Nënshtrimi ndaj Listës Serbe nga Haradinaj dhe arsyeja e shkarkimit të ish ministrit Sefaj

Politika

Nënshtrimi ndaj Listës Serbe nga Haradinaj dhe arsyeja e shkarkimit të ish ministrit Sefaj

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 20 maj 2018 Në ora: 08:11
Flamur Sefaj, Ramush Haradinaj dhe Shpend Maxhuni

E ushtroi detyrën e ministrit te Punëve të Brendshëm për 7 muaj rresht. Është ky Flamur Sefaj, anëtar i Aleancës Kosova e Re, i cili pranoi dorëheqjen që ia kishte kërkuar shefi i qeverisë Ramush Haradinaj. Por Sefaj, nuk e pranoi asnjëherë arsyetimin e këtij të fundit, se lirimi nga detyra e bëri pas arrestimit dhe deportimit  të gjashtë shtesave turq.

Të paktën kështu ishte bërë e ditur edhe në letrën e dorëheqjes të cilin ish ministri Sefaj e ofroi.

“Të dashur qytetarë, Edhe pse nuk isha dakord për arsyen e dhënë në kërkesën për lirimin e pozitës së ministrit të Punëve të Brendshme, sot ofrova dorëheqjen time të parevokueshme.

Për mua ishte privilegj, nder dhe krenari qe i shërbeva vendit tim për 7 muaj rresht.

Dua t’i siguroj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, se operacioni i Policisë tonë në veri të Kosovës, mbrojti Kushtetutën dhe principet e shoqërisë sonë multietnike”, thuhej në letrën e dorëheqjes.

Pas dorëheqjes, reagimi i ish ministrit nuk ishte shumë i gjatë.

“Unë nuk mbroj koalicione, unë e mbroj Kushtetutën! Në Kosovë politikani vlerësohet nga numri i "kokave që arrin t’i presë". Largimi im ka prapavijë të lojërave politike të stilit ballkanik, të një mendësie rurale” kishte thënë Sefaj.

Tek në muajin maj po del se fjalët e Flamur Sefajt, ku kishte thënë se nuk është shkarkuar për shkak të deportimit dhe arrestimit te gylestineve, po del të jenë të vërteta.

Të paktën kjo po vërtetohet edhe nga Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i cili në një intervistë foli edhe rreth largimit të Ministrit të Punëve të Brendshme Flamur Sefaj dhe shefi të AKI-së, Driton Gashi. Sipas Thaçit, Sefaj ishte larguar nga pozita e ministrit më shumë për rastin e Gjuriqit, se sa të arrestimit dhe deportimit të shtetasëve turq.

“Unë besoj se ministri është larguar për shkak të reagimit ndaj Gjuriqit se sa për rastin tjetër. Për mua ka qenë ministër i mirë dhe i përgjegjshëm. Edhe shefi i AKI-së ka kryer një punë shumë të mirë, por rrethanat politike kërkuan që të ndodhë ajo që ndodhi”, tha Thaçi,

Mirëpo cili është qëndrimi i partisë të cilës i takon Flamur Sefaj dhe cila mund të jetë  arsyeja e vërtetë e shkarkimit të Sefajt?

Deklaratat e Thaçit, të pakuptimta

Image
Vesel Makolli

Sekreti organizativ i Aleancës Kosova e Re, Vesel Makolli, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se deklarata e presidentit Thaçi është plotësisht e pakuptimtë.

 “Qëndrimi i AKR-se ndaj kësaj deklarate te president Thaçi, është se ne kemi vepruar ashtu qe kryeministri ka kërkuar shkarkim e Flamur Sefajt për shakë të rastit me gylensitët apo turqve që ka qenë me të vërtetë një rast që duhet dikush të jap përgjigjeje, edhe pse gabimi nuk ka qenë aspak i ministrit tonë ngase ai ka menduar që kryeministrin Haradinaj do ta informojë ish drejtori i AKI-së Driton Gashi, kështu që Ministri Flamur Sefaj nuk është shkarkuar për shkak të rastit Gjuriq, por për shkak të gylenisteve. Lista Serbe ka mundur të dërgojë kërkesë në qeverinë mirëpo jam plotësisht i sigurt që kjo kërkesë as që ka ardhur në pyetje. Ajo çfarë është thënë nga presidenti Thaçi është e pakuptimtë pasi që dihet se çfarë jehonë ka pasur rasti i Gjuriqit e çfarë rasti i Gylenistëve, edhe pse Marko Gjuriqi pas arrestimit u lirua menjëherë”, deklaroni ai.

“Haradinaj plotësisht i varur nga Lista Serbe”

Image
Valentina Bunjaku Rexhepi

Kurse, deputetja e Lidhjes Demokratik të Kosovës, Valentina Bunjaku Rexhepi në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se nga presidenti Thaçi nuk mund të pritet diçka tjetër.

“Thaçi nuk zbulon asgjë, ndërsa  Haradinaj është tërësisht i varur nga Lista Serbe. Shkarkimi i ish Ministri Flamur Sefaj nuk është lajm, ngase nga Thaçi pritet gjithçka. Gjithashtu edhe kjo qeveri nuk është e rregullt dhe e çakorduar andaj edhe nga kjo qeveri pritet pothuajse e njëjta”, ka përfunduar Rexhepi.

Mafia politike e udhëhequr nga Thaçi

Ndërsa, njohësi i zhvillime politike në vend, Haki Abazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se fakti që Sefaj është larguar, ndërsa Maxhuni është mbrojtur me çdo kusht, tregon se këtu ka të bëjë për mafien politike të udhëhequr nga Thaçi.

Image
Haki Abazi

“Qasja joserioze për zhvillimet në vend ka sjellë vendin në gjunjë. Arrestimi i pafytyrësh, spektakolar i Gjuriqit dhe me dëme të mëdha në arenën ndërkombëtarë për Kosovën, tregon nivelin e naivitetit dhe trajtimit pa respekt të institucioneve. Pas akuzave të gjykatësit ndërkombëtare për Thaçin dhe se si i ka mbetur borgj atij për shërbimet kryera, për premtimet e panumërta e të paralizuara të Thaçit, nuk kam se si me marr seriozisht atë njeri, por dëmi që ka shkaktuar ai edhe ne rastin Gjuriqit por sidomos në rastin e kapjes së qytetareve turq që po ashtu kanë qenë mësues të fëmijëve të tyre tregon se këta njerëz  nuk janë seriozë”, është shprehur Abazi.

“Arsyeja pse vetëm Flamur Sefaj është larguar është se ai përkundër që ka qenë një ndër ministrat më të mirë, si duket ka qenë gjithashtu naiv dhe ka besuar që mund të veprojë në bazë të fjalëve apo ndoshta nuk po i bën publike komunikimet zyrtare e protkolare. Gjithashtu vetë fakti që Sefaj është larguar ndërsa Maxhuni është mbrojtur me çdo kusht tregon se këtu ka të bëjë për mafien politike të udhëhequr nga Thaçi që e kanë në interes të tjerëve për interes të vetes dhe askujt tjetër”, ka përfunduar Abazi

Thaçi, njeri që e hedh gurin dhe e fsheh dorën

Image
Faik Krasniqi

Ndërsa, analisti politik Faik Krasniqi, është shprehur  për “Bota sot”, se pasojat dhe barra e gjitha veprimeve dhe pisllëqeve të Presidentit Thaçi, do t'i faturohet kryeministrit Haradinaj.

“Presidenti Thaçi ka qenë gjithmonë dinak në veprimet e tij. Është njeri që e hedh gurin dhe e fsheh dorën. Dinakërinë e tij e ka treguar edhe me shokët dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë. Nëse ish ministri Flamur Sefaj është shkarkuar për shkak të atij arrestimi-spektakël të Gjuriqit, atëherë shkarkimi i tij paska ardhur me urdhër të Vuçiqit, me presion të Thaçit dhe vendim të shkarkimit nga ana e kryeministrit Haradinaj, sepse ministrat mund t'i shkarkoj vetëm kryeministri. Mirëpo jam mëse i bindur që as ish ministri Sefaj e as kryeministri Haradinaj nuk kanë qenë në dijeni për këtë veprim, por Presidenti Thaçi këtë veprim e ka bërë përmes tashmë ish drejtorit të Policisë Shpend Maxhuni, të cilin e shpërbleu me postin e të parit të AKI-së, për shkak të zbatueshmërisë të urdhrave të tij. Sidoqoftë, pasojat dhe barra e gjitha veprimeve dhe pisllëqeve të Presidentit Thaçi, do t'i faturohet kryeministrit Haradinaj”, ka dekalruar Krasniqi.

Kujtojmë se Flamur Sefaj u bë pjesë e qeverisë si emër i panjohur që në skenën polikë në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat