Si e çuan PDK dhe Hashim Thaçi, AKI-në drejt dështimit

Politika

Si e çuan PDK dhe Hashim Thaçi, AKI-në drejt dështimit

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 10 prill 2018 Në ora: 18:17
Ish drejtorët e AKI-së: Bashkim Smakaj, Agron Selimaj dhe Driton Gashi

Njohësit e çështjeve të sigurisë dështimet me drejtorët e AKI-së duhet t’i atribuohen edhe ndërhyrjeve politike. Ndërsa, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje shprehet se një shtet serioz do t’i kursente lëvizjet e kuadrit drejtues në agjencitë shtetërore të sigurisë sepse lëvizjet e tilla janë shumë të dëmshme.

Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) e cila është agjenci për siguri dhe inteligjencë, assesi nuk po mund të bëhet rehat me drejtorët e saj. Kjo për shkak se në tri vitet e fundit kjo Agjenci e rëndësishme për shtetin e Kosovës, ka ndërruar hiç më pak se tre drejtorë.

Historia fillon pikërisht në janar të vitit 2015, kur ish-shefi i AKI-së, Bashkim Smakaj, kishte dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, pas disa viteve të qëndrimit në krye të saj. Pas kësaj dorëheqje, ish-presidentja Atifete Jahjaga dhe ish-kryeministri Isa Mustafa kishin emëruar Agron Selimajn në krye të AKI-së. Fati i njëjtë sikurse i Smakajt po e ndiqte edhe Selimajn, pasi as ky i fundit nuk mund ta dërgonte mandatin deri në fund dhe kërkoi lirim nga detyra e shefit të AKI-së.

E, në një linjë sikurse paraardhësit e tij, Smakaj e Selimaj, po del të jetë edhe Driton Gashi, pasi edhe ky u shkarkua nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas skandalit të arrestimit dhe deportimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi.

Njohësit e çështjeve të sigurisë dështimet me drejtorët e AKI-së duhet t’i atribuohen edhe ndërhyrjeve politike. Ndërsa, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje shprehet se një shtet serioz do t’i kursente lëvizjet e kuadrit drejtues në agjencitë shtetërore të sigurisë sepse lëvizjet e tilla janë shumë të dëmshme.

Image
Drita Millaku

“Lëvizjet e tilla janë shumë të dëmshme për vendin”

Anëtarja e Komisionit për Punë të Brendshme, nga Lëvizja Vetëvendosje, Drita Millaku, në një prononcim për gazetën “Bota sot” thotë se kjo është një përzierje e politikes në agjencitë e specializuara.

“Po pikërisht kjo është përzierja e politikës në agjencitë e specializuara dhe kjo përzierje sjellë ndërrimin e shpeshtë të drejtuesve e cila determinon pastaj pasigurinë”, tha Millaku.

Sipas deputetes së VV-së, një shtet serioz do t’i kursente lëvizjet e kuadrit drejtues në agjencitë shtetërore.

“Një shtet serioz do t’i kursente lëvizjet e kuadrit drejtues në agjencitë shtetërore të sigurisë sepse lëvizjet e tilla janë shumë të dëmshme. Sidoqoftë më e mira do të ishte që shefi i AKI-së të jetë person profesional me të kaluar të pastër dhe apolitik, kjo do të kontribuonte në stabilitetin e shtetit dhe në sigurinë kombëtare”, ka përfunduar deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, për gazetën “Bota sot”.

Image
Fadil Kajtazi

“Dështimet me drejtorët duhet t’i atribuohen ndërhyrjeve politike”

Fadil Kajtazi, njohës i shërbimeve sekrete dhe çështjeve të sigurisë për gazetën “Bota sot” tha se vet fakti se në një afat të shkurtër kohor më shumë se tre vite janë shkarkuar tre drejtorë, sipas tij, flet se brenda këtij institucioni prej të cilit varet funksionimi i shtetit, diçka nuk është duke shkuar mirë.

“Është evidente se që nga fillimi i formimit të këtij agjensioni ka pasur probleme të cilat për shkak të natyrës së punës që ka ky institucion ato edhe janë kaluar heshturazi, por që gjithashtu për shkak të natyrës së punës që ka ky institucion janë serioze dhe sistemi i mbikëqyrjes dhe kontrollit është dashur të merret seriozisht me këtë. Vet fakti se në një afat të shkurtër kohor më shumë se tre vite janë shkarkuar tre drejtorë, flet se brenda këtij institucioni prej të cilit varet funksionimi i shtetit, diçka nuk është duke shkuar mirë. Që në fillimet e punës së AKI-së, kemi një skandal serioz, atë të regrutimit të stafit dhe zyrtarëve nga persona jo kompetentë si për nga përgatitja profesionale ashtu edhe për nga e kaluara e tyre. Në punën e shërbimeve inteligjente, kjo është çështja kryesore, regrutimi paraqet sfidë për çdo shërbim, pasi aty së pari kërkohet që stafi t’i përshtatet natyrës së punës që ka shërbimi, që do të thotë se duhet të jetë inteligjent dhe që organizata të ruhet që në kuadër të saj mos të infiltrohet persona të shërbimeve tjera, sidomos atyre armiqësore”, u shpreh Kajtazi.

Kajtazi thotë se kjo që po ndodh me drejtorët, le të kuptoj se brenda shërbimit ka sabotazh. Sipas njohësit të çështjeve të sigurisë dështimet me drejtorët duhet t’i atribuohen edhe ndërhyrjeve politike.

“Nga ajo që u raportua në media dhe në rrugë gjysmë zyrtare, kapacitetet e atyre që rekrutuan këtë staf lenin shumë për të dëshiruar dhe këto kapacitete nuk kanë garantuar se stafi i përzgjedhur ka atributin e të qenit inteligjent dhe mundësia e deportimit të personave me të kaluar të dyshimtë, apo pjesë e ndonjë shërbimi tjetër të jetë infiltruar brenda AKI-së. Kjo që po ndodh me drejtorët, le të kuptoj se brenda shërbimit ka sabotazh. Në anën tjetër, dështimet me drejtorët duhet t’i atribuohen edhe ndërhyrjeve politike, kryesisht të PDK-së dhe liderit të saj Hashim Thaçit. Që të tre drejtorët kanë qenë preferenca të tija personale dhe si duket ai nuk ja ka qëlluar sepse shihet një diskrepancë në mes të ambicieve të kryetarit të shtetit për ta përdorur shërbimin për çështje personale dhe kapaciteteve të limituara të drejtorëve për t’i përmbushur këto ambicie. Sido që të jetë, ne jemi duke parë eksperimentim me njërin nga institucionet vitale të shtetit nga i cili mund të derivojnë probleme serioze për sigurinë nacionale”, tha ai.

Në fund Kajtazi, shprehet se rasti me shtetasit turq është një dëshmi se sa mund ta denigrojë situatën një veprim i pa matur dhe jokompetent. Për Kajtazin, ekstradimi i shtetasve turq në këtë formë është rrezikim i sigurisë nacionale, nga se ky veprim arbitrar ka ekuilibruar raportet me aleatët perëndimorë.

“Rasti i fundit me shtetasit turq është një dëshmi se sa mund ta denigrojë situatën një veprim i pa matur dhe jokompetent. Deklarata e kryetarit të shtetit se, "AKI ka raportuar se shtetasit turq paraqesin rrezik për sigurinë nacionale" mendoj se është e kundërta; ekstradimi i shtetasve turq në këtë formë është rrezikim i sigurisë nacionale, nga se ky veprim arbitrar ka ekuilibruar raportet me aleatët perëndimorë të cilët fondament të sistemeve të tyre shtetërore kanë lirin dhe të drejtat e njeriut”, përfundoi njohësi i çështjeve të sigurisë në vend, Fadil Kajtazi, për gazetën “Bota sot”.

Image
Avni Islami

“AKI është arritje e institucioneve të Kosovës”

Ndërsa, Avni Islami, Profesor Universitar i Shkencave të Sigurisë, është shprehur se Agjencia e Kosovës për Inteligjencë është arritje e institucioneve të Kosovës.

Sipas Islamit, drejtorit të parë i atribuohen disa suksese në konsolidimin e këtij institucioni.

“Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë e shoh si një arritje të institucioneve të Kosovës duke pasur parasysh se është një agjenci e re pa përvojën e duhur, qoftë në menaxhim, qoftë në Resurse njerëzore. Sido që të jetë, AKI-ja ka kryer punë të mëdha dhe të rëndësishme të cilat janë vlen të përmendën. Drejtori i parë, sipas mediave dhe raportimeve po flas, e kanë përcjellur disa probleme dhe është dashur të largohet. Edhe Bashkim Smakajat i atribuohen disa suksese në konsolidimin e këtij institucioni, i cili ka bërë punë të mira pasi që ishte i pari, i cili e fillojë punën në këtë institucion”, tha Islami.

Njohësi i çështjeve të sigurisë përmend dy raste kur ky institucion merr falënderime dhe mirënjohje për disa punë të jashtëzakonshme.

“Në kohën e drejtorit Agron Selimi, i cili e mbajti një mandat të plotë, e të dytin e la në gjysmë, ku gjatë tërë mandatit të tij janë kryer punë jashtëzakonisht të mira në konsolidimin e AKI-së. Ja vlen të përmendën kur kjo organizatë merr edhe falënderime nga shteti Izraelit dhe nga Mali i Zi. Të parët e falënderuan për parandalimin e sulmit terroristë në stadiumin e Shkodrës dhe rastin e dytë merr falënderime dhe mirënjohje nga qeveria malazeze ku falë AKI-së kanë arritur që të ndalojnë grusht shtet në Mal të Zi. Edhe drejtori i fundit ka punuar, por për shkak të implikimeve politike të cilat e kanë përcjellur vazhdimisht së fundit edhe u shkarkua”, u shpreh Islami.

Ai thotë se AKI-ja ka kryer punë të mira, mirëpo, sipas Islamit, për shkak të përgjegjësisë së drejtorëve këtë institucion e përcjellën edhe disa probleme.

“Duhet ndarë drejtorët që kanë përgjegjësi, si dhe organizatën. Organizata ka kryer punë mirë, mirëpo për shkak të përgjegjësisë së drejtorëve e përcjellën edhe disa probleme dhe skandaleve tek të tre drejtorët. Ky i fundit sipas deklaratave të kryeministrit dhe kryeparlamentarit, të cilët u shprehen se nuk kanë qenë në dijeni për rrëmbimin e gjashtë shtetasve turq, për të cilët janë shkelur ligjet e Kosovës”, tha Islami.

Krejt në fund, profesori i Shkencave të Sigurisë, Avni Islami  për “Bota sot” potencon se deklarata e zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli, i cili tha se urdhrin për depërtimin e gylenistëve e ka dhënë drejtori i AKI-së është skandaloze, për shkak se ose kanë dashur ta sakrifikojnë Driton Gashin ose është aq i paditur, i cili nuk i ka njohuri për kompetencat e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Ndërkohë, kujtojmë se drejtori i AKI-së emërohet nga presidenti dhe kryeministri së bashku, me mandat pesëvjeçar, me mundësi riemërimi edhe për një mandat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat