Pas Azem Sylës, EULEX dorëzon edhe rastin e vrasjes së policëve të UNMIK-ut

Politika

Pas Azem Sylës, EULEX dorëzon edhe rastin e vrasjes së policëve të UNMIK-ut

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 12 prill 2018 Në ora: 14:02
Azem Syla dhe EULEX

Misioni për sundimin e ligjit EULEX dalëngadalë po i kalon shumë procese të drejtësisë në ‘dorën’ e organeve të drejtësisë. Rastin “Toka”, në të cilin si i akuzuar kryesor ishte Azem Syla, kaloi nga EULEX-i në organet e drejtësisë në Kosovë.

Tash pritet që edhe rasti i vrasjes së dy policëve të UNMIK-ut në vitin 2004, të kalojë nga EULEX-i tek organet e drejtësisë.

Image
Donika Berisha Rizaj

Këtë e ka konfirmuar për “Bota sot” edhe zëdhënësja e EULEX-it, Donika Berisha Rizaj. Ajo ka thënë se ky rast pritet të transferohet nga EULEX-i.

“Ky rast është në përgatitje e sipër për të u transferuar nga EULEX-it tek Prokuroria Speciale e Kosovës”, thotë zëdhënësja e EULEX-it.

Të akuzuar në këtë proces gjyqësor janë Bedri Krasniqi, Alban Dizdari, Bajram Kiçmari e Faik Shaqiri.

Më 23 mars 2004 gjatë trazirave të atëhershme ishin vrarë dy zyrtarë të UNMIK-ut, ndërsa të akuzuarit përveç për vrasje të tyre ngarkohen edhe për vrasje në tentativë. Të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm më 12 tetor.

EULEX e përfundon misionin e tij në muajin qershor të këtij viti, andaj ka filluar gradualisht të bartë lëndët tek gjyqësori vendor.

Megjithatë, derisa drejtësia në Kosovë është ‘vonuar’ në shumë procese të tjera, andaj njohësi e çështjeve politike në vend, shprehen skeptik se ky rast dhe të tjerat mund të zgjidhen nga ky gjyqësor.

Image
Faton Mehmeti

Dështim total i EULEX-it

Kështu, analisti Faton Mehmeti thotë se deri më tani EULEX-i ka dështuar në shumë procese, ndërsa dorëzimi edhe për rastin e vrasjes së dy policëve të UNMIK-ut, është dështim total.

“Fatkeqësish EULEX-i ka rezultuar mision i dështuar në Kosovë, pasi s’ka arritur të kryej mision që i është ngarkuar. Nuk ka arritur që zbardh vrasjet dhe krimet për çka është ngarkuar. Për më tepër ky mision ka krijuar shumë skandale, çka nënkupton jo seriozitetin e këtij misioni. Ndërsa heqja dorë e rasteve të ndryshme duke përfshirë edhe rastin e dy policëve të vrarë, e konfirmon faktin se ky mision ka dështuar në total”, vlerëson ai.

Ai thotë poashtu se, drejtësia e Kosovës, gjithashtu e dështuar nuk ka shpresë që zgjidh ndonjërast, përveç atyre të ulëta.

“Andaj, drejtësia është sistemi më i korruptuar në vend dhe nga ku rrjedhin të gjithë të këqijat. Prandaj, nuk pres diçka pozitive nga e gjithë kjo situatë e dështimit të drejtësisë. Kosova ka dështuar në drejtësi, bashkë me të edhe misionet e huaja”, thekson Mehmeti.

Image
Skender Zogaj

Kosova të veprojë si shtet i lirë

Ndërkaq, analisti Skender Zogaj e sheh si një veprim të mirë heqjen dorë të EULEX-it nga shumë lëndë, pasi sipas tij, Kosova duhet të veprojë si shtet i lirë.

“Heqja dorë e EULEX-it nga shumë l?ndë është veprim jashtëzakonisht i mirë, sepse, po bëhen 20 vjet që Kosova është e lirë dhe nëse do që të ruaj lirinë dhe pavarësinë, duhet të kryej përgjegjësitë e veta shtetërore, sepse nëse nuk i realizon, atëhere duhet kërkuar zgjidhje të tjera alternative”, thekson Zogaj.

Ai thotë poashtu se kjo është një test për drejtësinë e Kosovës, ndërsa dyshon se do të funksionojë kjo metodë.

“Unë mendoj se me dorëzimin e lëndëve, EULEX-si po e teston drejtësinë kosovare, do që ti merr dhe realizoj përgjegjësite e veta kushtetuese, apo jo?  Ky është ofrim i shansit që drejtësia do të duhej ta shfrytëzonte dhe fuqizohej, duke i ikur kapjes! A do ta bëjë këtë, në kushtet dhe rrethanat aktuale politike e shtetërore, unë dyshoj se do të funksionoj sa e si duhet”, përfundon analisti Skender Zogaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat