Haradinaj “duar lidhur” para partnerëve të koalicionit

Politika

Haradinaj “duar lidhur” para partnerëve të koalicionit

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 18 maj 2018 Në ora: 10:16
Ramush Haradinaj

“Ramush Haradinaj, s’ka as forcë politike as guxim me shkarku asnjë zëvendës ministër për shkak të mos punës, për shkak të matematikave të koalicionit. Ai edhe në takim me ta ka marrë më shumë ankesa për mosfunksionimin e këtij koalicioni anakronik kur s’ka koordinim mes vartësve. S’ka se si të funksionoj ndryshe, kur ky koalicion s’ka shumicë dhe ka më shumë se 3 kryeministra” ka thënë deputeti Haxhi Avdyli.

Diskutimet rreth mundësisë se riformatimit të Qeverisë aktuale dhe shkarkimit të mundshëm të disa prej zëvendësministrave, si duket do të mbesin vetëm diskutime, pasi që sipas Qeverisë se Kosovës, institucionet nuk kanë nevojë për riformatim dhe nuk është i nevojshëm asnjë riformatim i tillë. Numri i lartë i zëvendësministrave në Qeverinë e Kosovës, ka shtyrë vendet mike të Kosovës dhe zyrën e BE-së në Prishtinë, të kenë kritika të vazhdueshme.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në mbledhjen e kaluar të Qeverisë, i ka informuar ministrat e tij në lidhje me raportin e punës dhe takimin që ka pasur me zëvendësministrat.

Ai ka kërkuar nga ministrat që t’iu gjejnë sa më shumë punë zëvendësve të tyre.

“Kam mbajtur një takim me zëvendësministrat. Shumica kanë dëshmuar një shkallë të seriozitetit në punë. Janë raporte të aktiviteteve të tyre. Kam kërkuar që në të ardhmen me i mat efektet. Një lutje e kam për ministrat; që të koordinoheni me ta më shumë për punët javore”, ka theksuar Haradinaj.

Sipas tij, kjo është praktikë e mirë sepse mund të nxirren më shumë efekte të mira.

“Edhe pse është një numër i tillë çfarë është e që është 74, arsyeshmëria mund të argumentohet nëse atyre iu nxjerrim punë. Iu kisha lut jepuni punë”, u tha Haradinaj ministrave.

Image
Avni Arifi

Arifi: Nuk ka plan për riformatim

Shefi i kabinetit të kryeministrit Avni Arifi, ka hedhur poshtë mundësinë që Qeveria Haradinaj, të riformatohet, pasi sipas tij një gjë e tillë nuk është e nevojshme.

“Jo nuk pritet të ketë riformatim të Qeverisë. Nuk ka plan e as nuk shihet e nevojshme riformatimi i qeverisë” ka thënë Arifi për “Bota Sot”.

Numri i madh i zëvendësministrave në Qeverinë Haradinaj, ka bërë që se fundmi të diskutohet edhe ri formatimi i qeverisë. Kjo lë të kuptohet se edhe mund të ketë shkarkim të disa zëvendësministrave për të cilët është diskutuar dhe vazhdon të diskutohet aq shumë.

Qeveria e Kosovës, aktualisht numëron më shumë se 70 zëvendësministra, çka nuk ka pasur asnjëherë ndonjë qeveri në të kaluarën dhe nuk dihet saktësisht se çfarë pune bëjnë.

Qeveritë e kaluara të Kosovës, kohë pas kohe bënin të zëshëm mundësinë e riformatimit të qeverisë.

Por, një gjë e tillë nuk mendohet të ndodhë në Qeverinë Haradinaj. Madje, tani për tani nuk mendohet se ndonjë prej ministrave, të cilët janë në udhëheqje e sipër mund të dështojnë.

Image
Haxhi Avdyli

Haradinaj pa guxim

Lidhur me këtë, deputeti nga radhët e LDK-së në Kuvendin e Kosovës, Haxhi Avdyli, ka thënë për “Bota Sot”, se matematikat e koalicionit qeverisës nuk do të lejojnë qeverinë që të shkarkojë ndonjë zëvendësministër nga Qeveria Haradinaj.

“Ramush Haradinaj, s’ka as forcë politike as guxim me shkarku asnjë zëvendës ministër për shkak të mos punës, për shkak të matematikave të koalicionit. Ai edhe në takim më ta ka marrë më shumë ankesa për mosfunksionimin e këtij koalicioni anakronik kur s’ka koordinim mes vartësve. S’ka se si të funksionoj ndryshe, kur ky koalicion s’ka shumicë dhe ka më shumë se 3 kryeministra” ka thënë deputeti Avdyli.

E politologu Ramush Tahiri, ka thënë për “Bota Sot” se emërimi i zëvendësministrave është bërë më marrëveshje dhe se të njëjtit nuk kanë asnjë kompetencë apo sektor të veçantë.

“Jo  ata janë më marrëveshje dhe si vend pune e rrogë po pa asnjë kompetencë apo sektor të veçantë dhe pa asnjë ndikim  siç e dëshmon edhe Gjergj Dedaj. Përveç që mbesin pa vend pune asnjë ndikim në qëndrueshmërinë e koalicionit qeveritar se kanë” ka thënë politologu Ramush Tahiri.

Image
Faton Abdullahu

Abdullahu: Riformatimi humbje kohe

Kurse, njohësi i çështjeve politike në vend Faton Abdullahu, ka shpjeguar se ri formatimi i qeverisë e cila nuk e ka shumicën dhe e ka humbur legjimitetin është humbje kohe.

“Riformatimi i një Qeverie e cila i ka shtyrë edhe pozitën edhe opozitën që përmes Tryezave e Platformave të kërkojnë rrugëdalje e marrëveshje, të cilat nuk mund të gjenden as arrihen në vendet ku duhet, pra në institucionet e para legjitime, është vetëm humbje kohe. Riformatimi i Qeverisë e cila nuk e ka shumicën, që do të thotë se ka humbur legjitimitetin, është gjithashtu humbje kohë. Riformatimi i saj, i cili unë besoj se do të ndodh si një retushim politik, nuk mund të ja kthej legjitimitetin e humbur. Ri formatimi nuk mund të ja rris numrat kësaj Qeverie për ta legjitimiuar, as dhënë mundësi për të iniciuar e përfunduar punë të mëdha” ka thënë Abdullahu.

Sipas tij, kjo Qeveri është e destinuar që të merret me punë minore. Për më shumë, kur punët e saj i kryen dikush tjetër, tek ajo nuk ka as edhe hatër mbetje, sepse as këtë ajo nuk ka kurajo për ta shprehur. “Kjo Qeveri, është pajtuar të merret me ‘troshat qeverisëse’ që mbesin pasi të tjerët kryejnë punë të mëdha, shpesh në mënyrë klandestine.  E keqja më e madhe është se, disa herë ajo, jo vetëm tërthorazi, pajtohet që këto punë të inicohen e kryhen edhe nga Beogradi zyrtarë, konkretisht nga Lista Serbe, tek e cila kjo Qeveri është mbështetur shumë, jo për të fituar Kosova, por vetëm për të ardh në pushtet” ka thënë për “Bota Sot” njohësi i çështjeve politike në vend Faton Abdullahu.

Image
Mentor Tahiri

Tahiri: Koalicion aktual ka një shumicë të brishtë parlamentare

Edhe politologu Mentor Tahiri,  ka thënë se ekzistimi i Qeverisë Haradinaj, varet nga kompromiset ndërpartiake ndërmjet partnerëve të koalicionit.

“Në këtë drejtim duhet parë edhe ndryshimet e mundshme në ndonjërin prej dikastereve. Pika më kritike e deritanishme e “harmonisë” ndërmjet partive në pushtet ishte shkarkimi i Ministrit të Brendshëm, por ishim dëshmitarë se edhe kjo ndodhi vetëm pasi u pajtua AKR si parti nga e cila vinte ministri. Ky koalicion aktual ka një shumicë të brishtë parlamentare pas tij, andaj çfarëdo veprimi qoftë ky riformatim apo ndoshta në formën e ndryshimeve më të vogla, do të trajtohet me kujdes të tillë që shumica parlamentare të mos vihet në pikëpyetje” ka thënë Tahiri për “Bota Sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat