e nevojshme në favor të kalimit të kësaj çështjeje. Por a janë siguruar tashmë votat për ratifikimin e kësaj marrëveshje?

Image
Avdullah Hoti

Hoti: Ne e kemi dhënë qëndrimin tonë

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti në një prononcim për “Bota sot”, thotë se kjo çështje është dashur të kryhet me kohë

“Ne e kemi dhënë qëndrimin tonë. Ne e mbështesim plotësisht këtë marrëveshje. Kjo çështje është dashur të kryhen me kohë. Sot qytetarët e Kosovës do të mund të lëviznin lirshëm në BE sikur opozita e atëhershme të mos e kundërshtonte me dhunë ratifikimin e kësaj marrëveshje në Kuvendin e Kosovës” ka përfunduar Hoti.

Image
Xhevahire Izmaku

Izmaku: Përgjegjësi individuale e secilit deputet

Kurse deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhevahire Izmaku në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se votimi është përgjegjësi individuale e secilit deputet.

“Unë nuk mund të flas për deputetët  e tjerë, secilin deputet e ka individualitetin e vetë, mirëpo vota ime është pro demarkacionit, konsiderojë se secili deputetë duhet ta ketë nivelin e përgjegjësinë së vetë dhe nuk mundet të humbet një moment kaq i rëndësishëm, ku cdo qytetarë i vendit pret ratifikimin”

Ndërsa Izmaku nuk e komentoi deklaratën e bashkëpartiakut të saj Nait Hasani, i cli ka deklaruar  se nuk do ta votojë demarkimin me Malin e Zi

“Respekt për Naitin mirëpo deklaratën e tij nuk e kam dëgjuar”, ka përfunduar Izmaku.

Image
Shkumbin Demalijaj

Demalijaj: I mbetem besnik Haradinajt

Ndërsa, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shkumbin Demalijaj është shprehur për “Bota sot” se i mbetet besnik Haradinajt.

“Unë personalisht i mbetem besnik qëndrimit  të kryeministrit Haradinaj dhe atë çka e propozon ai do ta votojë, ndërsa për deputetët e partive tjera nuk e di, mirëpo unë i mbetem besnik kryeministrit”, ka deklaruar Demalijaj.

Image
Arberie Nagavci

Nagavci: Vetëvendosje kundër

Kurse, Arberie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë për “Bota sot”, se qëndrimi i VV-së tashmë dihet.

“Qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosjes është i qartë, ndërsa deklaratat e Kadri Veselit janë thjeshtë mënyra për të shkaktuar përçarje ,të kërkojë konfuzitet. Në  Lëvizjen Vetëvendosje qëndrimi jonë është i  qartë, për  të gjithë ata që e përfaqësojnë Lëvizjes Vetëvendosje” ka përfunduar Nagavci

Image
Albulena Balaj Halimaj

Halimaj: Demarkacioni duhet votuar

Ndërsa nga Nisma për “Bota sot” është deklaruar deputetja Albulena Balaj Halimaj, e cila ka thënë se vendi ka 1 milionë probleme tjera, andaj demarkacioni duhet votuar

“Vota ime shkon pro demarkacionit, sepse kjo çështje tashme është zgjatur shumë duke pritur tri vjet, dhe ne si vend kemi edhe 1 milionë probleme tjera, ka ardhur koha ti kthehemi punës ne shëndetësi, zhvillim ekonomik dhe natyrisht është me rendësi të ratifikohet sa më shpejtë. Po flas ne emër timin ndërsa nuk mund të flas në emër të grupi parlamentar sepse është përgjegjësia individuale e secilit deputetë” ka përfunduar Halimaj

Seanca për ratifikim e demarkacionit mbahet nesër dhe duhet të votohet nga 80 deputetë të parlamenti të  Kosovës, vlenë të theksohet se Lista Serbe ka kundërshtuar votimin e demarkacionit duke e vështirësuar kështu punën për votimin e saj.

Kundër marrëveshjes për demarkacioni kanë dalë edhe deputete nga mazhoranca siç janë Nait Hasani nga PDK-ja dhe Zafir Berisha nga NISMA.

Kujtojmë që marrëveshja e demarkacionit u arrit dy ditë pas vizitës së kryeministrit malazez Duck Markovic në Kosovë, ku kjo marrëveshje u nënshkrua edhe një here nga presidenti Hashim Thaçi 905 ditë pasi hodhi nënshkrimin e dytë pas të parit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat