Qytetarët i bëjnë thirrje deputetëve: Miratojeni demarkacionin

Politika

Qytetarët i bëjnë thirrje deputetëve: Miratojeni demarkacionin

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 20 mars 2018 Në ora: 13:18
Ilustrim

Miratimi i Marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi, i hap rrugë liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës që nuk kanë të drejtë për të udhëtuar lirshëm drejt shteteve të Bashkimit Evropian.

Kështu thonë qytetarët në një anketë të zhvilluar nga “Bota sot”, të martën, ditën që është thirrur për herë të katërt seanca e jashtëzakonshme për miratimin e Demarkacionit.

“Ishalla e votojnë sot demarkacionin, e na i dhanë vizat se veç na të Kosovës nuk po kemi të drejtë me shku në Gjermani pa viza”, thotë për “Bota sot”, anketuesi M.H, i cili nuk dëshiron t'i publikohet emri dhe mbiemri i plotë.

“Unë personalisht vuaj prej sëmundjes së veshkave dhe diabetit. Kështu që kam nevojë për të shkuar në Gjermani te vajza e ime për të bërë disa kontrolle mjekësore se atje e kanë mjekësinë shumë të zhvilluar”, thotë më tej ai.

Kurse, anketuesi tjetër B.H thotë se kjo marrëveshje duhet të miratohet sa më parë.

“Deputetët duhet t’i thërrasin arsyes e të votojnë sot këtë marrëveshje se është vonuar shumë, pavarësisht se opinioni publik ende ka dilema për korrektësinë e kësaj marrëveshje”, thotë ai për “Bota sot”.

Sipas tij, konfuziteti i kësaj marrëveshje se a është e dëmshme apo jo, vjen si pasojë e deklaratave të kundërta të dy komisioneve për caktimin e kufirit.

“Nëse e dëgjon Murat Mehën, ai thotë se Kosova nuk e humb asnjë centimetër territor. Kurse, Shpejtim Bulliqi po e thotë të kundërtën. Por, sido që të jetë deputetët duhet të votojnë sot këtë marrëveshje e të ecim si përpara si shtet”, tha ai.

Ai thotë se miratimi i demarkacionit i jep mundësinë Kosovës për liberalizimin e vizave.

“Zyrtarët e Bashkimit Evropian çdo ditë po na thonë se nëse miratohet kjo marrëveshje, Kosovës i hapet rruga për liberalizimin e vizave”.

“Liberalizimi i vizave nuk na jep të drejtë për të punuar në shtetet e BE-së, por janë disa lehtësime të tjera. Unë këtë vit diplomojë në universitetin e Prishtinës dhe mendoj se heqja e vizave do të më ndihmonte për të bërë një master në njërën nga shtetet e BE-së. B.H”, shtoi ai.

Edhe një qytetarë tjetër, i cili deshi të jetë anonim tha për "Bota sot" se deputetët duhet të votojnë demarkacionin në seancën e sotshme.

“Unë punojë në Kosovë e nuk kam nevojë për punë në perëndim, por miratimi i demarkacionit ndihmon në liberalizimin e vizave.  Për këtë i bëjë thirrje deputetëve që sot përfundimisht të votojnë demarkacionin e t’i marrim vizat”, shtoi ai.

Ndryshe, sot është thirrur seanca e katërt e jashtë zakonshme për miratimin e demarkacionit, pasi që Qeveria nuk arriti të sigurojë 81 vota për miratimin e kësaj marrëveshje.

Por, deputeti i LDK-së, Ramiz Kelmendi ka paralajmëruar se nuk do të votojë pro saj, me arsyetimin se dikush ka kërcënuar familjarët e tij lidhur me këtë çështje.

Kundër demarkacionit është Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe.

Qeveria nuk ka treguar se a i ka votat për seancën e sotshme, por zyrtari i zyrës së kryeministrisë, Halil Matoshi përmes një komenti në Facebook, i ka bërë thirrje të gjithë deputetëve për të votuar pro kësaj marrëveshje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat