Vota e (pa)sigurt për Demarkacionin

Politika

Vota e (pa)sigurt për Demarkacionin

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 18 mars 2018 Në ora: 08:08
Kuvendi i Kosovës

Mungesa e votave e ka lënë pezull çështjen e demarkacionit. Pozita nuk po arrinë të sigurojë votat e nevojshme, andaj e ka shtyrë seancën për javën tjetër, për ditën e Martë në orën 16,  ku pretendon të kalojë këtë çështje.

Megjithatë ende nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar se votat janë siguruar.

Kalimi i deputetes së Vetëvendosjes, Donika Kadaj Bujupi në partinë e ‘vjetër’, në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, ia siguroi pozitës edhe një votë. Por pavarësisht kësaj, deputetët e mbetur në Vetëvendosje, ende e kundërshtojnë fuqishëm marrëveshjen për demarkacionin.

Po ashtu, edhe deputetët e Listës Serbe, janë deklaruar se janë kundër kësaj marrëveshje dhe se nuk do të votojnë kalimin e saj në Kuvend. Këtë e ka konfirmuar sot përfaqësuesi i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq. Ai madje ka mohuar të kenë zhvilluar takim me kryeparlamentarin Kadri Veseli.

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe njëkohësisht ministër për Komunitete e Kthim, Jevtiq ka thënë se këto ditë nuk ka pasur takim ndërmjet tij e kryetari të Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli.

“A kemi biseduar për këtë temë”? Po kemi biseduar për këtë temë. Përgjigja jonë ka qenë se aktualisht nuk na intereson, se kjo, fundja, nuk ka qenë temë marrëveshjes sonë të koalicionit. A ka presione nga bashkësia ndërkombëtare, ka presione, ajo kërkon që ne ta përkrahim këtë proces”, ka thënë Jevtiq.

Nitaj i pasigurt

Image
Muharrem Nitaj

Po ashtu edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj nuk është shprehur i sigurt që i kanë numrat e nevojshëm për të kaluar Demarkacionin, derisa ka thënë se seanca është caktuar për të martën.

“Seanca është caktuar për të martën e ardhshme në ora 16. Unë besoj se do të ketë vota të mjaftueshme, por rezultati i saktë do të mund të kuptohet vetëm ditën e martë”, thotë deputeti Nitaj për “Bota sot”.

PDK e sigurt për të martën

Image
Mexhide Mjaku Topalli

Edhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Mexhide Mjaku Topalli beson se kjo çështje do të kaloj në seancën e radhës të Kuvendit. Ajo thotë se interesi i Kosovës do të tejkalojë të gjitha ndarjet dhe mospajtimet politike.

“Është vërtetë për keqardhje që edhe sot e kësaj dite Kosova vazhdon të mbetet i vetmi vend i izoluar në rajon, kur bëhet fjalë për udhëtim të lirë në zonën Schengen. Ky kompromis nacional sigurisht që do t’i tejkalojë ndarjet partiake, klanore, politike  dhe domosdoshmërisht së shpejti do të kemi një rrugëdalje në këtë drejtim”, thotë deputetja Mjaku-Topalli për “Bota sot”.

Deputetja e PDK-së thotë se partia e saj e ka dhënë mbështetjen për këtë marrëveshje qysh në vitin 2015.

“Jam optimiste se brenda kësaj jave do të përfundon kjo që padrejtësisht po bllokon qytetarët. Ne si PDK-së kemi dhënë mbështetjen tonë për këtë marrëveshje që në vitin 2015”, thekson ajo.

Kalimi i Kadaj-Bujupit në AAK i hapë rrugë Demarkacionit

Image
Faton Mehmeti

Kurse analisti politik, Faton Mehmeti mendon se çështja e demarkacionit do të zgjidhet në seancën e radhës të Kuvendit. Ai thotë se kthimi i deputetes Donika Kadaj Bujupi në AAK do t’i hap rrugë demarkacionit dhe ndonjë votë e mundshme nga deputetët e Vetëvendosjes.

“Besoj se gjasat janë më të mëdha që të kaloj demarkacioni, javën tjetër. Kontrabandimi i Donikës në AAK dhe ndonjë deputeti të VV-së, i ka dhënë koalicionit mundësinë që të kaloj këtë çështje. Andaj, jam optimist se do të kaloj javën e ardhshme, nëse nuk ndodh një gjë e tillë dyshoj se do të mbijetoj ky koalicion. Në këtë sens, kalimi i demarkacionit është jetik për qeverinë”, thekson Mehmeti.

Ai thotë më tutje SHIK-u ka futur në lojë çdo mundësi kontrabandimi, ofrim tenderave dhe beneficione të shumta deputetëve për ta votuar.

“Edhe në këtë vikend që ka mbetur do jetë e nxehtë, do bëhet tregti me votën. Këta deputetë( shumica) nuk meritojnë pozitën që e mbajnë, pasi nuk kanë parime por bëhen pjesë e pazareve të pista. Gjithsesi, besoj se do të kaloj demarkacioni javën tjetër”, thekson analisti Mehmeti.

Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë. Si e tillë, kjo marrëveshje ishte ratifikuar nga Kuvendi i Malit të Zi, por jo edhe nga ai i Kosovës.  Marrëveshja ishte nënshkruar atë kohë nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ministri i Brendshëm, Skender Hyseni, ndërsa nga pala malazeze kishin nënshkruar zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Igor Llukshic, e ministri i Brendshëm, Rashko Konjevic.

Presidenti Hashim Thaçi, atë kohë ministër i Punëve të Jashtme pati thënë se marrëveshja është në “përputhje të plotë me Kushtetutën e vitit 1974, Dokumentin e Presidentit Martti Ahtisaari dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Kjo është një ditë e rëndësishme për Kosovën, për Malin e Zi por edhe për tërë rajonin, që dëshmon se rajoni ka hyrë në një periudhë të bashkëpunimit dhe po ecën sigurt në rrugën e integrimeve euro-atlantike”.

Komisioni Evropian e ka bërë të qartë se pa ratifikimin e demarkacionit, Kosova nuk do të mund të përfshihet në zonën e lëvizjes së lirë, brenda BE-së, pa viza.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat