Koalicioni i vështirë LDK-Vetëvendosje, dhe kushti për postin e kryeministrit

Politika

Koalicioni i vështirë LDK-Vetëvendosje, dhe kushti për postin e kryeministrit

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 16 prill 2018 Në ora: 10:57
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje janë dy partitë më të madha në vend, përkundër që janë në opozitë. Kohëve të fundit, këto dy parti kanë kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje. Por a do të ishte i mundur një koalicion parazgjedhor ndërmjet këtyre dy partive dhe a mund të shkojnë me një listë të përbashkët zgjedhore?

Lidhur me këtë çështje, nga këto parti deklaratat e tyre janë kundërthënëse rreth koalicionit të përbashkët, ndërsa analistët nuk e shohin të mundur një gjë të tillë.

LDK ende nuk ka menduar për koalicion parazgjedhor

Image
Valentina Rexhepi Bunjaku

Deputetja e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Valentina Rexhepi Bunjaku ka thënë për “Bota sot” se partia në të cilën bënë pjesë nuk ka menduar për koalicion parazgjedhor.

“LDK nuk ka menduar për një koalicion parazgjedhor. Ne jemi në fazën e mobilizimit të përgjithshëm që të jemi sa më të përgatitur për zgjedhje të reja.Kjo qeveri është me një këmbë dhe çdo moment pret të rrëzohet”, ka deklaruar ajo për “Bota sot”.

Gjithashtu, ajo ka deklaruar se LDK-ja nuk mund të bëjë koalicion parazgjedhor, pasi që pret të dalë fituese e zgjedhjeve, kurdo që të mbahen ato.

“Edhe qytetaret e vendit e presin këtë dhe në zgjedhjet e ardhshme në presim një fitore të madhe e cila do ta determinon një qeveri të mirë, të sigurt dhe të besueshme. LDK nuk mund të bëjë koalicion parazgjedhor me asnjë parti por do ta bëjë koalicionin me qytetare drejt një fitore të sigurt!!!”, ka potencuar Rexhepi Bunjaku për “Bota sot”.

Vendi të shkojë në zgjedhje

Image
Drita Millaku

Ndërsa, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku ka deklaruar se vendi duhet që të shkojë në zgjedhje.

“Është fakt dhe ka shumë arsye  që të shkohet në zgjedhje për shkak se kjo qeveri e pakicës nuk është në gjendje  të udhëheq me shtetin”, ka thënë deputetja e VV-së.

Ajo ka folur edhe për bashkëpunimin me LDK-në. Sipas, Vetëvendosje do të pranonte një gjë të tillë në qoftë seKurti do të ishte kandidat për kryeministër.

“Sa i përket bashkëpunimit me LDK kjo varet pikërisht nga sinqeriteti i tyre.Sa i përket një liste të përbashkët me LDK-në vendosin organet drejtuese të partisë, por unë do ta mbështesë një liste të tillë  me kusht që kandidati për kryeministër të jetë Albin Kurti për shkak se është njeri i duhur  dhe këtë e ka treguar edhe zgjedhjet e fundit ku ka dal si lideri me i votuar, por për shkak të sistemit zgjedhor të mbrapsht nuk ju dha mundësia”, ka sqaruar Millaku për “Bota sot”.

Koalcion i vështirë

Image
Mentor Tahiri

Ndërkaq, analisti politik Mentor Tahiri, ka thënë se një koalicion parazgjedhor ndërmjet LDK-së dhe VV-së është i vështirë qoftë edhe për tu imagjinuar.

“Këto dy subjekte kanë profile krejtësisht të ndryshme jo thjeshtë politike, por edhe ideologjike. Është krejt diçka tjetër akordimi për koalicion paszgjedhor, aty thjeshtë do të ndaheshin ministritë, pa interferuar njëra tjetrën. Por edhe për këtë do të duheshin kompromise nga dy anët. Të rikujtojmë se LDK dhe VV kanë dallime konceptuale qoftë edhe rreth të ardhmes së Shtetit të Kosovës”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, Tahiri ka theksuar se për VV-në, Kosova është shtet i përkohshëm deri në bashkimin kombëtar.

Parti të kundërta

Image
Skender Zogaj

Ndërsa, analisti tjetër, Skënder Zogaj ka thënë se LDK-ja është kategorike për shkuarje në zgjedhje të parakohshme, e këtë ide ditëve të fundit po e përkrah edhe Vetëvendosje.

“Pra kërkesa për zgjedhje është bërë publike, mirëpo, asgjë nuk është thënë për mënyrën e mbajtjes së zgjedhjeve, të cilat në kushtet dhe rrethanat aktuale, janë çështje mjaft e ngatërruar, dhe që tani dihet se nuk do të sjellin kurrfarë përmirësi të gjendjes! Kjo, për faktin se, në kaosin politik kanë gisht të gjitha partitë politike dhe, asnjëra prej tyre nuk ka deklaruar ndonjë program shpresëdhënës për dalje nga kriza e thellë në të cilën ndodhet Kosova!”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Për më tepër , ai ka shpjeguar se LDK dhe Vetëvendosje nuk mund të bëjnë koalicion pasi që janë parti të kundërta dhe nuk munden që të bashkë qeverisin.

“LDK-së nuk i mungon përvoja rutinore, mirëpo, sa mund të gjykojmë e vetme nuk mund të arrij kuotën e duhur të numrave për ta qeverisur e vetme vendin! LDK-ja me VV-n nuk mundet dhe nuk do të duhej të krijonte koalicion qeverisës, sepse, janë parti ekstremisht të kundërta, prandaj nuk mund të bashkëqeverisin! Në krejt këtë situatë ndoshta, më shumë se për  shkuarje në zgjedhje, partitë politike duhet të “shkunden” dhe të riorganizohen me reformime cilësore dhe programe konkrete zhvillimore sidomos në funksionimin e shtetit ligjor, që do të ballafaqohej me krimin dhe korrupsionin e organizuar që po e mbanë të ngulfatur shoqërinë kosovare dhe institucionet shtetërore të vendit”, ka përfunduar Zogaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat