Profesori ndërkombëtar tregon rrezikun për Kosovën nga Asociacioni: Gozhda e Nastradinit

Politika

Profesori ndërkombëtar tregon rrezikun për Kosovën nga Asociacioni: Gozhda e Nastradinit

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 9 prill 2018 Në ora: 20:53
Mitrovicë

Ditë më parë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi kanë riaktivizuar ekipin menaxherial, i cili do të bëjë draftimin e statutit për Asociacionin e Komunave Serbe.

Draftimi i statutit do të jetë një proces transparent dhe gjithëpërfshirës, i cili do të përbehet nga 3 mekanizma punues: Ekipi menaxhues, Komiteti zbatues si dhe Grupi nacional konsultativ, të cilët do të garantojnë përfshirje të gjithë spektrit politik, shoqërisë civile dhe mekanizmave të tjerë relevant të shoqërisë.

Formimi i Asociacionit është kundërshtuar nga Lëvizja vazhdimisht, duke thënë se me formimin e tij, bosnjëzohet Kosova.

E një rrezik të tillë nuk e ka përjashtuar as kryeministri i vendit, i cili ka thënë se duhet të kemi kujdes.

“Çdo gjë është rrezik. Duhet të kemi kujdes në hapa, çdoherë”, ka thënë Haradinaj.

Se a ekziston rreziku që Kosova të bosnjëzohet nga Asociacioni, për gazetën “Bota sot”, profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi thotë se nëse kompetencat e Asociacionit shtrihen në çështje kulturore, gjuhësore e ato të arsimit, duke u kushtuar vendimmarrja me kushtetutë dhe ligjet sipas parlamentit të Kosovës, atëherë nuk kërcënon të ketë bosnjëzim.

“Krijimi i Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë fillimisht ishte paraparë si një lidhje me kompetencat e një OJQ-je. Por më pas, kur u firmos marrëveshja kornizë e 19 prillit 2013, u pa se kushtet e vendosura ishin me karakter ekzekutiv, sepse ky asociacion do të duhej të vendoste veton për emërimin e drejtuesve në gjykatë, prokurori, polici etj në komunat serbe. Këto komuna formalisht do të njihnin autoritetin e institucioneve të Kosovës e praktikisht do kishin të drejtën për të vënë veton, çka do të thotë për të vendosur vetë edhe në fusha të tilla të sigurisë, siç janë policia, shërbimi sekret, prokuroria e gjykata. Nëse kompetencat e këtij asociacioni shtrihen vetëm në çështjet kulturore e gjuhësore, në ato të arsimit etj duke e kushtëzuar vendimmarrjen me kushtetutën dhe ligjet e parlamentit të Kosovës, ky asociacion nuk kërcënon të shndërrohet në një model boshnjak”, është shprehur ai.

Mirëpo, Bytyçi tregon mundësinë se si mund të ketë bosnjëzim nga asociacioni.

Image
Porf. Asoc. Dr. Enver Bytyçi

“Por kur kompetencat e tij shtrihen edhe në fushën e sigurisë, në maskën ti propozo, unë miratoj, atëherë kreu i asociacionit do të shndërrohet në një Dodik boshnjak për Kosovën. Kësaj i thonë si “Gozhda e Nastradinit”. Dihet historia e kësaj gozhde. Nastradini e shiti shtëpinë por i tha blerësit se këtë gozhdën këtu në dhomën e gjumit nuk mund ta shes. Pa ia vënë veshin, blerësi, një bashkëfshatar i Nastradinit, tha mirë mbaje ti gozhdën, se nuk më prish punë. Por kur blerësi u rehatua në shtëpinë e blerë vinte kohë pa kohë Nastradini dhe e varte xhaketën te gozhda e tij. Edhe kur blerësi ishte në gjumë, ai i thërriste të hapte derën se donte të varte xhaketën. Blerësi u mërzit dhe ia ktheu falas shtëpinë Nastradinit. Kështu po ngjet me veriun e Kosovës. Ajo marrëveshja që firmosi Thaçi në prill 2013 e më 2015-ën kishte të varur gozhdën e Nastradinit. Nastradini në këtë rast është Beogradi, fshatari blerës i paditur është Hashim Thaçi. Thaçi në atë marrëveshje ka lënë rast për ushtrim kompetencash ekzekutive, qoftë dhe në formën e lojës ping-pong: Propozo ti, të miratoj unë”, ka deklaruar profesori Bytyçi për “Bota sot”.

Më tutje, ai thotë se e gjithë kjo i jep pavarësi serbëve brenda Kosovës dhe që serbët fillimisht do ta shfrytëzojnë pa konflikt asociacionin.

“Kjo e bën të rrezikshme asociacionin. E shndërron në një organ ekzekutiv e më pas edhe legjislativ. I jep të drejtën deri te proklamimi i pavarësisë së territorit të banuar me serbë. Kjo do të thoshte luftë midis shqiptarëve dhe serbëve. Natyrisht këtë gozhdë Nastradini serbët do ta shfrytëzojnë pa konflikte të ashpra fillimisht. Por më vonë do të gjejnë klauzola juridike të marrëveshjes për të kërkuar shkëputje nga sovraniteti i shtetit të Kosovës. Ky është minimum që kërkojnë serbët në kushtet aktuale. Por ky minimum përmban shanset që të shndërrohet në maksimumin e pritshmërive të Beogradit”, ka vlerësuar ai.

Bytyçi thotë se Thaçit duhet t’i tërihqet vërejtja që të mos luajë ‘patriotin’ dhe ‘të fortin’, sepse ai po luan më fatin e Kosovës.

“Presidenti Thaçi nuk ka qenë i vëmendshëm për këtë. Më vjen mirë nëse kryeministri Haradinaj sheh djallin në detaje. Do të ishte kjo gjysma e të keqes. Por Thaçit i duhet tërheq vëmendja se po luan “patriotin” e “të fortin” në një kohë të favorshme për Serbinë. E bën këtë për të promovuar veten në këto kohë kur prestigji i tij është lëkundur, apo e bën me qëllim që të mbahet pas ndonjë premtimi që mund t’i ketë dhënë Vuçiçit, kjo është diçka tjetër. Por kësisoj presidenti Thaçi po luan me fatin e Kosovës në përpjekje për të garantuar fatin e tij politik. Kjo është e pandershme! Është dhe antikombëtare”, ka përfunduar profesori Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat