“8.8 milionët për UÇK-në, që Xhavit Haliti i mori nga Ahmet Krasniqi u zhdukën në ‘vrimë të zezë’”

Politika

“8.8 milionët për UÇK-në, që Xhavit Haliti i mori nga Ahmet Krasniqi u zhdukën në ‘vrimë të zezë’”

Nga: Bota sot Më: 17 prill 2018 Në ora: 21:49
Anton Quni dhe Xhavit Haliti

“Unë nuk e di çka ka të keqe që ky fond është ndarë për ndihmë për njësitë e UÇK-së. Nuk është asgjë sekrete, nuk jam i vetmi që e kam thënë, kanë folur për këtë çështje edhe shumë tjerë, kanë folur edhe shok të juaj të idealit, partisë e tjera. Por nëse ju dëshironi fakte dhe me shumë unë do t’i siguroj. Tani nuk jam i sigurt a janë në pyetje 6, 7 apo 8, por mund t’i siguroj të gjitha faktet, edhe dëshmitarët edhe protagonistët, që të saktësojnë me ditë, me datë, me ngjarje me zhvillime me vend se ju këtë shumë plus minus e keni pranuar personalisht me autorizimin e kolonel Ahmet Krasniqit”, theksoi Quni.

Anton Quni tha të hënën në Pressing  se Xhavit Haliti kishte marrë në luftë 8 milionë euro nga FARK’u. Seancën e së martës, Haliti e hapi me mllef ndaj deklaratës së Qunit, dhe e akuzoi atë se po gënjente kur po thoshte se koloneli i FARK-ut ia kishte dhënë 8 milionët. Megjithatë, nënkryetari i Kuvendit e pranoi se kishte pasur kontakt me kolonel Krasniqin, e edhe që kishte marrë para. E diskutoi shumën, por Haliti tha se me këto punë prezent ka qenë Isa Mustafa e Bujar Bukoshi.

Si nënkryetar i Kuvendit, që dje drejtoi vazhdimin e seancës plenare, Xhavit Haliti shfrytëzoi foltoren për të demantuar atë që kishte thënë deputeti i LDK-së, Anton Quni.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti e ka quajtur gënjeshtar deputetin e LDK-së, Anton Quni, i cili ka deklaruar se Ahmet Krasniqi i ka dhuruar atij 8 milionë marka.

Haliti: Keni gënjyer

“Është gënjeshtër e kulluar, është gënjeshtër prej atyre kuzhinave të tyre dhe nuk është mirë me përdor emrin e Ahmet Krasniqit. Nëse ke argumente zotëri që po i jep vetit zor që dinë diçka për UÇK-në, unë po të them që nëse unë i kam marrë 8 milionë euro, sot nuk jam në këtë Kuvend, nëse ti ke gënjyer a je i gatshëm të jep dorëheqje nëse ki argumente se unë i kam marrë 8 milionë euro. Duhet ta kesh parasysh që në strukturat politike dhe ushtarake ka pasur bashkëpunim mes qeverisë së Kosovës dhe UÇK-së dhe strukturat ushtarake dhe politike të UÇK-së nuk janë marrë me kalamajtë që kanë qëndruar nëpër thera. Unë për të biseduar dhe për t’u marrë vesh kam pasur vetëm një njeri, veç Bujar Bukoshin”, tha Haliti.

Por, Quni tha se mund ta siguroj me dokumentacione me njerëz, me datë, se Haliti i ka marrë 8 milionë, apo diçka me pak apo me shumë.

Quni: Ta dëshmoj me fakte se i keni marrë paratë nga Krasniqi

“Unë nuk e di çka ka të keqe që ky fond është ndarë për ndihmë për njësitë e UÇK-së. Nuk është asgjë sekrete, nuk jam i vetmi që e kam thënë, kanë folur për këtë çështje edhe shumë tjerë, kanë folur edhe shok të juaj të idealit, partisë e tjera. Por nëse ju dëshironi fakte dhe me shumë unë do t’i siguroj. Tani nuk jam i sigurt a janë në pyetje 6, 7 apo 8, por mund t’i siguroj të gjitha faktet, edhe dëshmitarët edhe protagonistët, që të saktësojnë me ditë, me datë, me ngjarje me zhvillime me vend se ju këtë shumë plus minus e keni pranuar personalisht me autorizimin e kolonel Ahmet Krasniqit”, theksoi Quni.

Haliti: Juve iu konvenon me fol për njerëzit e vdekur të UÇK-së, të gjallët s’kanë rëndësi

“Ti nuk di asgjë për këtë punë, as ata shokët tu nuk dinë asgjë sepse nuk kanë qenë kurrë prezent, ka qenë prezent Agim Mehmeti në të gjitha bisedimet, është bisedu me Bujar Bukoshin dhe Isa Mustafa, ju tjerët keni qenë ushtar, keni luftuar apo jo është problem tjetër sepse juve iu konvenon me fol për njerëzit e vdekur të UÇK-së sepse njerëzit e gjallë nuk kanë rëndësi, ky është problemi juaj, edhe në atë betejën që e ke bo bashkë me të tjerët, ju askund nuk e përmendini se kush e ka arrit marrëveshjen për të qenë bashkë, ju nuk e dini procesin e zhvillimit të asaj pune as në Koshare, as në këto tjerat, prandaj mos shprush, këtu mund të flas, dy vet janë gjallë, sa i përket pjesës politike Bujar Bukoshi dhe Isa Mustafa, pjesërisht për çështjen e financave që ka bërë dhe gjallë është veç  Hilmi Nebihu,... kur t’i qelim letrat i qelim taman, tani këtu unë e përfundoj se dje ke fol t’i e sot unë dhe skam  fjalë”, tha ai

E pas Haliti përfundoi fjalimin nuk ia dha fjalën Qunit, duke thënë se ai ka folur dje, ndërsa ky sot.

Quni në shenjë proteste u ofruar afër Halitit, ku për disa minuat aty u panë edhe deputetët tjerë të LDK-së, PDK-së dhe AAK-së.

Kelmendi: Haliti i mori fiks 8.8 milionë marka

Udhëheqësi i fondit “Vendlindja thërret” në Gjermani, Ibrahim Kelmendi, i është bashkuar polemikës që filloi mbrëmë kur deputeti i LDK-së, Anton Quni, tha se Xhavit Haliti i PDK-së, gjatë luftës, kishte marrë 8 milionë marka nga koloneli Ahmet Krasniqi. Kelmendi thotë se Haliti i ka marrë 8.8 milionë marka nga FARK.

Kelmendi thotë se në atë kohë Halitit i ishin dhënë 4 milionë dollarë, që bënin 8.8 milionë marka.  Ai shkroi në Facebook se Haliti nuk i kishte informuar Fondin e “Vendlindja thërret” për shumën që kishte marrë. E, siç thotë Kelmendi, pasi ishte zbuluar se kishte marrë ato para, Haliti kishte thënë se e kishte cilësuar si “sekret ushtarak”.

Ky është shkrimi i plotë i Kelmendit:

NUK ISHIN 8 MILIONË DM, POR 4 MILIONË US-DOLLARË.

Në kuadër të komplotit që po bënte Xhavit Haliti, tashme i ndihmuar edhe nga kolegët marioneta, Ahmet Krasinqi, Bujar Bukoshi dhe Co, ka marrë 4 milionë US $ „ndihma“, por jo për UÇK-në, por për ta komplotuar UÇK-në.

Atëherë Dollari kishte kursin e rreth 2.21 DM, që do të thotë se ka marrë rreth 8.840.000 milionë DM (tetë milionë e tetëqind e katër dhjetë mijë). Ato të holla që i ka pranuar Xhavit Haliti nga „ministri“ Ahmet Krasniqi janë zhduk në „vrimë të zezë“…

Për atë “ndihmo” Xhavit Haliti nuk pat informuar as përgjegjësit e Fondin “Vendlindja thërret”, as strukturat udhëheqëse të Lëvizjes (ku ai bonte pjesë), por pasi kemi zbuluar atë ndodhi ka belbëzuar se e ka çmuar si “sekret ushtarak”.

Për këtë “ndihmo” të “ministrit” Ahmet Krasniqi, dorëzuar Xhavit Halit, ka vite që kam informuar. Zhurmimi aktual po ndodh në kuadër të luftës se pistë për pushtet.

Kurse beteja për BETEJEN E KOSHARËS po vazhdon të shpërdoret për interesa partiake dhe në terren tepër të mjegulluar. Rrëfimi i mbrëmshëm i Anton Qunit ishte edhe një serial i betejës për Betejen e Kosharës, tashmë e mitizuar dhe e legjendarizuar në shumo variante…

Më 2 janar të vitit 2000, në një intervistë dhënë për gazetaren Dijana Toska, kryeministri në egzil, Bujar Bukoshi kishte folur për fondin e Qeverisë së tij. Ai kishte treguar nëse Ministria e Ahmet Krasniqit i kishte dhënë para komandatëve të UÇK-së, që sot pas 18 vjetëve u rikthye në polemikë në Kuvend mes Xhavit Halitit të PDK’së e Anton Qunit të LDK’së.

Milionat për UÇK-në i kishte konfirmuar edhe Bujar Bukoshi

Përfaqësues të UÇK-së dhe FARK-ut kanë kthyer në aktualitet sërish temën e periudhës së viteve të 90-ta, të luftës dhe të fondit të tre përqindëshit.

Shpërtheu një polemikë, kur deputeti i LDK’së, Anton Quni, tha se Qeveria e Bukoshit, me ministër të Mbrojtjes kolonel Ahmet Krasniqit, kishte ndarë para për UÇK-në.

Se Ministria e Mbrotjes së Qeverisë ne egzil u kishte dhënë para komandantëve të UÇK-së, kishte thënë edhe kryeministri i atëhershëm Bukoshi 18 vjet më parë në një intervistë për gazetaren Diana Toska.

“I kemi dhënën direkt të holla komandantëve të UÇK-së. Ka pasur raste kur kanë ardhur vetë në Gjermani dhe kanë thënë se u duhen armë”, kishte thënë Bukoshi në janar të 2000’ës.

“Ne i kemi dhënë Ministrisë së Mbrojtjes të holla në dispozicion që ata të organizojnë, natyrisht oficerët dhe ushtarëve u duhet ushqim dhe fishekë”.

Bukoshi kishte treguar se nga vitit ’93 deri në vitin ’99 në Fondin e Qeverisë së tij kishin qarkulluar mbi 300 milionë marka gjermane.

 “Në periudhën 8 vjeçare nga fondet e Republikës së Kosovës dhe burime të tjerë janë mbledhur  217 milionë marka gjermane, 3.6 milionë dollarë, 30 franga, 24 mijë funta. Përafërsisht mbi qerek miliardë për tetë vjet”, thoshte kryeministri i atëhershëm.

Kur gazetarja e pyet atë se pse ishte neglizhuar UÇK-ja nga Qeveria, duke u përkrahur FARK, Bukoshi thoshte se ishte financuar UÇK-ja dhe ishte ndihmuar, duke mos e parë ushtrinë Çlirimtare në oponent politik.  

 “Tërë kohën, atë moment kur ka plasë konflikti, Qeveria e Kosovës ka përkrah Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe jemi munduar që të bëjmë punë të përbashkëta dhe e kemi parë se ka ndryshuar plotësisht situata, dhe pa kursyer duhet të financohet edhe mbrojtja”, thoshte ai.  

Kur pyetët pse është financuar FARK e jo UÇK, Bukoshti thoshte se “Nuk kemi kursyer asgjë për të ndihmuar UÇK-në. UÇK janë ato forca e armatosura, është shkurtesë e Forcave të Armatosura të Kosovës dhe këto forca kanë hyrë në Kosovë dhe kanë luftuar nën emrin e UÇK-së”

Fakti se LDK nuk ka qenë themeluese e UÇK-së, Bukoshi thoshte se nuk e kishte ndalur të bashkëpunonte me të.

“Nuk e kemi krijuar UÇK-në, por e kemi përkrahur atë. Para UÇK-së, paralal me UÇK-në ne kemi punuar në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes. Ne në vitin 1993 kemi shfrytëzuar 4.3 milionë marka për armatim në atë kohë kur ishte e vështirë të flitej për këto punë” .

Deklaratë e rrallë e Xhavit Halitit pak ditë para vrasjes së Ahmet Krasniqit

Më 12 shtator 1998 në Shqipëri u vra deputeti i Partisë Demokratike, Azem Hajdari. Pak ditë më vonë, më 21 shtator të po atij viti, u vra edhe koloneli dhe ish-ministri i mbrojtjes në Qeverinë e Bukoshit, Ahmet Krasniqi.

Në Youtube, ekziston një xhirim, ku Xhavit Haliti kishte dalë me një deklaratë për media, ku dënonte siç e quante ai, tentim grusht –shtetin në Shqipëri

Haliti në këtë video, mohon decidivisht përfshirjen e ushtarëve të UÇK-së në trazirat në Shqipëri si dhe i bënte thirrje popullit të Kosovës që të ‘qëndronte sa më larg thirrjeve që të involvoheshin në situatën e rëndë politike në Shqipëri”.

Deklarata e plotë që media e risjell dhe për përshkrimet e saj në YouTube nuk mban përgjegjësi:

Të pishtarit të demokracisë, zotit Azem Hajdarit. I shprehi ngushëllime presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe Partisë Demokratike për anëtarin e tyre.

Me këtë rast, dëshiroj që në emër të Shtabit të Përgjithshëm, të distancohem nga të gjitha vandalizmat e bëra kundër institucioneve të shtetit dhe të dënoj përpjekjen për grusht shteti në Shqipëri.

Sipas thashethemeve, që aktualisht qarkullojnë në Tiranë, thuhet që pjesëtarë të UÇK-së, thuhet se kanë marrë pjesë në vandalizmat që janë bërë kundër institucioneve të shtetit.

Me përgjegjësi të plotë deklaroj që asnjë ushtar i UÇK-së nuk kanë marrë pjesë në turbullirat që janë bërë në Tiranë.

Asnjë ushtar i UÇK-së nuk ka të drejtë të marrë pjesë në luftën politike që mund të bëhet kudoqoftë në rrafshin kombëtar.

Asnjë ushtar i UÇK-së nuk ka të drejtë t’i përdorë simbolet e UÇK-së jashtë territorit ku zhvillohet lufta.

Prandaj detyrë e çdo ushtari të UÇK-së është të jetë aty ku i është caktuar detyra e vet.

Me këtë rast, në emër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, distancohem thellë nga diklaratat e disa përfaqësuesve nga Kosova të cilët në një mënyrë ose tjetër e kanë mbështetë grusht shtetin ne Shqipëri.

Me këtë rast, shfrytëzoj rastin t’ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës, të cilët nga dhuna dhe terrori serb janë arratisur nga Kosova dhe kanë gjetur pritje shpirtërore që nga Tropoja, Bajram Curri e deri në Sarandë që të qëndrojnë si qytetarë të këtij vendi dhe të mos publikohet në luftën politike të asnjë vend sepse kemi hallet tona dhe kemi të bëjmë me një shtet barbar siç është Serbia dhe nuk kemi nevojë që të vimë në Shqipëri me qëllim që të destabilizojmë Shqipërinë. Distancohem thellë dhe dënoj përpjekjen për grusht shtet në Shqipëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat