Profesori ndërkombëtar flet për dështimet e presidentit: Thaçi është i preferuari në Beograd

Politika

Profesori ndërkombëtar flet për dështimet e presidentit: Thaçi është i preferuari në Beograd

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 23 prill 2018 Në ora: 21:17
Presidenti Hashim Thaçi

Që nga viti i kaluar dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë ka kaluar në nivel presidentësh. E tani qeveria ka hartuar platformën për fazën finale të dialogut, që sipas kësaj platforme, do të jetë Presidenti i vendit Hashim Thaçi që do të jetë udhëheqësi i dialogut.

Udhëheqja e dialogut nga presidenti i vendit është kundërshtuar vazhdimisht nga opozita.

E për këtë, profesori i të drejtës ndërkombëtare, Enver Bytyçi, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se bisedimet janë udhëhequr gjithmonë nga Thaçi.

“Bisedimet Prishtinë-Beograd me Serbinë kanë një histori së paku 15 vjeçare. Në fillim ishin bisedimet për statusin. Më pas bisedimet shtesë po për statusin. Dhe më 2012-ën filluan bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të cilat kulmuan me marrëveshjen Thaçi të 19 prillit 2013. Këto bisedime gjithnjë i ka udhëhequr Thaçi. Edhe kur ishte kryeministër, edhe kur ishte ministër i jashtëm, pavarësisht dekorit të Isa Mustafës. Sot dokumenti i qeverisë që do të paraqitet në kuvend parashikon që këto bisedime t'i udhëheqë përsëri Thaçi, në cilësinë e presidentit të Kosovës”, është shprehur ai.

Bytyçi ka dhënë disa arsye se pse Thaçi është në krye të këtij dialogu.

“Mandatimi i tij për të udhëhequr këto bisedime ka të bëjë me disa faktorë:  Presupozohet që ai të ketë dijeni për problematikat që diskutohen, të ketë gjithashtu përvojë nga kryesimi i grupit negociator të mëhershëm. Ky është avantazh për të dhe për suksesin e bisedimeve në fjalë. -Formalisht duket se janë dy presidentët, ai i Serbisë dhe ai i Kosovës, të cilët marrin përgjegjësinë e bisedimeve dhe marrëveshjeve që nënshkruajnë. Natyrshëm ky është gjithashtu një avantazh tjetër. Nëse Serbia përfaqësohet nga presidenti, edhe Kosova duhet të bëjë të njëjtën gjë”, vlerëson profesori.

Image
Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi

Por, ai thotë se presidenti ka dështuar në bisedimet dhe marrëveshjet që ka nënshkruar dhe tregon disavantazhet e tij në këtë dialog.

“Por Thaçi ka dështuar në bisedimet dhe marrëveshjet që ka nënshkruar. Ka dështuar se dy marrëveshjet thelbësore ajo e demarkacionit me Malin e Zi dhe ajo e Asociacionit e kanë çuar Kosovën dy herë në krizë politike dhe kanë provokuar situata të tensionuara në vend e të rrezikshme për rajonin. Në këtë kuptim ai është i pabesueshëm. Disavantazh për Thaçin, që ai të udhëheqë këto negociata, është dhe fakti se ai nuk i ka marrë asnjëherë seriozisht marrëveshjet që nënshkruan. Shkon në bisedime pa u përgatitur e pa ekspertizë. Nuk kalkulon pasojat që vijnë nga nënshkrimi i marrëveshjeve dhe për pasojë ka shkaktuar aq shumë dëme për Kosovën dhe shtetësinë e saj. Ky fakt i provuar tashmë do të ishte i mjaftueshëm që Thaçi të mos mandatohej për udhëheqjen e këtyre bisedimeve, të cilat konsiderohen si finalizuese, por nuk besoj se do jenë të tilla”, vlerëson Bytyçi për “Bota sot”.

Sipas tij, ai ka mungesë të racionalitetit, që është një minus i madh për të.

“Thaçi është dëshmuar euforik në bisedime dhe në deklarata. Që kur nisën negociatat është deklaruar se "Serbia do ta njohë shtetin e pavarësinë e Kosovës", madje duke vënë dhe afate. E gjithnjë ka ndodh e kundërta, pozitat anti-shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë vetëm sa janë forcuar! Kjo do të thotë se presidenti i Kosovës "bën petulla me ujë" dhe mungesa e racionalitetit është një minus i madh për një kryenegociator”, shprehet tutje.

Ai vlerëson se Thaçi është i preferuari në Beograd dhe se bashkë me Ramën dhe Vuçiçin bëjnë trion për ndarjen e Kosovës.

“Ajo që ka prodhuar në bisedimet e kaluara e bën të dëmshëm jo vetëm kryesimin, por edhe prezencën e Thaçit në bisedimet me Serbinë. Ndërkohë është e sigurt se ai është i preferuari i Beogradit që ta përfaqësojë Kosovën në këto bisedime, përveçse edhe i preferuari i Brukselit dhe i Parisit. Në Berlin asnjëherë nuk ka qenë i preferuar presidenti i Kosovës. Si i preferuar i Vuçiç, Thaçi është edhe i preferuari i Ramës. Me Thaçin krijohet lidhja e pathyeshme e treshes Vuçiç-Rama. Këta bëjnë trion e melodisë serbe të ndarjes së Kosovës”, ka deklaruar profesori.

Sipas tij, është i rrezikshëm kryesimi i dialogut nga ai, derisa përmend deklaratën e Daçiq për Kosovën, duke thënë se ndarja e saj do të bëhet me ndërmjetësimin e Ramës.

“Prandaj e shoh të rrezikshme kryesimin prej tij të delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë. Thaçi, në vijim të strategjisë së Serbisë për ndarjen e Kosovës, do të mbajë qëndrime radikale në bisedime, do të bëjë që faktori evropian të krijojë përshtypjen se "e vetmja zgjidhje mbetet ndarja, pasi palët nuk merren vesh për asgjë"! E tha para tri ditësh Daçiç, Nëse nuk lidhet një marrëveshje, atëherë Kosova do të bashkohet me Shqipërinë. Tha gjithashtu se nuk mundet që Kosova t'i fitojë të gjitha e Serbia të humbasë gjithçka. Nëse e përkthejmë këtë deklaratë, do të thotë se Prishtina e Beogradi, me ndërmjetësimin e Ramës, kanë rënë dakord që të punojnë për dështimin e bisedimeve dhe kësisoj për të pasur një finale tjetër, bisedimet për ndarjen e Kosovës. Kjo është strategjia që ka planifikuar të ndjekë Beogradi dhe si ndihmës në këtë strategji Serbia ka kryeministrin e Shqipërisë dhe presidentin e Kosovës”, ka përfunduar Enver Bytyçi për “Bota sot’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat