Fitorja e Gjukanoviqit do të minimizojë forcat pro-serbe

Politika

Fitorja e Gjukanoviqit do të minimizojë forcat pro-serbe

 Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 18 prill 2018 Në ora: 11:32
Millo Gjukanoviq

Lideri i Partisë Social Demokrate (DPS) në Mal të Zi, Millo Gjukanoviq, ka fituar sërish garën për të parin e vendit.

Gjukanoviq, njihet si përkrahës i madh i shqiptarëve në Mal të Zi dhe mbanë qëndrim si malazias etnik, por ka dhënë edhe deklarata mbështetëse për Kosovën, e njëra prej tyre ishte “goditja” që i dha Serbisë, duke theksuar se Serbia  e ka humbur Kosovën dhe nuk vendosë më për të.

“Serbia e sotme nuk vendosë për Kosovën. Ajo thjesht e ka pranuar faturën për humbjen që e ka pësuar më herët”, ka shtuar Gjukanoviq.

Madje, ai në një intervistë ditë më parë kishte premtuar se do ta respektonte marrëveshjen për korrigjimin e demarkacionit.

Sipas tij, pikëpamja e Malit të Zi është se realiteti në lidhje me Kosovën është i pandryshueshëm.

E në anën tjetër, dy kundër kandidatët e Gjukanoviqit në Mal të zi, gjatë fushatës kishin paralajmëruar tërheqjen e njohjes për Kosovën nëse ata zgjidhen nga populli në krye të vendit.

Kandidati opozitar, Marko Milaçiq dhe ai nga koalicioni serb, Dobrilo Dedeic kishin thënë se njohja e Kosovës nga Mali i Zi ishte një gabim.

Por, shqiptarët në Malin e Zi duket se kishin vendosur ta votojnë kandidatin favorit, Milo Gjukanoviq.

Berisha: Fitorja e Gjukanoviqit, interes i dyanshëm

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme në Republikën e Kosovës, Anton Berisha, duke folur për “Bota sot” lidhur me Gjukanoviqin, thotë se ai është bartësi kryesor i pavarësimit të Malit të Zi, i integrimit në NATO dhe i proceseve integruese, duke shtuar se fitorja e tij është interes edhe i Kosovës, edhe i shqiptarëve në Mal të Zi.

Image
Anton Berisha

“Gjukanoviqi ka qenë bartësi kryesor i pavarësimit të Malit të Zi, i integrimit në NATO dhe i proceseve integruese. Shqiptarët e Malit të Zi e kanë ndihmuar procesin e pavarësisë dhe ata duhet t’i gëzojnë të mirat që i sjelle shteti. Unë besoj që është interesi i dyanshëm. Shqiptaret duhet të kenë durimin të vetëdijshëm se këto nuk janë procese të lehta dhe në vijim unë jam optimist se do të ketë përparime”-thotë zëvendësministri Berisha.

Ai tutje thekson se Kosova do të vazhdojë raportet e mira politike me Malin e Zi, derisa fitorja e Gjukanoviqit sipas tij, do të minimizojë forcat pro-serbe në Malin e Zi.

“Sa i përket raporteve me Malin e Zi, ne do të vazhdojmë të zhvillojmë politikën e fqinjësisë së mirë, interesit të dyanshëm për të bashkëpunuar dhe bashkëvepruar ashtu që të kontribuojmë për paqe në rajon dhe zhvillim ekonomik e integrues në strukturat euro-atlantike. Fitorja e Gjukanoviqit do të minimizoj forcat pro-serbe dhe besoj që do edukoj shtetasit e Malit të Zi që duhet të jetojnë e kontribuojnë për shtetin e tyre duke u larguar prej mentalitetit të vjetruar dominues sipas logjikës serbomadhe”- u shpreh Berisha.

Prof.Maxharraj: Gjukanoviqin e mbështet Kosova

Ndërsa profesori Binak Maxharraj, thotë për “Bota sot” se Gjukanoviqi është dashur që t`i fitonte zgjedhjet, sepse po të ndodhte e kundërta, opozitarët do të kërkonin shfuqizimin e njohjes së Kosovës.

Ai thekson se Kosova është pro ardhjes në pushtet të Gjukanoviqit.

Image
Binak Maxharraj

“Ai do i fitoi këto zgjedhje, sepse për ndryshe do të ishte katastrofa sikur opozita pro-serbe të vinte në pushtet. Ata menjëherë do ta kërkonin shfuqizimin e njohjes së Kosovës. Por kjo nuk do të ndodhë, sepse orientimi properëndimore i Malit të zi është shumë i fortë. Zgjedhja e Gjukanoviqit për President të Malit të Zi është në interes të vetë Malit të Zi. Gjukanoviq njihet po ashtu si një mik i Shqiptarëve, ai këtë e ka deklaruar disa herë. Pra, Kosova donë që Gjukanoviq të vijë në krye të shtetit të Malit të Zi”- deklaroi Maxharraj.

Mentor Tahiri: Gjukanoviq figurë kyçe kundrejt influencës ruse në Mal të Zi

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike ndërkombëtare, Mentor Tahiri, thotë se Gjukanoviq është sot një përfaqësues emblematik i pavarësisë etnike malaziase në raport ballafaques me projektet e tjera,  dhe sipas tij, këto projekte e shohin Malin e zi si pjesë të një korpusi më të madh serb.

Image
Mentor Tahiri

“Shoqëria e sotme malazeze është thellë e ndarë bazuar në përkatësinë etnike të deklaruar. Ka goxha balancë ndërmjet atyre që deklarohen si malazias etnik dhe atyre që deklarohen si serb etnik. Gjukanoviq është sot një përfaqësues emblematik i pavarësisë etnike malaziase në raport ballafaques me projektet e tjera, projekte këto që shohin Malin e zi si pjesë të një korpusi më të madh serb”- tha Tahiri për “Bota sot”.

Sipas tij, Gjukanoviq shihet edhe si figurë kyçe kundrejt influencës ruse në Mal të Zi, e kjo është arsyeja pse shqiptarët atje, duhet ta votojnë Gjukanoviqin.

“Në këtë relacion, në një rrafsh më të gjerë, Gjukoviq, shihet edhe si figura kyçe politike kundrejt një influence ruse në Mal të zi. Të gjitha këto, e bëjnë të qartë përse shqiptarët në viset etnike në Mal të zi, duhet të përkrahin Gjukanoviqin. Veç tjerash, kandidatët tjerë madje kanë shpalosur edhe plane që të revokohet njohja e Kosovës nga ana e Malit të zi, në rast se fiton ndonjë prej tyre”- theksoi Tahiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat