“Dorëheqjet dëmtojnë Vetëvendosjen”

Politika

“Dorëheqjet dëmtojnë Vetëvendosjen”

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 10 mars 2018 Në ora: 23:02
Deputetet e Vetevendosjes

Partisë më të madhe opozitare në vend i është larguar sot edhe një deputete tjetër.

Deputetja Besa Baftiu ka dhënë dorëheqje sot nga Vetëvendosja, duke e çuar kështu numrin në 12 të dorëheqjeve në këtë parti.

Përkundër këtij numri, kryetari i VV-së Albin Kurti, ka thënë se këto dorëheqje nuk sjellin ndarje, e as ndalje të partisë që ai udhëheq.

“Nga Lëvizja Vetëvendosje ka disa dorëheqje dhe dalje, që janë për keqardhje dhe të gabueshme, por në Lëvizjen Vetëvendosje nuk ka as ndarje dhe as ndalje”, tha Kurti sot në mbledhjen me me kryetarë dhe sekretarë të Qendrave të kësaj partie.

Mirëpo, sipas analistëve politikë këto dorëheqje natyrisht që dëmtojnë partinë.

Analisti politik, Nexhat Haziri në një prononcim për “Bota sot”, është shprehur se dorëheqjet në VV i kanë sjellë goditje të rëndë dhe mbase edhe të pariparueshme.

Image
Nexhat Haziri

“Natyrisht se e dëmtojnë bukur shumë dhe është normal te se cila parti politike në rast të ndarjes apo fraksionizimit, ajo humbë peshën e vet në skenën politike dhe në proceset vendimarrëse. Pra, LV-ja me këto dorëheqje ka pësuar një goditje të rëndë, mbase të pariparueshme dhe kjo do të shfaqet apo do të shihet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, kur do që do të bëhen ato”, ka pohuar Haziri.

Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare të parakohshme, ka arritur të fitojë 32 ulëse në Kuvend duke u bërë kështu partia më e madhe opozitare, ndërkaq me dorëheqjen e sotme numri i deputetëve që largohen nga pozitat udhëheqëse shkon në dymbëdhjetë.

Më herët, nga strukturat e partisë, kanë dhënë dorëheqjen Dardan Molliqaj, Visar Ymeri, Dardan Sejdiu, Aida Dërguti, Donika Kadaj – Bujupi, Dukagjin Gorani, Driton Çaushi, Faton Topalli, Frashër Krasniqi dhe Shqipe Pantina.

Sipas analistit Nexhat Haziri, këto “ngjarje” brenda Vetëvendosjes janë goditje e rëndë në kampin opozitar në Kosovë.

“Këto ngjarje në LV, natyrisht se janë edhe një goditje e rëndë në kampin opozitar në Kosovë, pasi të dorëhequrit nga LV-ja e që janë deputetë në Kuvendin e Kosovës, së 12, akoma nuk e kanë qartësuar pozicionin e tyre politik. Në rast se ata do vendosin për ta mbështetur koalicionin aktual, atëherë do të jetë shumë vështirë për opozitën që të ngre nocion mos besimi ndaj kësaj qeverie, por edhe vendit do t’i shkaktonin një vazhdimësi të keqeverisjes dhe skandaleve të koalicionit aktual qeverisës”, ka shtuar Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat