Ramiz Kelmendi flet për votën për Demarkacionin, tregon qëndrimin e tij

Politika

Ramiz Kelmendi flet për votën për Demarkacionin, tregon qëndrimin e tij

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 19 mars 2018 Në ora: 15:51
Deputeti i LDK-së Ramiz Kelmendi

Kuvendi i Kosovës nesër do të mbajë seancën e jashtëzakonshme, ku pritet të votohet për Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi.

Zyrtarë nga koalicioni qeverisës PANA-Lista serbe, kanë deklaruar gjatë ditës së sotme, se e kanë siguruar edhe votën e 80-të, numër ky i mjaftueshëm për të kaluar këtë marrëveshje.

Ndërkohë, votën pro kësaj Marrëveshjeje e ka deklaruar Lidhja Demokratike e Kosovës me 27 deputetë të saj.

Shefi i Grupit Parlamentarit të kësaj partie Avdullah Hoti, përmes një postimi në Facebook, ka folur edhe për votën e deputetit të LDK-së Ramiz Kelmendi, për të cilin ka thënë se është keqinterpretuar.

Hoti ka theksuar se koalicionit qeverisës i takon t'i sigurojë 62 vota.

“27 votat e deputetëve të LDK-së janë në favor të ratifikimit të marrëveshjes se Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. "Keqinterpretimi" i qëllimshem që disa medie po i bëjnë postimit të deputetit Ramiz Kelmendi, është përpjekje e kotë për zhvendosjen e vëmendjes nga pamundësia e koalicionit qeverisës për t'i siguruar të gjitha votat e shumicës së brishtë parlamentare. Koalicionit qeverisës i takon t'i sigurojë 62 vota. Nuk mund të arsyetohen me refuzimin e deputetëve serbë, për shkak se me votat e tyre e mbajnë në kembë qeverine e brishtë”, ka shkruar Hoti në Facebook.

E vet deputeti Ramiz Kelmendi, ka konfirmuar se ende nuk ka vendosur se si do të votojë nesër për Demarkacionin.

Mirëpo, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Kelmendi ka thënë se nuk dëshiron që vota e tij të jetë “mollë sherri” mes dy shteteve dhe gjeneratave të ardhshme.

“Nuk kam vendosur ende nëse do ta votojë Demarkacionin apo jo, për arsye se nuk kam dëshirë që vota ime të shkaktojë një realitet tjetër dhe të jetë një mollë sherri në mes dy shteteve dhe gjeneratave të ardhshme për një ngjarje aq relevante siç është kjo e jona. Unë ende nuk kam vendosur nëse do të votojë pro apo kundër këtij vendimi”, ka deklaruar deputeti Ramiz Kelmendi për “Bota sot”.

Ndryshe, deri më tani kundër kësaj ratifikimit të Demarkacionit, është edhe Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista serbe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat