Lista Serbe ende jashtë, ‘rrezikon’ Qeverinë Haradinaj

Politika

Lista Serbe ende jashtë, ‘rrezikon’ Qeverinë Haradinaj

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 18 prill 2018 Në ora: 11:00
Ramush Haradinaj

“Është vështirë të funksionojë një Qeveri me 52 deputetë. Nëse deputetët e opozitës nuk votojnë ligjet në Kuvend, atëherë padyshim që do kemi bllokim të proceseve politike pas daljes nga Qeveria nga deputetët e Listës serbe. Do të ishte mirë që spektri politik shqiptarë të uleshin bashkë dhe të dakordoheshin për mbarëvajtjen e punës së Qeverisë dhe Kuvendit si dhe për datën e zgjedhjeve”, ka thënë analisti Faik Krasniqi.

Lista Serbe zyrtarisht është larguar nga Qeveria e Kosovës, pas arrestimit të Marko Gjuriq, kur ai hyri në Kosovë pa leje më 26 mars të këtij viti.

Arrestimi i Marko Gjuriq, bëri shumë bujë edhe tek mediet botërore, ndërsa shtyri Listën Serbe në revoltë.

Megjithatë, një vizitë e dytë iu lejua zyrtarit serb, Marko Gjuriq me rastin e festës së Pashkëve.

Pavarësisht kësaj, Lista Serbe ende nuk ka vendosur nëse do të kthehet në koalicionin qeveritar, të cilit tashmë i mungojnë dhjetë numrat e deputetëve serbë.

Zogaj: Lista Serbe është duke i sprovuar partitë shqiptare

Kjo mungesë e Listës Serbe në koalicionin qeveritar, do t’i shkaktoj më tepër probleme Qeverisë Haradinaj, e cila vështirë se do të kalojë shumë ligje në Kuvend pa përkrahjen edhe të opozitës.

Analistët politik, thonë se partitë politike duhet të gjejnë një gjuhë të përbashkët për të mos ia pasur nevojën fare Listës Serbe, e cila kur sheh një mirëkuptim të subjekteve politike shqiptare, do të kthehet menjëherë në Qeveri dhe Kuvend.

Image
Skender Zogaj

Kështu, analisti Skender Zogaj, thotë se Lista Serbe në jetën politike të Kosovës, është vetëm për një qëllim, e ky qëllim është që, kurdo e kudo që i jepet mundësia, të pengojë të gjitha proceset zhvillimore të shtetit të Kosovës.

“Prandaj, është krejtësisht normale që Lista Serbe të tentojë të bllokojë proceset politike, tash kur subjektet politike shqiptare e kanë humbur busullën dhe në mënyrën më primitive po i kontribuojnë zgjerimit dhe thellimit të krizës që po e ngulfat vendin. Lista Serbe është duke i sprovuar partitë shqiptare, duke qëndruar anash dhe ndjekur me kujdes zhvillimet politike, me shpresën që partitë shqiptare do ta hanë njëra-tjetrën dhe, kur kjo të ndodh Lista Serbe solemnisht të realizojë "ceremonialin e hareshëm motor" të politikës primitive shqiptare! Kjo është dëshira e Listës Serbe, dhe për këtë qëllim po ndodh bojkotimi perfid”, thekson Zogaj.

Ai thotë më tutje, se nëse Lista Serbe e heton se partitë politike shqiptare e gjejnë gjuhën e përbashkët, ata menjëherë, pa fije turpi do ta ndërpresin bojkotimin dhe do të kthehen në Qeveri e në Parlament.

“Partitë politike shqiptare duhet të krijojnë një marrëveshje të përbashkët kundrejt Listës Serbe, për ta defaktorizuar përfundimisht rolin e saj në çështjet e rëndësisë së veçantë për shtetin dhe popullin e Kosovës. Listës Serbe duhet treguar se ku e ka vendin dhe se, vota e tyre nuk mund të jetë përcaktuese e  fatit të Kosovës, por ka rëndësi për serbët nëse ata duan që ta përdorin për të mirën e vetvetes së tyre”, thotë analisti Skender Zogaj për “Bota sot”.

Image
Leon Duhanaj

Duhanaj: Pala shqiptare të gjej rrugëdalje

Ndërkaq, analisti Leon Duhanaj, thotë se bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila ka lënë të rezervuar mundësinë e mbrojtjes së minoriteteve nga diskriminimi i mundshëm, ka disa vendime të cilat për t'u marrë kërkohen përpos shumicës së kualifikuar të shumicës shqiptare, kërkohet edhe shumica e kualifikuar nga ana e minoriteteve.

“Për të marrë vendime të këtij lloji, Kosova e ka goxha problematike, pasi që është e ekspozuar sabotimeve dhe shantazheve të shpeshta nga ana e Listës Serbska përkatësisht Beogradi. Megjithatë, kur kemi parasysh situatën e Krijuar së fundmi, për ç`arsye  është larguar edhe Lista Serbska, atëherë do të duhet që pala shqiptare, të gjej rrugëdalje pa iu nënshtruar këtyre shantazheve serbe”, thotë Duhanaj.

Ai thotë më tutje se ‘nuk guxojmë të lejojmë që Kosova  të mbetet peng e një grusht njerëzit, të cilët kokën e kanë në Beograd e trupin në Kosovë.

“Institucionet e vendit, dështuan ta shfrytëzojnë mundësinë, duke i përkrahur pjesëtarët e komunitetit serb që të integrohen plotësisht ku edhe pati rezultate të mira. Në vend që t'ua ofrojë përkrahjen shtetërore atyre që ishin për një shtet të Kosovës, politika e Kosovës, zgjodhi të futet në valën e Beogradit, t'ua mundësoj atyre që përmes listës serbska, jo vetëm të rikthehen fuqishëm në skenën politike kosovare. Por, njëherësh edhe t'i eliminojë nga skena të gjithë pjesëtarët e integruar nga ana minoritetit serb”, vlerëson ai.

Edhe Duhanaj thotë, se duhet një koordinim ndërmjet partive politike shqiptare, e në asnjë mënyrë të mos i nënshtrohen Listës Serbe.

“Shqiptarët, në çështjet  me rëndësi për vendin duhet të bashkëpunojnë me konsensus të plotë mes veti nëse është nevoja edhe të merren vesh për zgjedhje në një afat ne të përshtatshëm, por assesi t'u nënshtrohen grupeve si L.S. Nuk duhet harruar, që çdo gjë ka zgjidhje dhe  se kemi qenë edhe nën robëri dhe kemi gjetur zgjidhje pa i pyetur serbet. Këndej, kërkohet guxim dhe mendje për t'i kaluat sfidat qe na presin”, thekson analisti Duhanaj.

Image
Faik Krasniqi

Krasniqi: Është vështirë të funksionojë një Qeveri me 52 deputetë

Po ashtu edhe analisti, Faik Krasniqi duke komentuar punën e kësaj qeverie që nga fillimi, thotë se në vazhdimësi të punës së Kuvendit të Kosovës ka pasur vështirësi në miratimin e ligjeve për shkak të abstenimit apo edhe votës kundër nga deputetët e opozitës, dhe tani që koalicioni që qeverisë me vendin ka dhjetë vota më pak, ky proces do të jetë edhe më i vështirë.

“Është vështirë të funksionojë një Qeveri me 52 deputetë. Nëse deputetët e opozitës nuk votojnë ligjet në Kuvend, atëherë padyshim që do kemi bllokim të proceseve politike pas daljes nga Qeveria nga deputetët e Listës serbe. Do të ishte mirë që spektri politik shqiptarë të uleshin bashkë dhe të dakordoheshin për mbarëvajtjen e punës së Qeverisë dhe Kuvendit si dhe për datën e zgjedhjeve. Por, zgjedhjet do të duhej të mbaheshin pas liberalizimit të vizave, ose të paktën pas dhënies së dritës së gjelbërt nga ana BE-së, sepse mbajtja e zgjedhjeve në këtë kohë kam frikë që do të na rrezikonte liberalizimin e vizave, anëtarësimin në UNESCO dhe INTERPOL nëse Qeveria vendos që këtë vit të aplikojë në këto dy organizata shumë të rëndësishme. Koha më ideale për mbajtjen e zgjedhjeve do të ishte fundi i këtij viti apo fillimi i vitit të ardhshëm”, vlerëson analisti Faik Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat