Asociacioni, kriter i radhës për liberalizimin e vizave?

Politika

Asociacioni, kriter i radhës për liberalizimin e vizave?

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 19 maj 2018 Në ora: 18:49
Foto ilustrim

Të mërkurën, raportuesja e Parlamentit Evropian për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, Tanja Fajon, ka deklaruar se janë përmbushur kriteret e fundit për  lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës.

Këtë lajm, Fajon e ka bërë të ditur përmes një postimi  në Facebook  pas takimit me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Enver Hoxhaj në Bruksel.

“Patëm një takim me ZëvendësKryeministrin e Kosovës, Enver Hoxhaj dhe një diskutim një orë e gjysmë të situatën në Kosovë. Ne ramë dakord që heqja e vizave për njerëzit në Kosovë është një qëllim i përbashkët, pasi vendi ka përmbushur kushtet e fundit”, ka deklaruar Fajon.

Bunjaku- Rexhepi:  Lëvizjen e lirë të qytetareve e ka mundësuar LDK me votën pro për Demarkacionit

Zëvendësministri i punëve të jashtme, Anton Berisha nuk beson që do të ketë ndryshim të kritereve dhe se shpreson që vendi do të shkojë në ketë ritëm të zhvillimit që të bëhet pjesë e proceseve liberalizuese dhe integruese.

Image
Anton Berisha

“Nuk besoj që mund të këtë ndryshime ngase kriteret kanë qenë të paracaktuara. Po ashtu shpresojmë se do të mbahet ritmi pozitiv i zhvillimeve në Kosovë, ashtu që të bëhemi pjesë e proceseve liberalizuese dhe integruese”, ka thënë Berisha për “Bota sot”.

Lidhur me këtë, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku- Rexhepi, ka theksuar për “Bota sot” se nëse  BE kërkon kritere shtesë, Qeveria e Kosovës do të duhej që të dorëhiqet.

“Lëvizjen e lirë të qytetarëve e ka mundësuar LDK me votën pro për Demarkacionit. Me këtë qeveri është e mundur që BE të kërkojë edhe kritere shtesë, prandaj është në të mirë të qytetarëve që kjo qeveri të tërhiqet vetë. Mendoj që i bëjnë nder qytetarëve të Republikës të japin dorëheqje. Thjesht është e qartë këtë situatë e kanë kuptuar gjithë qytetarët se kjo qeveri nuk di të udhëheq”, ka deklaruar deputetja e LDK-së.

Në fund, ajo ka thënë se, nëse BE kërkon kritere shtesë kjo qeveri ky President dhe ky Kryeministër nuk ka mundësi  t`i plotësojë, sidomos eliminimin e korrupsionit

Ndërkaq, deputetja e Kuvendit të Kosovës, nga Lëvizja Vetëvendosje, Drita Millaku, për deklaratën e  Fajon ka potencuar se duhet që të ngutemi duke i cilësuar deklaratat e politikaneve perëndimorë, por do të duhet që qeveria t`i kryejë detyrat  e dhëna nga BE-ja.

Image
Drita Millaku

“Për sa i përket liberalizimit të vizave unë mendoj se ne nuk duhet të ngutemi në cilësimin e deklaratave të politikanëve perëndimorë, por duhet që i gjithë aparati i shtetit të kryejë detyrat e ngarkuara nga ana e BE-së”, ka theksuar deputetja për “Bota sot”.

Kushti tjetër Asociacioni?

Sipas, Millakut, qeveria e Kosovës do të duhet që të fokusohet në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, sidomos tek peshqit e mëdhenj, mirëpo ajo shpreh frikë se mund të vendoset si kusht Asociacioni i komunave serbe për liberalizmin e vizave.

“Unë mendoj, se ne kemi punë për të bërë në relacion me korrupsionin dhe krimin e organizuar e sidomos të ashtuquajturit peshqit e mëdhenj, pra qeveria jonë duhet fuqishëm të fokusohet në  këtë pikë dhe të bëjë më tepër jo vetëm  si kusht i vënë nga BE për edhe të vënë standarde të cilat duhet të respektohen nga të gjitha nivelet. Kam shumë frikë se kushti tjetër për liberalizim do të jetë Asociacioni kjo do të ishte katastrofale”, ka thënë Millaku për “Bota sot”.

Kurse, Selim Daku, drejtor i Qendrës Kosovare për Diplomaci, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, e ka cilësuar  se deklarata e Fajon tregon gjendjen reale të situatës dhe se asnjë kush tjetër nuk e  pengon që qytetarët e Kosovës të lëvizin të lirë.

“Tanja Fajon ka deklaruar vetëm gjendjen reale dhe të situatës. Qytetarët e Kosovës asnjë kusht tjetër nuk i pengon për lëvizje pa viza në zonën schengen. Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi ka qenë si kusht jo i drejtë edhe si i tillë ka përmbyllur kushtet kryesore për zhvillimin e procedurave drejt librealizimit të vizave për Kosovën”, ka thënë kreu i  Qendrës Kosovare për Diplomaci për “Bota sot”.

Image
Selim Daku

Për më shumë, ai ka shtuar se nuk mund të ketë kushte të reja për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Nuk mund të ketë kushte të reja për liberalizimin e vizave për Kosovën. Edhe pse liberalizimi i vizave është çështje vullneti i shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Demarkacioni ka qenë kushti i fundit që ka penguar avancimin e procedurave për lëvizje pa viza. E si i tillë ka mund të përfundojë me një akt. EULEX-i është mision i BE-së për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, që nënkupton se nuk mund të jetë pengesë një kusht, përmbushja e të cilit është përgjegjësi edhe e atij që e vë si të tillë.  Kosova ka përfunduar obligimet e saj për liberalizimin e vizave, prandaj shteti duhet të orientohet në zhvillimin e mëtejmë zbatimit të MSA-së që garanton realizim të aspiratave integruese”, ka deklaruar Daku për “Bota sot”.

Tahiri: BE nuk do të vë kushte shtesë për Kosovën

Kurse, politologu Mentor Tahiri ka thënë se raportuesja e BE-së Fajon, ka vlerësim pozitiv për plotësimin e kushteve nga Kosova dhe se institucionet e vendit duhet të dëshmojnë përmirësimin në sundimin e ligjit.

“Raportuesja Tanja Fajon ka vlerësim pozitiv lidhur me plotësimin e kushteve nga ana e Kosovës. Por, një vendim lidhur me liberalizimin e vizave, varet nga një sërë mekanizmash vendimmarrës në kuadër të BE-së. Institucionet e Kosovës duhet me veprime konkrete të dëshmojnë përmirësimin në sundimin e ligjit”, ka shtuar ai për “Bota sot”.

Image
Mentor Tahiri

Më tutje, ai ka theksuar se BE-ja nuk është e interesuar që t`i vë kritere të reja Kosovës, por sipas tij qeveria e Kosovës nuk e ka marrë seriozisht  dinamikën e luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“BE nuk është e interesuar që të vë kushte shtesë për Kosovën lidhur me liberalizimin e vizave. Por, është e qartë se luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar është një kriter i pa kapërcyeshëm. Duhet pranuar se Qeveria e Kosovës nuk e ka marrë shumë seriozisht dinamikën e cila kërkohet. Qeveria e Kosovës duhet të dallojë përkrahjen nga zonja Fajon si një momentum kyç i cili nuk bën të humbet”, ka përfunduar Tahiri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat