Ideja e rrezikshme e Haradinajt për traditën primitive që merr jetë njerëzish

Politika

Ideja e rrezikshme e Haradinajt për traditën primitive që merr jetë njerëzish

Suzana Rugova Nga Suzana Rugova Më 20 prill 2018 Në ora: 09:17
Në mediet online kishte qarkulluar një video ku dukeshin Ministri i Diasporës, Dardan Gashi, Sami Lushtaku e Endrit Shala teksa gjuanin me armë zjarri pa e vrarë mendjen se mund ta lëndonin dikë.

‘’Odë e burrave dhe bajraktarëve nuk ka ma , ose jemi për shtet ligjor e demokratik ose udhëheqës të fiseve me Bajraktarë. Mos ndëshkimi i Dardan Gashit për përdorim të armëve në mënyrë të pa autorizuar, duhet të amnistoj të gjithë ata që janë duke i vuajtur dënimet, sepse kështu po reflektohen standardet e dyfishta’’, ka thënë Islami për gazetën ‘’Bota sot’’.

Në dhjetorin e vitit të kaluar, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj kishte ftuar miq e dashamirë për të festuar lirimin e tij nga akuza për korrupsion në kohën kur kishte qenë ministër i Transportit.

Oda e tij në Banjë të Malishevës, buçiste nga të shtënat e armëve. Në mediet online kishte qarkulluar një video ku dukeshin Ministri i Diasporës, Dardan Gashi, Sami Lushtaku e Endrit Shala teksa gjuanin me armë zjarri pa e vrarë mendjen se mund ta lëndonin dikë.

E krejt kjo ngjarje për Kryeministrin Haradinaj po del të jetë krejtësisht normale. Duke e arsyetuar si traditë të shqiptarëve, ndër tjerash Haradinaj kishte kërkuar që gjuajtja me armë në ahengje të mbrohej me ligj.

Sipas ligjit që e kërkonte kryeministri, mbrojtje do t'i jepej edhe Naim Sopajt që nga të shtënat në një aheng, aksidentalisht la të vdekur nipin e tij dhe e plagosi vetën.

Avokatë e ekspertë të sigurisë e vlerësojnë deklaratën e Haradinajt si deklaratë të pa vend. Madje, thonë se më nuk ka odë të burrave dhe se Kosova është shtet demokratik që ka ligje.

Avokati Tomë Gashi, duke folur për gazetën ‘Bota sot’’ thotë se hetimet për ministrin Gashi po vonohen pa arsye pasi që ekzistojnë video të filmuara nga ajo ngjarje.

Image
Tomë Gashi

Vonesa e panevojshme nga Prokuroria

‘’Është e ditur se ministri Gashi por edhe të tjerët që kanë gjuajtur në atë aheng janë nën hetime nga prokuroria kompetente. Deri sa hetimet nuk përmbyllen, ne nuk e dimë se çka do të ndodhë në atë çështje, nuk dimë se a do të ngritet aktakuzë apo jo, kjo besoj se varet nga përfundimi i hetimeve që nuk do të duheshin të merrnin shumë kohë pasi gjithçka ka qenë transparente dhe është e filmuar’’, ka thënë Gashi.

Tutje,  Gashi shton se pas rastit që ka ndodhur në Mushtisht ku si pasojë e bllokimit të armës së Naim Sopajt, mbeti i vrarë nipi i tij 14-vjeçar, Kryeministri Haradinaj, do të tërhiqet nga deklarata e thënë kohë më parë.

‘’Sa i përket secilit rast që gjykohet me armë të zjarrit gjatë manifestimeve, ato janë keqpërdorime të armëve dhe nëse janë me leje me ato duhet të merret policia apo organi kompetent që e ka lëshuar lejen për përdorim të armës, dhe në ketë rast mund edhe të merret leja. Autorizimet për bartje të armës së zjarrit të gjithë i dimë deklarimet e KM Haradinaj për rastin konkret dhe mendoj se ato nuk kanë qenë deklarime në kuadër të ligjit por të një lloj tradite të pa-koduar e që shpesh sjell raste të vrasjeve aksidentale siç ka ndodhur rasti me vrasjen aksidentale të djalit 14 vjeçar që ndodhi ditë më parë. Pas kësaj vrasjeje që ndodhi në aheng familjar nuk besoj se KM Haradinaj e ka mendimin e njëjtë për përdorimin e armëve në ahengje, gëzime etj’’, tha avokati Tomë Gashi.

Image
Arbër Zaimi

Zaimi: Mbrojtja e Dardan Gashit shembull i keq

Një prej figurave të Lëvizjes Vetëvendosjes, Arbër Zaimi thekson se figurat publike duhet të jenë shembull për qytetarët e vendit të vet sa i përket respektimit të ligjit.

‘’Mendoj se figurat publike duhet të japin shembullin e tyre sa i përket zbatimit të ligjit, për secilin ligj. Por, fatkeqësisht në Kosovë, për shkak të ardhjes në pushtet të një elite pa moral politik dhe pa kulturë ligj-zbatuese, kemi shumë ministra, deputetë, pushtetarë apo familjarë e të afërm të tyre të cilët e shkelin ligjin.

Kështu është edhe rasti i D. Gashit, dhe i qëndrimit të kryeministrit Haradinaj në mbrojtje të tij, që sigurisht e jep një shembull të keq për popullin. Klasa politike duhet pastruar prej shkelësve të ligjeve, abuzuesve. Por, këtë gjë mund ta bëjë vetëm një forcë politike e cila ka moralin dhe pastërtinë e duhur’’, tha Zaimi.

Për opinionistin, Binak Maxharraj kryeministri Ramush Haradinaj nuk është në dijeni se çfarë po bënë. Sipas tij, Gashi do të duhej të shkarkohej menjëherë nga detyra e ministrit të Diasporës.

Image
Binak Maxharraj

Papërgjegjësia e Kryeministrit

‘’Kryeministri jonë, thonë të moçmit ‘’Zoti na e lashtë shnosh’’, është hallakatë i tëri nuk po dinë se çka është ka banë, sillet si me qenë në KLLAPI. Ligjet janë të qarta, për ata që i marrin vesh. Askush nuk guxon të përdorë armë në mjediset publike. Por kjo që ka ndodhë në odën e Limajt është e mjerueshme, e papranueshme, kur aty del një gangster i pushtetit me emrin Dardan Gashit duke shtirë më armë, është e keqja e këtij vendi, është mjerimi i këtij vendi se ka po shkon. Në çdo vend demokratik, para se me u kthy në zyre do ta priste shkarkimi.  Por, kjo nuk ndodhi, për fajin e Kryeministrit Haradinaj që është i lidhur me të edhe në baza sekserësh’’, ka thënë Maxharraj.

Maxharraj, tolerimi nga kryeministri Haradinaj, kundrejt ministrit Gashi e vlerëson të dëmshëm për Kosovën. Sipas tij, ky mosndëshkim hapë rrugë për të pasur raste të tjera me fatalitet.

‘’Por edhe më e keqja që doli nga Haradinaj, duke e mbrojtur Gashin duke thanë se gjoja kjo është në traditën shqiptare, gjoja se shqiptari gjithmonë ka mbajt armë. Pra kjo është e këqija e këtij shteti. E këtij shteti të korruptuar, të kriminalizuar nga kjo klasë politikë. Mosndëshkimi, apo tolerimi qoftë edhe në heshtje i akterëve që përdorin armët në vendet publike është i papranueshëm, sepse mosndëshkimi dhe ndjekja ligjore e këtyre rasteve lejon hapësirë edhe për rastet tjera siç është rasti i 14-vjeqarit që u vra nga Mushtisht. Thjeshtë rasti i mos ndëshkimit të Dardan Gashit, sipas mendimit tim ka ndikuar dhe do të ndikojë edhe në të ardhmen që mund të kemi raste të tilla. Por, Haradinaj nuk është njeri që i zbaton ligjet, por që i shkelë ligjet. Ky harizi s'po guxon t'i shkarkoj as këta tre ministrat me aktakuza kriminale’’, përfundon Maxharraj.

Gjuajtja me armë nuk i përshtatet rregullave të jetës moderne

Image
Shkelzen Maliqi

Analisti politik, Shkelzen Maliqi nuk e arsyeton fare shkrepjen e armës në manifestime. Sipas tij, ka kaluar koha e shprehjes së gëzimit duke gjuajtur me armë duke nënvizuar se nëse dikujt i pëlqen aq shumë të gjuaj me armë, le ta shfrytëzon poligonin për ushtrim.

‘’Prej kohësh ka qenë prezente tendenca e glorifikimit të traditës sonë heroike ku një pjesë të madhe zë edhe kulti i armës. Por, nuk është çdo traditë e moçme, nga koha kur çdo fis, vëllazni e familje,  madje edhe individët, prioritet e kishin vetëmbrojtjen dhe ku mjet kryesor për këtë ka qenë mbajtja dhe përdorimi i armëve aktive dhe pushkëve. Në këtë kontekst ka mbijetuar edhe tradita e qitjes me armë nëpër dasma dhe ahengje tjera, por që kjo aspak nuk i përshtatet rregullave të jetës moderne. Ne jemi shoqëri ku ekziston kontrolli i armëve, ato nuk mund t’i posedojë gjithkush, është e domosdoshme për pjesëtarët e armatës dhe policinë dhe disa shërbime tjera shtetërore, dhe po kështu lejohen edhe armët për gjueti. Te ne, kjo ka qenë dukuri edhe në kohën e socializmit, të pushtetshmit nuk i kanë respektuar rregullat, por janë sjelle me armë sikur të ishin bajraktarë të dikurshëm, dhe kështu i kemi edhe liderët e sotëm, duke vazhduar me kultin e armëve dhe arsyetuar shkrepjet me fjalët "te na kjo është traditë", ose "Nuk mund ta ndalish burrin ta shkrep armën nga gëzimi" Mendoj se këto sjellje duhet të sankcionohen. Ata që kanë mall për të provuar armët i kanë poligonet për ushtrim’’, ka thënë Maliqi për gazetën ‘’Bota sot’’.

Kryeministri me deklarata kontraveze

Image
Avni Islami

Në anën tjetër, eksperti për çështje të sigurisë, Avni Islami, thotë se dënimet për personat që keqpërdorin armën duhet të jenë më të rënda dhe jo sa për sy e faqe.

Madje, thekson se ligjet duhet të funksionojnë për të gjithë në mënyrë të njëjtë, pa dallime.

‘’Dënimet për vrasjet dhe lëndimet e njerëzve duhet të jenë më drastike, jo simbolike. Seriozisht kryeministri po del me disa deklarata kontraveze, edhe për rastin në fjalë dhe shumë raste të tjera kanë ndodh, Haradinaj thotë se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin e në ahengun që ju po me potenconi, nxjerr në pah se pikërisht ata qe flasin për zbatim të ligjit, janë shkelësit më të mëdhenj vetë. Odë e burrave dhe bajraktarëve nuk ka ma , ose jemi për shtet ligjor e demokratik ose udhëheqës të fiseve me Bajraktarë. Mos ndëshkimi i Dardan Gashit për përdorim të armëve në mënyrë të pa autorizuar, duhet të amnistohen të gjithë ata që janë duke i vuajtur dënimet, sepse kështu po reflektohen standardet e dyfishta’’, ka thënë Avni Islami.

Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Xhelal Sveçla, bën thirrje që të shpërfillen zakonet e vjetra dhe të festohet me zemër e jo më armë. 

Image
Xhelal Sveçla

Të festohet me zemër, jo me armë

‘’Më lejoni të theksoj vetëm që përmes sjelljeve tona ne komunikojmë me të tjerët se si presim të sillen, çka është e pranueshme e çka jo dhe çka është e mirë e çka jo. Kjo vlen për të gjithë e më së shumti për personat që mbajnë poste publike por siç vërehet Kryeministri dhe të tjerët reth tij se kanë kuptuar seriozitetin e kësaj çështje. Për pasojë, vlen ajo që kemi theksuar në seancë kur është diskutuar rasti i gjuajtjes me armë nga Dardan Gashi. Kryeministri me këta persona po i bëjnë të pranueshme disa gjëra të cilat nuk ishin dashur as të jenë të diskutueshme. Rasti i Edit tregon edhe njëherë rrezikshmërinë e këtyre veprimeve, kështu që për hir të jetës bëj thirrje që të largohemi nga këto tradita. Kthejani fjalën të Zotit të shtëpisë kur ju bën thirrje me nderu me një gjuajtje e pranoni që muzika të mos ndërpritet nga zhurma e armës. Muzika e vallja besoj tregojnë mjaftueshëm gëzimin e familjeve’’, përfundon Sveçla për gazetën ‘’Bota sot’’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat