Deputeti i PDK-së tregon se a duhet të dorëhiqen ministrat me aktakuza

Politika

Deputeti i PDK-së tregon se a duhet të dorëhiqen ministrat me aktakuza

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 15 prill 2018 Në ora: 19:51
Pamje nga një mbledhje e Qeverisë së Kosovës

Qeveritë që kanë udhëhequr në Kosovë, jo rrallë herë kanë pasur në përbërje njerëz që kishin probleme me ligjin, por njerëz të atillë patën dhënë dorëheqje.

Qeverisja aktuale në përbërje të saj, përmban deputetë e ministra që janë nën akuza, por deri më tani asnjëri nuk ka dhënë dorëheqje apo nuk është shkarkuar.

Deri më tani, tre ministra (Pal Lekaj, Besim Beqaj dhe Valdrin Lluka) dhe deputeti Zenun Pajaziti, janë pjesë përbërëse  e Qeverisë së Kosovës, që akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe korrupsion.

Kryeministri Ramush Haradinaj, nuk është deklaruar ende nëse do të japin dorëheqje, apo do të shkarkohen këta personat me akuza, mirëpo opozita kishte kritikuar duke akuzuar qeverinë se krimin e konsiderojnë si të zakonshëm.

Aktakuzat për politikanët janë në kohën kur ndërkombëtarët, kanë kërkuar nga Kosova ta luftojë krimin dhe korrupsionin, mirëpo sipas PDK-së, me këto aktakuza vetëm neglizhohet liberalizimi.

Nait Hasani, deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se ministrat apo deputetët nuk kanë nevojë të japin dorëheqje, gjersa nuk iu konfirmohet dënimi.

Image
Nait Hasani

Hasani ka kritikuar sistemin e drejtësisë në Kosovë, duke shtuar se korrupsioni qëndron në Prokurori dhe se prokurorët deri më tani kanë ngritur akuza të pabaza dhe politike.

“Dorëheqjet jepen kur konfirmohet dënimi, e jo me çfarëdo akuze që mund të ngritet nga prokurorë të pa përgjegjshëm. Prandaj, qëllimisht bëhen këto akuza, vetëm të neglizhohet liberalizimi dhe të jepet sinjal i keq kinse po luftohet korrupsioni. Korrupsioni qëndron në Prokurori ata janë pjesë e korrupsionit, sepse janë pjesë e politikës dhe të zgjedhur politikë në institucione të drejtësisë. Me këtë sistem dhe këta prokurorë që asnjë akuzë nuk kanë mundur të dëshmojnë në dënime deri më sot, ata vetëm ka ngritur akuza të pabaza dhe politike, kjo gjë tregon dobësin e sistemit të drejtësisë”, ka pohuar Hasani.

Në Kosovë janë edhe një numër i personave të tjerë që mbajnë pozita zyrtare e të cilat janë të akuzuar për vepra të ndryshme penale.

Edhe në qeverisje të kaluarën në Kosovë, pati pasur padi ndaj një ministri dhe një sekretari të përgjithshëm në një Ministri, por në atë kohë menjëherë pas aktakuzës, ministri Ferid Agani pati dhënë dorëheqje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat