Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, më në fund i ka thënë po ligjit për përdorimin e gjuhëve, ku përfshihet edhe gjuha shqipe. Një lajm i mirë për shqiptarët në Maqedoni por edhe për ata kudo që janë. Politikanët mbarë shqiptarë dhe politikat që ata drejtojnë nuk kanë qenë gjithmonë në favor të qytetarëve. Votimi i ligjit për gjuhën shqipe bëri diferencën e gjendjes së shqiptarëve në përgjithësi.
Tensionet e mëdha nën të cilat u votua ligji në fjalë, dëshmojnë edhe njëherë urrejtjen ultranacinaliste të sllavëve dhe Maqedonasve ndaj shqiptarëve. Por, pavarësisht këtyre tensioneve ligji për përdorimin e gjuhëve zyrtare mori dritën e gjelbër. 14 marsi do të mbetet si datë historike për shqiptarët, njësoj si data kur u mbajt Kongresi i Manastirit dhe u zyrtarizua alfabeti i gjuhës shqipe.
Vendit ku lindi alfabeti i gjuhës shqipe, tashmë i njihet përdorimi i gjuhës edhe zyrtarisht.
Nga kjo ditë e shënuar, do të kujtohet edhe Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, i cili arriti t`i bëj ballë presionit të ish Kryeministrit të Maqedonisë dhe “ultranacionalistit” Nikolla Gruevski, që në vazhdimësi i kërkonte që ta ndërpriste seancën.
Gruevski doli te foltorja, duke provuar që ta pengojë votimin. Ai ka ndërhyrë edhe tek vendi ku rrinte ulur kryetari Xhaferi, të cilin e ka lagur edhe me një gotë ujë, çka e ka detyruar sigurimin të ndërhyjë për të mos eskaluar situata.
Por, Xhaferi, nuk ra në provokimin e Gruevskit duke dëshmuar kështu urtësinë dhe mençurinë, mbi të gjitha vendosmërinë që ligji për gjuhet të miratohet pavarësisht rrethanave.
Veprimet e z. Talat Xhaferi, na e kujtojnë Presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova, i cili nuk iu dorëzua asnjëherë presioneve, derisa qetësia dhe mençuria e tij bëri që Kosova të njihej ndërkombëtarisht.
Më në fund, shqiptarët e Maqedonisë do t`i gëzohen të drejtës elementare qytetare e që është përdorimi i gjuhës amtare shqipe.
Nuk ka dyshim se zyrtarizimi i gjuhës shqipe në Maqedoni, përbën një nga lajmet më të rëndësishme atje.
Zgjedhja e Talat Xhaferit në krye të Kuvendit të Maqedonisë një vit më parë, kishte ngritur tensione të mëdha, të cilat kishin eskaluar në dhunë fizike e në rrahjen e deputetit të Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela.
Këtë rast, e ka kujtuar me të drejtë deputeti tjetër i ASH-së, Syrija Rashidi, i cili ka shprehur kënaqësinë e tij pas votimit të ligjit për përdorimin e gjuhëve.
“Sot patëm kënaqësine që një premtim të Aleancës për Shqiptarët, gjuhën shqipe ta bëjmë realitet. Gjuha shqipe nuk u votua sot, por më 27 Prill me gjakun e promotorit kryesor të ndryshimit, Ziadin Selës. Këtë fakt nuk mund ta ndryshoj asnjë skenar listingjesh. Ta gëzojmë të gjithë së bashku”, ka shkruar kështu Rashidi.