LDK nis rrugën për rrëzimin e Haradinajt, por Vetëvendosje...

Politika

LDK nis rrugën për rrëzimin e Haradinajt, por Vetëvendosje...

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 10 prill 2018 Në ora: 15:03
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

“Më e mira do ishte vet shkarkimi dhe bashkëbisedimi më të gjithë akterët politik rreth gjetjes së një date të përshtatshme të zgjedhjeve, por si duket në bazë të deklaratave të tyre po vazhdojnë të flasin për një qeverisje pa numra, pa deputet, por, gjithsesi, kjo qeverisje është e dëmshme dhe nuk do të shkojë gjatë dhe kjo do të rrezohet me një mocion”, përfundoi deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli, për gazetën “Bota sot”.

Gjendja e krijuar në vend ka bërë që Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me çdo kusht të kërkojë që të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Partia më e madhe në vend konsideron se vendi ka nevojë për një qeveri të re me emra të rinj, andaj edhe janë me shpresën se secili deputetë do ta përkrah si masë e fundit mocionin për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

Derisa, ky subjekt këto ditë ka paralajmëruar se do të organizojë edhe një tryezë, ku do të jenë të ftuar të gjitha partitë parlamentare për të caktuar një datë të mundshme të zgjedhjeve.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës përveç se deklarojnë se janë të gatshëm për të shkuar në zgjedhje, gjithashtu besojnë se do ta kenë edhe mbështetjen e partive tjera opozitare. Karshi këtij propozimi, nga Lëvizja Vetëvendosje janë shprehur të rezervuar.

Ndërsa, ndryshe mendojnë nga koalicioni qeverisës, sipas tyre, këtë vit nuk do të ketë zgjedhje në Republikën e Kosovës.

Image
Driton Selmanaj

Flet Driton Selmanaj

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, në një prononcim për “Bota sot” tha se janë në negociata me disa prej partive tjera dhe se gjatë kësaj jave do të vendosin se kur do të fillojnë shfrytëzimin e instrumentit të kontrollit mbi qeverinë.

“Ne i kemi bërë ftesë publike partive politike që të ulemi për ta përcaktuar datën e zgjedhjeve, që ai proces të jetë i përfunduar dhe i koordinuar siç duhet. Tani jemi në negociata, disa prej partive nuk kanë shprehur gatishmëri, por, megjithatë, ne gjatë kësaj jave do të vendosim saktë se kur do të fillojmë shfrytëzimin e instrumentit të kontrollit mbi qeverinë, e që i bije se ne do të fillojmë mocion mosbesimin ndaj qeverisë dhe do ta shohim se kush në fakt prej partive politike është e gatshme që ato deklarata publike t’i materializojnë në veprime konkrete”, është shprehur Selmanaj.

Ai thotë se këtë mundësi do t’ia ofrojnë të gjitha subjekteve tjera politike, përfshirë këtu edhe partisë së Ramush Haradinajt.

“Nuk e dimë tash se kush mund të jetë nënshkruese. Ne do t’ia ofrojmë mundësinë të gjitha subjekteve politike, përfshirë këtu edhe partisë së Ramush Haradinajt, sepse ai në një deklaratë ka thënë se nëse LDK-ja e ka vërtetë unë do t’ia sigurojë edhe votat e partisë sime. Por, definitivisht, gjatë kësaj jave Lidhja Demokratike e Kosovës do të vendosë se në cilën ditë do të fillojë edhe mbledhjen e nënshkrimeve për mocion mosbesimin ndaj qeverisë”, përfundoi deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, për “Bota sot”.

Image
Haxhi Avdyli

“LDK e gatshme për zgjedhje”

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, tha se është e çuditshme si po qeveriset me vendin, kur dihet se qeveria aktuale ka humbur shumicën parlamentare.

Avdyli mendon se kjo është vetëm një etje për pushtet, sepse, ndryshe do të duhej vetvetiu të dorëhiqeshin.

“Kjo qeverisje tani më është një qeveri e çuditshme, e pakuptimtë, faktikisht është qeveri e pamundshme për të qeverisur me vendin në një republikë parlamentare siç është Kosova, përmes humbjes së shumicës parlamentare po vazhdon të qeverisë. Kjo tregon atë etjen e tyre të madhe për pushtet sepse kjo qeveri dhe ky koalicion vetvetiu do të duhej që të dorëhiqeshin sepse është krijuar nga një shumicë pikërisht parlamentare, e tani ka rënë kjo shumicë dhe mendojë në një mënyrë se kjo tregon shumë për këtë koalicion, tregon shumë për këtë qeveri që është qeveri që interesin gruporë e klanorë e kanë mbi çdo interes të vendit e mbi interesa tjera”, u shpreh Avdyli.

Ai thotë se deputetët të cilët për interesa personale dëshirojnë t’i vazhdojnë mandatin kësaj qeveria, sipas Avdylit, këta nuk ia dëshirojnë të mirën vendit.

Tutje,  deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës thotë se subjekti i tyre është gati për zgjedhjet e parakohshme.

 “Prandaj, ne si Lidhje Demokratike e Kosovës jemi të gatshëm për zgjedhje. Besoj fortë se edhe partitë tjera opozitare, të cilat kanë luajtur një rol opozitar do të jenë të gatshme për zgjedhje dhe numrat janë që të bie kjo qeveri. Ndërsa, ata të cilët mendojnë se për hir të interesave personale të një deputeti t’i vazhdohet agonia Kosovës, ata nuk ia donë të mirën Kosovës. Vendi ka nevojë për një qeverisje të re, me njerëz të ri dhe largimin e kësaj qeverisje të keqe të Kosovës. Në këtë drejtim, besoj se secili deputet do ta merr vendimin e duhur që ta përkrahë edhe mocionin e shkarkimit si masë e fundit”, tha ai.

Sipas Avdylit, më mirë do të ishte vet shkarkimi i kësaj qeverie. Në fund, deputeti i LDK-së deklaron se Qeveria Haradinaj nuk do të jetë jetëgjate, pasi që, ai thotë se së shpejti do të shkarkohet me një mocion.

“Më e mira do ishte vet shkarkimi dhe bashkëbisedimi më të gjithë akterët politik rreth gjetjes së një date të përshtatshme të zgjedhjeve, por si duket në bazë të deklaratave të tyre po vazhdojnë të flasin për një qeverisje pa numra, pa deputet, por, gjithsesi, kjo qeverisje është e dëmshme dhe nuk do të shkojë gjatë dhe kjo do të rrezohet me një mocion”, përfundoi deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli, për gazetën “Bota sot”.

Image
Ali Lajqi

“Vetëvendosje e rezervuar”

Ndërsa, në një linjë me Haxhi Avdylin nuk qëndron edhe Ali Lajqi nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas tij, LDK-ja është duke bërë eksperimente dhe po mendon ta kthejë pushtetin e humbur vitin e kaluar.

Deputeti Lajqi thotë se rrëzimi i qeverisë Haradinaj do të ndodh kur mocionin do ta shtrojë subjekti i tyre.

“Qeveria Haradinaj ka pësuar shumë në menaxhim dhe në vendime mjaftë të pavenda dhe të paefektshme, me një fjali një menaxhim i dobët. Por, LDK-ja është duke bërë eksperimente dhe po mendon ta kthejë pushtetin e vet kur ka rënë prej menaxhimit, ku edhe është provuar dhe ka rezultuar se nuk di të menaxhojë me vendin mirë. Andaj, Lidhja Demokratike e Kosovës është duke i bërë disa lojëra  dhe nuk e dimë se kur është serioze dhe joserioze. Por, atëherë kur ne do ta shtrojmë mocionin për rrëzimin e qeverisë Haradinaj, atëherë do të ndodh, dhe jo kur dëshiron LDK-ja për shkak se e ka votuar Demarkacionin në kohën kur do të duhej të rrëzohej qeveria”, tha Lajqi.

Ai thotë se Lëvizja Vetëvendosje do të jetë e rezervuar rreth propozimit të LDK-së. Ndërsa, i pyetur se a do jenë deçizive ditët në vazhdim për Qeverinë Hardinaj, Lajqi tha se kjo qeveri tashmë de-fakto ka rënë.

“Kësaj here, në këtë kohë, ndoshta do të jete e rezervuar, shikojmë si do të shkojë, por, më shumë për jo. Ndërsa, Qeverisa Haradinaj de-fakto ka rënë, derisa juridikisht ende jo”, përfundoi ish-kryetari i Pejës, Ali Lajqi, tani deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e VV-së për gazetën Bota sot”.

Ndërsa, sot Kryetari  i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se ata janë për zgjedhje të parakohshme parlamentare sa më parë dhe për mocion për rrëzimin e qeverisë.

Kurti përmes një statusi në Facebook, ka shkruar se tashmë qe dy javë Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur qëndrimin e saj se kjo qeveri, ka rënë moralisht dhe ajo duhet të bie edhe me numra.

“U bënë katër javë prej se Lëvizja VETËVENDOSJE! (LV) ka shprehur qëndrimin e saj se kjo qeveri ka rënë moralisht dhe ajo duhet të bie edhe me numra. Nenad Rikallo e Milan Radojçiq, shtimi enorm i posteve qeveritare dhe rritja e pagave vetvetes, diskreditimi i arsimit tonë nga BE-ja dhe rritja e papunësisë, Contour Global dhe 'Demarkacioni', e deri te dëbimi tinëz, në shkelje të ligjit e të drejtave të njeriut i 6 shtetasve turq, përgjegjësinë për të cilin nuk po e merr asnjë institucion i Kosovës, janë vetëm disa prej arsyeve pse kjo qeveri e shtrenjtë duhet të largohet. Interpelancat për temat e ndryshme dhe Komisionet Hetimore Parlamentare që kemi inicuar janë dëshmi e opozitarizmit tonë dhe dëmeve të kësaj qeverie që duhet të shkojë. LV është për zgjedhje të parakohshme parlamentare sa më parë dhe për mocion për rrëzimin e qeverisë”, thuhet në postimin e Kurtit.

Image
Hajdar Beqa

“Vendi dhe qytetarët nuk kanë komoditet që të shkojnë në zgjedhje”

Por ndryshe mendon deputeti i nga koalicioni qeverisës, Hajdar Beqa, i cili në një prononcim për “Bota sot” tha se PDK-ja e ka dhënë qëndrimin e vet përmes liderit të saj.  Ai mendon se vendi dhe qytetarët nuk kanë komoditet që të shkojnë në zgjedhje çdo gjashtë muaj.

“Partia Demokratike e Kosovës e ka dhënë qëndrimin e vet përmes liderit të saj. Konsiderojë se as vendi dhe as qytetarët nuk kanë komoditet që të shkojnë në zgjedhje çdo gjashtë muaj. Në vitin e kaluar kemi pasur dy palë zgjedhje dhe mendoj se nuk është momenti i duhur për të shkuar në zgjedhje, aq më shumë kur një gjë e tillë është kërkuar edhe nga presidenti i Serbisë dhe Lista Serbe. Mendoj se qeveria është duke i kryer punët e veta, është një situatë ndoshta jo për t’i marr lakmi, derisa ne as opozita nuk i kemi numrat e mjaftueshëm për me marr vendime”, tha ai.

Madje ai thotë se nuk e sheh si kërkesë serioze propozimin e Lidhjes Demokratike e Kosovës. Beqa në fund thekson se këtë vit nuk do të ketë zgjedhje në Republikën e Kosovës.

“Unë nuk e shoh si kërkesë shumë serioze nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Nuk kemi pasur kërkesë vetëm nga LDK-ja, por edhe nga Lista Serbe, megjithatë mendoj se secila parti e madhe siç është Partia Demokratike e Kosovës nuk i duhet kohë e madhe të përgatitet për zgjedhje. Edhe pse në jemi në një proces të brendshëm zgjedhor ne përsëri jemi të gatshëm për të shkuar në zgjedhje dhe jemi optimistë se do të dalim të parët, po unë konsiderojë dhe mendoj shumë sinqerisht se këtë vit nuk do të ketë zgjedhje në Republikën e Kosovës”, përfundoi deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat