Tomë Gashi flet për hetimin e SHIK-ut: Veseli kur pati deklaruar se “Kam me ju ngi SHIK”...

Politika

Tomë Gashi flet për hetimin e SHIK-ut: Veseli kur pati deklaruar se “Kam me ju ngi SHIK”...

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 18 mars 2018 Në ora: 15:51
Avokati Tomë Gashi

Lëvizja Vetëvendosje ka rinisur zyrtarisht mbledhjen e nënshkrimeve për formimin e Komisionit hetues Parlamentar, me qëllim të hetimit dhe zbardhjes së veprimtarisë së Shërbimit Informativ të Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur deputetja e VV-së Albulena Haxhiu, e cila ka kërkuar mbështetjen edhe të grupeve tjera parlamentare.

“Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje!, ka rinisur sot zyrtarisht mbledhjen e nënshkrimeve për formimin e Komisionit hetues Parlamentar me qëllim të hetimit dhe zbardhjes së veprimtarisë së “Shërbimit Informativ të Kosovës. Në këtë drejtim, do të kërkojmë mbështetjen e grupeve tjera parlamentare.

Në legjislaturën e katërt i patëm mbledhur 27 nënshkrime. Në legjislaturën e pestë i kemi mbledhur 38 nënshkrime. Tash do t'i mbledhim 40, aq sa nevojiten”, ka shkruar Haxhiu në një postim në Facebook.

E avokati Tomë Gashi, duke komentuar në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se nuk ka asgjë të keqe në iniciativën e partisë opozitare më të madhe në vend.

“Nuk është hera e parë që partitë parlamentare kërkojnë hetimin e punës së SHIK-ut përmes komisioneve të caktuara brenda për brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës. Asgjë nuk ka të keqe në këtë kërkesë për të formuar këtë komision, ngase është komision institucional”, ka thënë avokati Gashi.

Ai ka theksuar se kundër hetimit të SHIK-ut nuk është deklaruar formalisht as ish-shefi i saj, tashmë kryeparlamentar i Kosovës Kadri Veseli.

Gashi konsideron se formimi i një komisioni të tillë do të përfundojë çështjen se çfarë punësh ka kryer SHIK-u nga formimi i tij deri në mbylljen formale të misionit të vet.

“Sa mbaj mend unë edhe vet Kadri Veseli në cilësinë e kryetarit të parlamentit mandatin e dytë, së paku formalisht nuk është deklaruar kundër një inciative të tillë, kështu së paku unë e kam kuptuar kur pati deklaruar në fillim të mandatit të tij të dytë se “kam me ju ngi shik” dhe konsideroj se një komision i tillë do të mbyll çështjen e diskutuar shpesh se çfarë punësh ka kryer SHIK-u nga formimi i tij deri në mbylljen formale të misionit të vet”, ka deklaruar avokati Tomë Gashi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat