“SHBA mund të marrë vendime të prera, shpejton dialogun Kosovë-Serbi”

Politika

“SHBA mund të marrë vendime të prera, shpejton dialogun Kosovë-Serbi”

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 17 maj 2018 Në ora: 15:51
Hashim Thaçi, Federica Mogherini dhe Aleksandar Vuqiç

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, ka thënë se ky vit duhet të jetë viti i suksesit në dialog, vit që të arrihet përparim në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.

“Mendoj se po ndodhin gjëra që janë pozitive lidhur me dialogun. Është me rëndësi që të dy anët t’i përmbushin obligimet që tashmë i kanë ndërmarrë. Sigurisht që Kosova ka ndihmuar me këtë duke filluar hartimin e statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Por, mendoj se është me të vërtetë e rëndësishme që 2018-a të jetë viti i suksesit në dialog: që disi të ecet përpara në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të arrihet përparim. Për ta arritur këtë, mendoj se të gjithë duhet të mendojnë me shumë kreativitet dhe të përqendrohen në marrëveshjen përfundimtare”, është shprehur ai gjatë një interviste televizive.

Sipas tij, nuk ka kohë më të mirë se viti 2018 që kjo të ndodhë.

“Po shpresoj këtë vit, absolutisht. Mund të them se s’ka kohë më të mirë se tani”, ka deklaruar Delawie.

Image
Fadil Lepaja

Lidhur me këtë, se sa ka mundësi që ky vit të jetë vit i suksesit të dialogut Kosovë-Serbi, njohësi i çështjeve politike në vend, Fadil Lepaja, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se administrata amerikane aktuale ka prirje që t’i shpejtojë proceset.

“Administrata aktuale amerikane, ka prirje t’i shpejtojë proceset dhe të marrë vendime të prera për dallim prej të mëparshmes. Kjo e ka bërë atë katalizatore të disa proceseve të cilat nën mbikëqyrjen e BE-së janë zhagitur për shkak të problemeve të njohura me vendimmarrjen. Kështu, mendoj se janë të dukshme konturat e një pozicionimi të fortë amerikan ndaj të gjithë rivalëve kryesor në skenën botërore, si Irani, Rusia , e pse jo edhe Turqia dhe Kina”, është shprehur ai.

Sipas Lepajës, miqtë ndërkombëtarë, sidomos SHBA, kanë interes që shqiptarët dhe serbët të kenë marrëdhënie të mira.

“Në rastin tonë janë me interes lëvizjet dhe angazhimet e nxitura nga interesat perëndimore në Ballkanin Perëndimor dhe në këtë kontekst, roli i Serbisë është i rëndësishëm, dhe marrëdhëniet e mira serbo-shqiptare janë interes i drejtpërdrejtë i miqve tonë ndërkombëtarë, pra SHBA në veçanti. Duke u nisur nga këto, mendoj se angazhimi i miqve tonë, do të jetë që ky proces të shpejtohet dhe të merren vendime afatgjata”, ka deklaruar Fadil Lepaja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat