Krasniqi përkrah propozimin e Kurtit: Kjo çështje duhet të zgjidhet njëherë e përgjithmonë!

Politika

Krasniqi përkrah propozimin e Kurtit: Kjo çështje duhet të zgjidhet njëherë e përgjithmonë!

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 9 mars 2018 Në ora: 22:51
Ramush Haradinaj

Njohësi i çështjeve politike Faik Krasniqi, ka thënë se Qeveria e Kosovës, duhet të marrë seriozisht propozimin e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti për Demarkacionin me Malin e Zi.

Ky i fundit, gjatë ditës së sotme i ka shkruar një letër kryeminsitrit Ramush Haradinaj, në të cilën i ka kërkuar që fillimisht të bëhet korrigjimi i Demarkacionit e pastaj ratifikimi i kësaj marrëveshjeje.

E në përgjigjen e tij drejtuar Kurtit, Haradinaj ka thënë e kupton presionin nga Kurti që fillimisht të ishte korrigjuar marrëveshja e pastaj të ratifikohet, por që sipas tij, kjo do të nënkuptonte dalje prej marrëveshjes.

“Unë e kuptoj presionin e Kurtit se kish qenë ma mirë me e korrigjuar përpara me e kthye në Çakorr dhe në Kullë. Por, kjo nënkupton dalje prej një marrëveshje. Pas ratifikimit nga ana e Kosovës nuk është humb asnjë argument i korrektimit”, ka thënë ai.

Por, sipas analistit Krasniqi, një herë duhet të bëhet korrigjimi e pastaj ratifikimi. Sipas Krasniqit, zgjidhja për Demarkacionin, duhet të bëhet me konsensus të plotë politik.

Image
Faik Krasniqi

“Do të ishte zgjidhje e mirë propozimi i Kurtit, që njëherë të bëhet korrigjimi e pastaj ratifikimi. Çdo zgjidhje e përhershme për çështjen e Demarkacionit duhet të bëhet me konsensus të plotë nga spektri politik shqiptar, sepse kjo çështje duhet të zgjidhet njëherë e përgjithmonë”, ka pohuar Faik Krasniqi, në një prononcim për gazetën  “Bota sot”.

Ai më tej ka kritikuar klasën politike, e cila sipas tij, po i mban të izoluar qytetarët e vendit, duke zvarritur këtë çështje, derisa nga ana tjetër, ata posedojnë edhe pasaporta të shteteve të tjera.

“Është e padrejtë që qytetarët e Kosovës të ngelin të izoluar për shkak të një çështje që ka zgjidhje, e aq më pak që po zvarritet nga kjo klasë politike të cilët përveç që kanë pasaporta diplomatike për vehten dhe familjet e tyre, posedojnë edhe pasaporta të shteteve të tjera, për të lëvizur lirshëm në shtetet e BE-së”, është shprehur Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat