Në kërkim të votës së 80-të për Demarkacionin

Politika

Në kërkim të votës së 80-të për Demarkacionin

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 20 mars 2018 Në ora: 07:31
Kuvendi i Kosovës

Për të katërtën herë, në Kuvendin e Kosovës do të sillet për votim marrëveshja për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Derisa koalicioni qeverisës është i bindur se i ka votat për miratimin e marrëveshjes, ndër deputetë vazhdon të ketë qëndrime skeptike lidhur me këtë. Pavendosmëria nëse janë pro apo kundër vërehet tek Grupi i Deputetëve të Pavarur si dhe tek Deputeti i LDK-së, Ramiz Kelmendi, i cili ka thënë për “Bota sot”, se ende nuk e di se si do të jetë vota e tij.

Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, është pika e vetme e rendit të ditës, në seancën e së martës, që do të mbahet në ora 16:00.

Është hera e katërt që kjo marrëveshje sillet në Kuvend për votim, derisa nga koalicioni qeverisës kanë thënë se tashmë janë siguruar votat për votimin e saj.

Qeveria thotë se i ka siguruar 80 vota

Halil Matoshi, këshilltari i kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë se tashmë janë siguruar të gjitha votat e nevojshme që marrëveshja të ratifikohet.

“Sipas të gjitha gjasave votat janë, ka mbërritur numri i nevojshëm prej 80 votave dhe ligji për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, do të kalojë”, ka thënë Matoshi.

Mirëpo, ai nuk ka përmendur emra dhe nuk dihet se kush do ta japë votën e 80-të.

Lekaj: Janë numrat, andaj është thirrur seanca

Se numrat janë ka deklaruar edhe ministri Pal Lekaj.

“Numrat janë. Dy të tretat e deputetëve do ta votojnë këtë marrëveshje. Arsyeja pse është thirrur seanca tregon se janë numrat. Ndryshe nuk do të thirrej”, ka deklaruar Lekaj gjatë së hënës.

Hoxhaj: Besoj se do të kemi votat, duhet punuar deri në minutën e fundit

Megjithatë, edhe pse nga Qeveria thonë se i kanë numrat, një gjë e tillë nuk është e sigurt nga zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj.

Mbrëmë ai ka thënë se beson që sot do të jenë numrat, mirëpo duke mos u shprehur konkretisht për këtë çështje.

“Besoj se do të kemi votat e mjaftueshme. Është punuar shumë dhe pas marrëveshjes së dy presidentëve, nuk ka asnjë arsye politike, juridike dhe asnjë arsye tjetër që të mos votohet marrëveshja e vitit 2015, sikurse  të mos jetë pjesë e ligjit edhe vetë raporti i hartuar nga Komisioni Shtetëror në vitin 2017”, ka thënë Hoxhaj.

Ai po ashtu ka thënë se duhet të punohet deri në minutën e fundit që të jenë votat e nevojshme.

“Mendoj që do të kemi votat e mjaftueshme por jeta parlamentare, jo vetëm në Kosovë, por kudo në botë, karakterizohet me një sjellje fluide të kontekstit të brendshëm. Duhet të luftohet deri në minutën e fundit, që çdo deputet i cili ka premtuar votën e tij, ta japë votën e tij”, ka thënë Hoxhaj.

Ndërsa, deputeti i Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka, ka thënë se do ta votojë këtë marrëveshje dhe se mendon se i kanë votat, derisa koalicioni thotë kështu.

Image
Milaim Zeka

“Koalicioni aktual po thotë se i kemi votat edhe unë po them se i kemi votat. Unë mund t’ju them se Nisma dhe vota ime është pro Demarkacionit. Këta që po thonë se i kemi votat, ishalla nuk po rrejnë. Unë parimisht mendoj se janë votat dhe se qëndrimi i Nismës është që të votohet Demarkacioni”, është shprehur Zeka.

Ndërsa, sipas tij, nëse edhe tëmartën dështon votimi marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, oposioni i vetëm është izolimi i vendit.

“Nëse edhe sot dështon ratifikimi i Demarkacionit, janë dy pasoja që e presin vendin, izolohet Kosova dhe kemi me shku te pika kryesore e që është luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar. Unë jam për, si dhe Nisma Socialdemokrate është për”, ka përfunduar deputeti i Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka për "Bota sot".

Hoti: 27 votat e LDK-së janë pro Demarkacionit

Për këtë marrëveshje, përpos koalicionit qeverisës, pro janë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ku shefi i GP të kësaj partie, Avdullah Hoti, ka thënë se 27 deputetët e LDK-së e votojnë marrëveshjen.

“27 votat e deputetëve të LDK-së janë në favor të ratifikimit të marrëveshjes se Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. "Keqinterpretimi" i qëllimshëm që disa medie po i bëjnë postimit të deputetit Ramiz Kelmendi, është përpjekje e kotë për zhvendosjen e vëmendjes nga pamundësia e koalicionit qeverisës për t'i siguruar të gjitha votat e shumicës së brishtë parlamentare. Koalicionit qeverisës i takon t'i sigurojë 62 vota. Nuk mund të arsyetohen me refuzimin e deputetëve serbë, për shkak se me votat e tyre e mbajnë në këmbë qeverinë e brishtë”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Kelmendi: Ende nuk kam vendosur si do të votoj

Ndërsa, deputeti Ramiz Kelmendi, ka konfirmuar se ende nuk ka vendosur se si do të votojë për Demarkacionin, por në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Kelmendi ka thënë se nuk dëshiron që vota e tij të jetë “mollë sherri” mes dy shteteve dhe gjeneratave të ardhshme.

Image
Ramiz Kelmendi

“Nuk kam vendosur ende nëse do ta votojë Demarkacionin apo jo, për arsye se nuk kam dëshirë që vota ime të shkaktojë një realitet tjetër dhe të jetë një mollë sherri në mes dy shteteve dhe gjeneratave të ardhshme për një ngjarje aq relevante siç është kjo e jona. Unë ende nuk kam vendosur nëse do të votojë pro apo kundër këtij vendimi”, ka deklaruar deputeti Ramiz Kelmendi për “Bota sot”.

GDP ende pa qëndrim për Demarkacionin

Se a do të votojnë pro apo kundër marrëveshjes së Demarkacionit, nuk kanë vendosur as Grupi i Deputetëve të Pavarur, i udhëhequr nga Dardan Sejdiu.

Këtë e ka konfirmuar për gazetën “Bota sot”, deputeti Fisnik Ismaili.

Image
Fisnik Ismaili

Ai ka thënë se janë në takime dhe se do të deklarohen gjatë ditës së sotme(e martë) për qëndrimin e tyre, duke mos dhënë një orë të caktuar se kur do ta bëjnë publik.

“E merrni vesh kur të dalim me qëndrim. Ka kohë ende, për ta marrë qëndrimin. Edhe disa orë, nuk e di se sa”, ka deklaruar për gazetën “Bota sot”, deputeti Fisnik Ismaili.

Në anën tjetër, kundër kësaj marrëveshje janë shprehur Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe.

Lidhur me marrëveshjen e Demarkacionit, gjatë ditës së djeshme janë takuar Presidenti i vendit Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj.

Kjo është konfirmuar nga Zyra e Kryeministrit, duke thënë se biseduar për të gjitha temat që e preokupojnë lidershipin e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat