I dorëhequri nga Vetëvendosja: Grupi që kaluan në PSD, të kërkojnë falje

Politika

I dorëhequri nga Vetëvendosja: Grupi që kaluan në PSD, të kërkojnë falje

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 13 maj 2018 Në ora: 11:28
Foto nga tubimi i PSD

Aderimet që ndodhën në Partinë Social Demokrate nga të dorëhequrit e Lëvizjes Vetëvendosje, i ka komentuar për “Bota sot” ish- kandidati për deputet i VV-së, Leon Duhanaj.

Ai thotë se suksesi në PSD-në, varet nga vetë ata se si do ta menaxhojnë subjektin e ri, pasi në Vetëvendosje nuk patën mundësi për një përafrim të tyre.

“Ndarja e një grupimi të madh nga një subjekt i cili supozohet ta ketë marrë një pjesë dërmuese të partisë dhe që ka përfaqësim parlamentar nga një grup prej 12 deputetëve, nuk është ndarje e thjeshtë. Aq me pak, kur ky grup tanimë udhëheqë edhe me dy komuna ku njëra nga to është kryeqyteti. Grupi i larguar, e zgjodhi jo rrugën e konfrontimit për ta synuar subjektin Vetëvendosje. Kjo edhe pse iu pamundësua në mënyrën me të sofistikuar nga ky subjekt, duke mos iu lënë asnjë hapësirë asnjë shans për ndonjë përafrim dhe prapë se prapë duke i lënë fajtorë për ndarjen. Pra, këtyre nuk u mbeti gjë tjetër, pos zgjedhjes; të themelojnë parti të re, apo t'i ofrohen ndonjë subjekti. Tani që iu bashkuan Partisë Socialdemokrate, duke e nxjerrë nga pluhuri i së kaluarës, kanë një moment të ri, i cili garanton ose jo suksesin, varet nga vetë grupi se si e menaxhon këtë situatë të re”, tha Duhanaj.

Image
Leon Duhanaj

Ai thotë se të aderuarit në PSD, duhet të distancohen nga trashëgimia e Vetëvendosjes, mirëpo thekson se nuk duhet harruar që edhe ata ishin pjesë aktive e metodave të VV-së, si linçimet, shantazhet, shpifjet etj, e për këtë, Duhanaj thotë që ata duhet të kërkojnë falje. Sipas tij, PSD-ja nuk do të jetë parti revolucionare në skenën politike.

“Për mendimin tim, në radhë të parë, do duhet të shkëputeshin nga trashëgimia e së kaluarës nga ish- subjekti LVV-je. Sot, pjesëtarë nga ku grup, tashmë subjekti PSD, ankohen për shumë gjëra duke denoncuar LVV-je, për mungesë demokracie të brendshme, për linçim, për shantazh e shpifje. Por, këta nuk duhet harruar, se kanë qenë edhe vetë ata që kanë qenë pjesë aktive e këtyre metodave dhe gjerë me tani asnjëri nuk u distancua nga e kaluara. Pastaj, është edhe tjetra, për mendimin tim edhe me e rëndësishme. Është mohimi që të njëjtit i kanë bërë shtetit, Kushtetutës dhe simboleve të tij. Këta tashmë duhet si parti, të distancohen publikisht nga veprat e tyre të së kaluarës. Për ndryshe, nuk besoj që pa kërkuar të falur është mirë të presësh falje. Tjetër, çfarë për mua është e vështirë të kuptohet, dhe këtë e kam thënë edhe më herët. Pra, për të synuar një profil të ri, kërkohet deklarim i qartë dhe distancim nga shumë veprime të kaluara, pastaj, të presin përkrahje nga qytetarët. Për mendimin tim, do të kenë të vështirë të synojnë marrjen e epitetit të ndonjë partie e cila ofrohet si zgjidhja e problemeve. Këndej, unë besoj që ky subjekt do ta zë një vend në skenën politike kosovare, por nuk do të arrijë të bëjë ndonjë revolucion. Për ta ndryshuar rrënjësisht skenën politike, kërkohet mbi të gjitha durim, profesionalizëm, sinqeritet. Nuk e di a i ka ky grup këto tipare, sepse nuk besoj që këto tipare janë pjesë e jetës politike kosovare”, u shpreh për “Bota sot” Leon Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat