Shkarkimi i Ministrave me aktakuza rrezikon Qeverinë?

Politika

Shkarkimi i Ministrave me aktakuza rrezikon Qeverinë?

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 22 prill 2018 Në ora: 08:13
Qeveria e Kosovës

Ende pa u mbushur një vit, kabinetit të Qeverisë së Kosovës i janë ngritur akuza  për vepra të ndryshme penale.

Në fillimet e qeverisjes, zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj  kishte të bëjë me Gjykata, ndërsa, kohëve të fundit, tre ministra të kësaj Qeverie po kanë problem me drejtësinë. Ministri i ri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka një aktakuzë të ngritur për veprën penale "konflikt interesi". Kurse, Besim Beqajt, ministër i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, i është ngritur aktakuzë për rastin e aferës 'Pronto'.

Po ashtu edhe Pal Lekaj, i cili aktualisht është ministër i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, akuzohet për dy vepra penale të përvetësimit në detyrë dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Lidhur me këto akuza,  kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është deklaruar se nuk do të ndërmerr masa ndaj ministrave deri sa të ketë një vendim nga Gjykata.

Ndër tjerash, ai ka thënë se askush nuk është i mbrojtur nga ligji pasi që edhe në kabinetin qeveritarë janë ngritur aktakuza.

“Vet shpallja e aktakuzave ndaj kujtdo qoftë, në këtë rast po e dëshmon njëfarë niveli tjetër për rend dhe ligj. Mirëpo edhe veprimi për shpallje të aktakuzave janë bazuar në ligj. Një aktakuzë, një Gjykatë ose një institucion ligjor nuk e ka shqyrtuar pra, është e hershme marrja e vendimeve në nivelin tonë lidhur me këtë. Mos harroni faktin se po ngritën këto aktakuza edhe ai fakt flet, pra janë ngritur aktakuza për anëtarë të kabinetit qeverisës, pra s’qenka askush i privilegjuar, a i mbrojtur a  përjashtuar nga mundësia e shqyrtimit ligjor, por edhe veprimi ynë duhet të bëhet në bazë të ligjit, pra t’ia japim mundësinë ligjore një Gjykate që ta jep vlerësimin për këtë”, tha Haradinaj.

Por a duhen të shkarkohen këta zyrtarë me aktakuza?

Lidhur me këtë, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, Drita Millaku, ka thënë  për “Bota sot” se kryeministri Haradinaj duhet ta bëjë shkarkimin e tre ministrave pasi që e veprat e kryera të tyre janë të pakontestueshme.

Ministrat të shkarkohen

Image
Drita Millaku

“Ramush Haradinaj do të duhej ti shkarkonte që të tre këta ministra për shkakun e veprat e kryera të tyre janë evidente dhe të pakontestueshme në aspektin real të konsumit të veprës penale por drejtësia jonë dhe kodi jonë penal lejon mundësi për manipulim”, ka deklaruar ajo.

Gjithashtu, Millaku e sheh të rrugës që këta ministra të shkarkohen apo edhe të pezullohen në mënyrë që t’i hapej rrugë drejtësisë.

“Mendimi im është se Kryeministri nuk ka fuqi ta bëjë këtë sepse kjo do ti prishte balancet e interesave mafioze në këtë qeveri. Jo vetëm këta tre ministra por komplet qeveria duhet të bjerë  kjo qeveri që nga formimi nuk përfaqëson shumicën e votuesve”, ka potencuar Millaku për “Bota sot”.

Mund të shkarkohet edhe Haradinaj?

Kurse, njohësi i çështje juridike Blerim Burjani, ka thënë për “Bota sot” se ky shkarkim duhet të ndodh, por edhe kryeministri mund të shkarkohet pasi që ka një lëndë në Gjykatë.

Image
Blerim Burjani

“Shkarkimi duhet të ndodh, po mos të harrohet se edhe një lëndë në Gjykatë kushtetuese qëndron për rritjen e pagave në konflikt interesi, që mund të sjellë shkarkimin e kryeministrit për shkelje të ligjeve dhe kushtetues se shtetit, veprime të paligjshme janë bërë edhe nga kryeministri vendit me faljen e borxheve pa ligj , me akt personal të pa përgjegjshëm dhe të kundërligjshëm, tash edhe afera pronto do të sjellë pa shamngshem javën që bëjnë shkarkimin e disa adminsitrave  të kësaj qeverie zhvatës dhe absurde më e dëmshmja deri më tash për buxhetin dhe shtetin”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Për më shumë, ai ka shtuar se pasurimi i pabazë dhe nepotizimi janë problemet më të mëdha që kanë mbetur pa u trajtuar.

“Njërën tolerime zero kundër korrupsionit e në anën tjetër nuk janë në gjendje të shkarkojnë ministra të cilët akuzohen për shkelje të ligjeve dhe kushtetuese se vendit në krijimin e pa barazisë së qytetarëve. Pabarazia dhe njëanshmëri dhe pasurimi pa bazë dhe nepotizmi janë problemet më të mëdha të shteti deri më tash kanë mbetur pa u trajtuar asnjëra nga këto dukuri absurde që shkaktojnë pa barazinë dhe nxisin  keqpërdorimin e autorizmeve shtetërore”, ka përfunduar Burjani për “Bota sot”.

Klasa politike e njëjtë

Image
Nexhat Haziri

Kurse, analisti politik, Nexhat Haziri është deklaruar se nuk pritet ndonjë veprim pas që dihet se kasta politike janë të njëjtë.

“Pse duhet të pritet që kryeministri Haradinaj të vepronte ndryshe më këta ministra të cilëve u janë ngritur akuzat, kurë dihet mirë se e tërë kjo kaste politikanësh që po e qeverisë Kosovën janë të njëjtë. Dhe si të tillë këta e shantazhojën njeri-tjetrin në stilin “nëse ti mua, edhe unë ty” Megjithatë mos shkarkimi i tyre pas ngritjes së akuzave, është bërë me qëllim për të bërë presion ndaj gjykatave lidhur me këto procese dhe nuk është befasi, që këto të përfundoj me të ashtuquajturin “mungesë provash”, ka thënë Haziri.

Ai ka shtuar se shkarkimi i ministrave nga partitë tjera me të cilat është në koalicion mund të vij deri tek rënia e Qeverisë. “Pastaj mos veprimi i kryeministrit Haradinaj, lidhet po ashtu me mungesën e autoritetit të tij tek ministrat që vijnë nga partnerët qeveritar, dhe shkarkimi eventual I ndonjërit jashtë partisë së tij politike, mund të vijë deri te rënia e qeverisë, si reagim nga partia të cilës i takon ministri i shkarkuar. Andaj më e mira do të ishte, për vetë Haradinajn por edhe për Kosovën, që kjo qeveri të cilën e udhëheq ai të vet shkarkohet sa më parë”, ka përfunduar Haziri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat