Tomë Gashi hedhë dyshimet: Pse Qeveria nuk i ndalon punimet për “Luginën e diellit” në veri?

Politika

Tomë Gashi hedhë dyshimet: Pse Qeveria nuk i ndalon punimet për “Luginën e diellit” në veri?

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 17 prill 2018 Në ora: 19:38
Ilustrim nga "Bota sot": Qeveria Haradinaj

“Tani është koha që të mendohet se për çfarë arsyeje nuk po ndalen këto punime në “Luginën e Diellit”, e cila do të jetë një qytezë e vogël me mbi 100 shtëpi, qytet një etnik serb, ku ka gjasa që banorët e asaj qytezë të sillen edhe nga Serbia”, ka thënë avokati Tomë Gashi.

Vendbanimi i ri i quajtur “Lugina e Diellit” në Mitrovicën e Veriut, është duke u ndërtuar, pavarësisht kundërshtimeve të autoriteteve qendrore të Kosovës që pretendojnë se ky projekt nuk ka leje.

Projekti i mbështetur nga qeveria e Serbisë për t’u ofruar strehim rreth 300 familjeve të serbëve të kthyer në veriun e Kosovës, është duke vazhduar në heshtje.

Edhe përkundër përpjekjeve për të marr një përgjigje nga  Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, lidhur me këtë çështje, këta të fundit nuk janë përegjigjur.

Ndonëse kjo ministri, më herët kishte thënë se nuk ka kurrfarë leje, megjithatë ky projekt vazhdon të punohet sipas planeve të tij.

Në lidhje me këtë çështje, Avni Islami, profesor i shkencave të sigurisë ka thënë se duhet urgjentisht formimi i Ushtrisë së Kosovës, meqë institucionet e vendit po duken të pafuqishme për ta ndaluar projektin “Lugina e Diellit”.

Islami: Veriu i vendit  “Orë bombe”

Sipas tij, lagjja apo toka “Lugina e diellit’”, po serbizohet dhe institucionet duken të pafuqishme karshi saj, prandaj është tepër urgjente formimi i ushtrisë së Kosovës që të jetë prezentë së bashku me forcat e KFOR –it ta mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial dhe të pengojë lëvizjen e njerëzve dhe mallrave nga Serbia në Kosovë në mënyrë të paligjshme.

Image
Avni Islami

“Në atë pjesë shqiptarët atje i quajnë “minoritet” në tokën e tyre, për shkak të angazhimit të Serbisë për ta ndërruar demografin në veri të Mitrovicës. Serbia punoi në të kaluarën, por edhe në të tashmen dhe e ndërroi demografinë në veri të Kosovës, sot për fat të keq, shqiptarët janë ‘’minoritet’’ në tokën e vet. Prandaj me të drejtë mund të them se janë shumë faktorë që ndikojnë që veriu i vendit të mbetet “Orë bombe” për shkak të implikimeve nga ana e shtetit serb, si dhe mos funksionalizimin e plotë të mekanizmave institucional të vendit”, ka thënë Islami.

Ndërsa, kryetari i Qendrës Rajonale të KMDLNJ-së në Mitrovicë, Halit Barani, ka thënë se kjo çështje nuk ka se çfarë të diskutohet meqë bëhet fjalë për pjesën e okupuar të Mitrovicës.

Sipas tij, lagja për të cilën bëhet fjalë, është në pjesën e okupuar të qytetit të Mitrovicës përkatësisht Kosovës, ku matanë urës kryesore të lumit Ibër, askush nuk mbanë përgjegjësi për Republikën e Kosovës.

“Në atë pjesë Kosovën nuk e njohin si shtet. Andaj mjerisht në pjesën veriore të Mitrovicës ende bandat shqiptare bashkëpunojnë me kontrabandistët serb”, ka thënë Barani.

Ndërsa, avokati Tomë Gashi, ka thënë se sa i përket punimeve në “Luginën e Diellit”, nuk ka pasur vullnet politik të udhëheqësve të lartë politik të Kosovës që të ndalin këto punime.

Gashi:  Për çfarë arsyeje nuk po ndalen këto punime në “Luginën e Diellit

Sipas tij, madhësia e “Luginës së Diellit” që është duke u ndërtuar nga shteti i Serbisë i tejkalon fuqitë juridike të nivelit Komunale.

Image
Tomë Gashi

“Komuna përkatëse nuk ka mundur të bëjë asgjë konkretisht përveç evidentimit dhe lëshimit të procesverbaleve formale për ndërprerje të punimeve, gjë që askush nuk i ka konsideruar serioze. Është e vërtetë se investimi në “Luginën e Diellit” është investim direkt i shtetit të Serbisë në territorin e Republikës së pavarura të Republikës së Kosovës, pa e pyetur fare asnjë Institucion të Republikës së Kosovës, ngase Serbia nuk e pranon shtetësinë Kosovës. Dhe fatkeqësisht në Kosovë Serbia vepron si në shtet të vet pa i pyetur fare institucionet e Kosovës të cilat qëllimisht po tregohen të pafuqishme për të ndalur ndikimin e Serbisë në Kosovë, respektivisht ndërhyrjet direket të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës”, ka thënë avokati Gashi.

Ai ka thënë se MMPH është Ministri e cila është direkt e varur nga politikat e Kryeministrit Haradinaj.

“Tani është koha që të mendohet se për çfarë arsyeje nuk po ndalen këto punime në “Luginën e Diellit”, e cila do të jetë një qytezë e vogël me mbi 100 shtëpi, qytet një etnik serb, ku ka gjasa që banorët e asaj qytezë të sillen edhe nga Serbia. Sigurisht që Qeveria e RKS-se ka të drejtë që të ndërhyjë dhe të mos lejojë që kjo të ndodhë, por për këtë duhet të ketë vullnet politik dhe jo vetëm muhabet patriotik të pa vlera, që çdo ditë pjesën veriore të Kosovës janë duke e larguar nga pjesa tjetër e RKS-se me bekimin e vullnetshëm apo të pavullnetshëm, me dije apo pa dije të burrështetasve të Kosovës që nga 12. qershori i vitit 1999 e deri më sot”, ka thënë avokati Gashi.

Burjani: Në veri vendos Beogradi  

Njohësi i çështjeve politike e juridike, Blerim Burjani, ka thënë se punimet mund të ndalen vetëm me reagim të organeve të rendit ndryshe do të punohet sikur të kishte kjo komunë në Serbi.

Ai ka thënë se nuk ka gjasa të dëgjohet pushteti në Prishtinë në asnjë temë sa i përket komunave veriore shteti i Kosovës duhet të shtrijë plotësisht sovranitetin në veri vendimet e qeverisë së shtetit të Kosovës duhet të respektohet dhe zbatohen.

Image
Blerim Burjani

“Kështu si është situata atje vështirë se mund të ketë ndryshime pozitive pasi në veri vendos Beogradi  dhe se do të ketë veprim të vullnetshëm të serbëve lokal në atë pjesë të shtetit të Kosovës”, ka thënë njohësi i çështjeve politike dhe juridike Burjani.

Kurse, politologu Faik Kransiqi, ka thënë se ka disa vite që ka filluar ndërtimi i 300 shtëpive në “Luginën e Diellit” në Komunën e Zveçanit, për gjoja rikthimin e 1500 serbëve në Kosovë.

Sipas tij, Serbia me këtë projekt konsideroj që ka për qëllim kolonizimin e Kosovës me serbë nga Serbia.

“Por shteti ynë përveç fjalëve nuk ka arritur ta parandalojë Qeveria e Kosovës dhe institucionet tona përgjegjëse, duhet të reagojnë përmes ligjit dhe moslejimin e realizimit të këtij projekti që ka qëllim të keq nga ana e Serbisë. Një shtet me plot kuptimin e fjalës do të reagonte kështu dhe të njëjtën gjë do ta bënte edhe Serbia, në rast se Kosova dhe Shqipëria do të tentonin të bënin një projekt të tillë në Kosovën Lindore, me arsyetimin rikthimin e shqiptarëve në ato komuna të banuara me shumicë shqiptare”, ka thënë politologu Krasniqi.

Qeveria duhet të reflektojë menjëherë

 Ndërsa analisti politik Ali Hertica ka thënë se një fillim i rikolonizmit të Kosovës që ka filluar në të ashtuquajturën “Lugina e Dellit “ ku është ngritur një padi nga MMPH dhe ku është ndritur kallëzim penal është diçka qesharake për këtë ministri dhe vet shtetin e Republikës.

Ai ka thënë se në gjithë cepin e Kosovës duhet të zbatohet ligji i infrastrukturës dhe planifikimit hapësinor mirëpo këtë e dëshmon se në Kosovë tek pjesa veriore dhe atë të Zubin Potokut nuk zbatohet asgjë nga legjislacioni i Kosovës por vetëm ajo e Serbisë.

Image
Ali Hertica

"Ditë më parë drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriqi dhe vet Vuçiq bashkë me klikën e tij shoviniste iu premtoi serbëve të Kosovës, se Serbia do të investojë shumë të madhe të mjeteve për serbët e Kosovës për t’i financuar një varg projektesh në të gjitha mjediset me popullatë serbe. Por, ministrja nga AKR nuk duhet assesi të lejojë që të pyetet Beogradi për territorin dhe veprimet e komunave veriore. Prandaj Qeveria duhet të reflektojë menjëherë, meqë tani siç po shihet nga njerëzit kompetent të saj nuk po reflekton asgjë e re në këtë drejtim që është shumë i dhimbshëm për Kosovën”, ka thënë Hertica.

Sipas tij, ky projekt i rëndësishëm do të duhej të përfundonte gjatë këtij viti, me ndërtimin e vendbanimit të ashtuquajtur “Lugina e Diellit” në Zveçan, pranë lagjes “Kroi i Vitakut” në veri të Mitrovicës.

“Mendohet që Serbia do t’i ndërtojë 300 shtëpi, ku do sjellën edhe serb nga ish republika të tjera për ta mbushur atë territor me klane serbe për ta rikolonizimin e asaj pjesë verior ku do të bëhet edhe kthimi i 1500 serbëve në Kosovë. Dhe përveç 300 shtëpive që do të ndërtohen, me projekt është planifikuar edhe ndërtimi i shkollës, i ambulancës, çerdhe fëmijësh, ndërkaq në këto shtëpi do të vendosen serbë të zhvendosur në pjesë të ndryshme të Serbisë”, ka thënë analisti politik Hertica.

Ndryshe, Ministrja e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, ka njoftuar se e kanë paditur Komunën e Zveçanit lidhur me punimet në lagjen “Lugina e Diellit”. Ajo ka thënë se Drejtoria e Urbanizmit në këtë komunë është përgjegjëse për moszbatimin e urdhëresës së dhënë nga Inspektorati i ministrisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat