Qeverisja e mundshme LDK-VV, vuri në aksion forcat regresive për shkatërrimin e VV-së

Politika

Qeverisja e mundshme LDK-VV, vuri në aksion forcat regresive për shkatërrimin e VV-së

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 19 mars 2018 Në ora: 12:55
LDK, VV

Lidhja Demokratike e Kosovës, tashmë është partia më e madhe parlamentare, pasi Lëvizja Vetëvendosje e cila ishte partia më e madhe parlamentare, me 32 deputetë, tani ka mbetur partia e tretë më e madhe, me 19 deputetë.

Kjo, pasi 13 deputetë të Vetëvendosjes u larguan nga kjo parti, prej tyre Donika Kadaj Bujupi u rikthye në AAK, ndërsa 12 të tjerë formuan Grup Parlamentar të veçantë, të quajtur Grupi i Deputetëve të Pavarur, i udhëhequr nga Dardan Sejdiu.

Interpelanca për për të tërhequr vëmendje

E se sa do të jetë opozita e fuqishme si e tillë dhe e koordinuar për çështje të ndryshme, flasin analistët.

Njohësi i zhvillimeve politike në vend, Haki Abazi, thotë se tani Kuvendi po i ngjanë një pianoje të prishur, ku shumica përfaqësojnë interesa personale e klanore.

“Përbërja e tanishme e Parlamentit i ngjason një piano e çakorduar e të prishur. Shumica e parlamentarëve janë përfaqësues të interesave personale e të klaneve, se sa përfaqësues të interesit qytetar. PDK është e përçarë, votuesit e AAK janë të tradhtuar nga koalicion me PDK-në, ndërsa kulmin e hipokrizisë dhe manipulimit e bartin GDP ose siç unë preferoj t’i quaj CC zero. Ata as nuk përfaqësojnë koncept politik e as organizatë politike”, është shprehur ai për “Bota sot”.

Pasojat e dorëheqjeve nga LVV

Image
Haki Abazi

Ai thotë se tani nuk kanë pasur qëndrim të tyre dhe se tani mundohen të orkestrojnë diskutime publike e interpelanca për të tërhequr vëmendje, ashtu siç orkestruan dorëheqjet.

“Ata më së paku janë të pavarur dhe si grup apo edhe individët asnjëherë. Nuk kanë pasur qëndrim për asnjë gjë të vetme. Tani po shihet qartë që po mundohen të parashutohen në agjenda dhe platforma të krijuara më herët siç është ajo për energjinë dhe termocentrali e ri. Ashtu siç kishin orkestruar dorëheqjet tani duan që të orkestrojnë diskutime publike e interpelanca në parlament për të tërhequr vëmendjen”, vlerëson Abazi.

Sipas tij, LDK dhe VV do të bëjnë opozitë të fuqishme, derisa shton se frika për një bashkëqeverisje në mes të këtyre dy partive, i ka shtyrë forcat regresive që të shkatërrojnë VV-në duke e ndarë.

“VV është force reale në politikën e Kosovës dhe e qëndrueshme dhe besoj shumë në konsistencën e qëndrimeve dhe së bashku me LDK-në si forca e parë në opozitë do të munden të bëjnë opozitë shumë të fuqishme një qeverie dhe pozitë që i ka humbur rruga. LDK dhe VV mund të përplasen gjithashtu për punën e demarkacionit por në nivelin e interesave nacionale ma merr mendja këto dy parti do ta ruajnë një kohezion të angazhimit politik. Besoj frika nga një kohezion politik dhe një bashkë qeverisje e LDK-së dhe VV-së i ka shtyrë forcat regresive që të tentojnë ta shkatërrojnë VV-në duke e ndarë dhe duke rekrutuar klanin e CC-zero”, ka deklaruar Haki për “Bota sot”.

Shahu: VV mbaroi shndritjen në qiellin politik

Image
Rexhep Shahu

Ndërsa, analisti politik Rexhep Shahu, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje tashmë ka përfunduar shndritjen e saj por që nuk mund të shuhet, mirëpo dështimi i saj në opozitë tregon se ajo është ndërtuar keq dhe se është sjellë si në pushtet, duke harruar se është në opozitë.

“VV mbaroi shndritjen në qiellin politik edhe pse ajo nuk mund as duhet të shuhet pasi në shumë raste ka paraqitur vitalitet. Por dështimi që në opozitë pa u provuar në pushtet, tregon se diçka ishte ndërtuar keq në VV, tregon mbase mos durim të kultit të askujt, padurim për pushtet dhe për pasojë sjellje si në pushtet duke harruar se je në opozitë. VV nuk do të mund të diktojë siç ka diktuar, ajo do të shërbejë si lëndë mbushëse por jo dominuese. Copëzimi i saj copëzon edhe fuqinë e saj”, ka vlerësuar Shahu për “Bota sot”.

GDP-ja, akoma nuk e ka qartësuar pozicionin e sajë politik

Image
Nexhat Haziri

Në anën tjetër, opinionisti Nexhat Haziri, mendon se nuk është e rëndësishme se cila parti është më e madhja, por që ndarja e VV e ka dëmtuar shumë opozitën.

“Është krejt irrelevante se cila nga partitë opozitare tashmë është më e madhja apo më e vogla për nga ulëset në Kuvendin e Kosovës. Ndarja e VV-së dhe formimi i Grupit të Deputetëve të Pavarur, të cilët kohë më parë u dorëhoqën nga VV-ja, së pari e ka dëmtuar këtë të fundit, por edhe opozitën në tërësi. Edhe pse GDP-ja, akoma nuk e ka qartësuar pozicionin e sajë politik në raport me pozitën, por as me opozitën, nuk mundemi akoma të shprehemi se cila do të jetë forca e opozitës në raport me pozitën pas zhvillimeve të fundit në VV”, është shprehur ai.

Sipas Hazirit, vetëm një opozitë e bashkuar do të kishte sukses dhe do t’ia shkurtonte jetën kësaj qeverie.

“Ne jemi dëshmitar të një "sex i politik" se cili me secilin, sa në një anë, në anën tjetër, siç ishte rasti me kalimin apo rikthimin e deputetes Donika Kada Bujupi në AAK dhe nëse do të ketë edhe lëvizje të tjera në drejtime të pozitës, atëherë mund të flasim për një dobësim serioz të kampit opozitar. Vetëm një opozitë e bashkuar me një vizion të qartë dhe pragmatik do të ishte përballje e suksesshme me pozitën dhe që kësaj qeveria, e cila është më e keqja në historinë e Kosovës, t’ia bëjë sa më të shkurtër jetën”, ka deklaruar Nexhat Haziri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat