Mocioni për rrëzimin e Qeverisë, Kelmendi tregon pse nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme

Politika

Mocioni për rrëzimin e Qeverisë, Kelmendi tregon pse nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 11 prill 2018 Në ora: 21:09
Qeveria e Kosovës

Qeveria është kundërshtuar vazhdimisht nga opozita. E kjo e fundit së fundmi po kërkon zgjedhje të parakohshme, pasi sipas tyre Qeveria nuk i ka më numrat për asnjë vendim, derisa Lista Serbe ka lënë tri poste ministrore dhe ka dalë në opozitë. Madje opozita ka thënë se do të iniciojë mocion për rrëzimin e Qeverisë.

E nga ana tjetër partitë e koalicionit qeverisës thonë se nuk i frikësohen një mocioni eventual të opozitës për rrëzimin e Qeverisë, pasi sipas tyre, Qeveria aktuale është stabile dhe nuk mund të ketë zgjedhje të reja.

Për mundësinë e rrëzimit të Qeverisë dhe mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, për gazetën “Bota sot”, ka folur profesori Jeton Kelmendi.

Ai vlerëson se Qeveria edhe pse për një kohë të shkurtër, e ka dëmtuar vendin në shkallë serioze, duke i sjellë të këqija.

Image
Jeton Kelmendi

“Mendoj se kjo qeveri edhe pse kaq shkurt, për kaq pak muaj, vërtetë e ka dëmtuar Kosovën në shkallë kogja serioze. Madje, përveç në aspektin ekonomiko-financiar, edhe burokracia, mbingarkesat, huqjes ndërkombëtare po ashtu ka vazhduar t’ia ndie atë imazhin e zi që ia lanë edhe më herët Hashim Thaçi, për të vazhduar edhe pak me Isa Mustafën, pra ka humbur tokë”, është shprehur Kelmendi.

Profesori mendon se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, por ai thotë se kjo nuk do të ndodhë, megjithatë qeverisë duhet t’i kërkohet votëbesimi dhe duhet përshëndetur iniciativën për mocion.

“Unë jam skeptik se do të ketë zgjedhje pa e bërë edhe Asociacionin, sepse disa të ashtuquajtur nacionalistë bëjnë kompromiset më të dhimbshme. Pra unë mendoj që duhet të shkohet në zgjedhje, duhet t’i lypet votëbesimi kësaj qeverie shumë të plogësht, shumë të dobët për vendin, por nuk besoj që do të ketë zgjedhje, së paku në muajt në vijim, për faktin se disa prej deputetëve të pavarur janë një marionetë e subjekteve të caktuara parapolitike, që kontrollohen nga qeveria, nga shumica parlamentare dhe janë në rrugë të humbur, kështu që nuk besoj që do të ketë zgjedhje, megjithatë iniciativa nuk ka asgjë të keqe, madje duhet përshëndetur kjo iniciativë”, ka deklaruar për “Bota sot” Jeton Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat