Zëvendësministri i kundërpërgjigjet Ivica Daçiqit, flet për luftë në Ballkan

Politika

Zëvendësministri i kundërpërgjigjet Ivica Daçiqit, flet për luftë në Ballkan

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 9 prill 2018 Në ora: 15:55
Ivica Daçiq

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme Isa Xhemajlaj, i është kundërpërgjigjur ministrit të jashtëm serb Ivica Daçiq, i cili ka thënë se nëse do të bisedohej pa mentor, Prishtina do të pranonte marrëveshjen e ndarjes së Kosovës.

“Nëse do të bisedonim hapur për ndarjen e Kosovës pa mentorë, Prishtina do t’i tejkalonte të gjitha interesat e veta dhe do ta pranonte këtë marrëveshje”, ka thënë Daçiq dy ditë më parë për mediat serbe.

E sipas zëvendësministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhemajlaj, ideja e Serbisë, është ndarja e Kosovës, që vie nga njerëz me përvojë në politikbërjen e Serbisë.

Image
Isa Xhemajlaj

“Që nga fillimi i bisedimeve, qeveria e Serbisë ka formuar forume të ndryshme me akademikë dhe njerëz që njohin rrethanat të politikës në Ballkan dhe me gjerë, ku kanë dhënë ide dhe solucione të ndryshme për zgjidhjen e çështjes me Kosovën. Ndër këto solucione ka qenë edhe ideja për ndarjen e Kosovës si variant i mundshëm për Serbinë. Pra, Beogradi për dallim nga Prishtina, gjithherë ka variante rezervë të analizuara mirë nga njerëz me përvojë në politikëbërjen e Serbisë”, është shprehur Xhemajlaj.

Ai ka thënë më tej se Kosova nuk ka strategji të qartë për zhvillimin e bisedimeve, derisa Beogradi mban nën presion vendin tonë me variantin "Sulmi mbrojtja më e mirë". Në këtë kontekst, zëvendësministri i MPB-së, ka thënë se është bërë edhe deklarata e Ivica Daçiqit.

“Edhe deklaratat e Daçiqit mbështetën mbi këto ide. Përderisa Prishtina ende nuk ka një strategji të qartë për zhvillimin e bisedimeve, Beogradi lanson teza të ndryshme që ta mbajë nën presion Prishtinën me variantin "Sulmi mbrojtja më e mirë". Pra kjo deklaratë bëhet më shumë për konsum politik”, ka pohuar ai.

Xhemajlaj në prononcimin për “Bota sot”, ka folur edhe për ndryshimin e kufijve në Ballkan, duke thënë se ndryshimi do të thotë një luftë e re.

“Ndryshimi i kufijve në do të thotë një luftë tjetër në Ballkan. Për këtë arsye, BE-ja dhe SHBA-ja e kundërshtojnë këtë ide. Sepse tani do të kishin interferenca edhe shtetet tjera jashtë Ballkanit me qëllim të shtrirjes së ndikimit të tyre në Ballkan. E kjo nuk i konvenon BE-së dhe SHBA-së”, ka shtuar Isa Xhemajlaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat