LDK-ja i kundërpërgjigjet ashpër Ramush Haradinajt

Politika

LDK-ja i kundërpërgjigjet ashpër Ramush Haradinajt

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 20 maj 2018 Në ora: 13:08
LDK

Kryeministri i Kosovës, tha dje në një intervistë se LDK-ja po punon kundër liberalizimit të vizave. E zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj, përmes një prononcimi për “Bota sot”, i është kundërpërgjigur Haradinajt, duke thënë se i gjithë  opinioni i gjerë e dinë mirë se kush e ka vonuar liberalizimin e vizave dhe kush kishte dëmtuar pakthyeshëm imazhin e Republikës se Kosovës.

“Kryeministri Haradinaj, por edhe opinioni i gjerë e dinë mirë se kush e ka vonuar liberalizimin e vizave dhe kush kishte dëmtuar pakthyeshëm imazhin e Republikës se Kosovës. Kosovarët do të gëzonin liberalizimin e vizave tash e tri vite më parë po mos te ishin metodat primitive të dhunës të cilat i kishte përdorur ish-opozita, pjesë substanciale e së cilës ishte edhe AAK-ja e Ramush Haradinajt. Aprovimi i po të njëjtës marrëveshje provoi se kjo ishte bërë kryekëput për të marrë pushtetin me dhunë. Edhe pse edhe ata e kishin gabim atëherë, prapëseprapë, Lëvizjes Vetëvendosje dhe deputetëve të dalë nga ajo lëvizje ju mbeti , siç thotë populli, një “copë” fytyre, pasi që ata qëndruan pranë pozicioneve të tyre të mëhershme; edhe pse, sikur te vinin në pushtet, sigurisht që edhe këta do ta bënin të njëjtën që e bëri Qeveria Haradinaj”- u shpreh Gecaj, përfaqesues i LDK-së.

Image
Bajram Gecaj

Ai theksoi se LDK-ja nuk do ta përkrah qeverinë Haradinaj, më të keqen që nga paslufta sipas tij, e tutje shton se nëse liberalizimi i vizave nuk do të ndodh, kjo do të jetë krejt për shkak të Haradinajt dhe partisë së tij.

“LDK nuk ka hapur zoti Haradinaj as fare garë për kryetar të partisë, por këto janë vetëm iluzionet dhe dëshirat e kundërshtarëve të jashtëm , të cilëve u pengon LDK-ja e fuqizuar si në kohën e Ibrahim Rugovës. Vendi ka nevojë për qeveri të mirëfilltë, prandaj, mos pritni që LDK do të përkrah qeverinë më të keqe të cilën ky vend e ka pasur në periudhën e pasluftës. Prandaj, është hipokrizi e pastër kërkesa e Kryeministrit Haradinaj që të kërkojë nga LDK të mos bëjë “kësi gabimesh”! LDK, e cila i rezistoj tërë asaj dhune tuajën dhe e cila, përkundër faktit se ishte përmbysur nën pretekstin e demarkacionit, u tregua edhe njëherë shtet formuese duke tejkaluar interesin e saj partiake dhe duke votuar pro ligjit mbi shënimin e vijës kufitare, nuk munden dhunuesit e institucioneve t’i “shesin mend” dhe të kërkojnë disiplinim të saj. Nëse nuk na jepet liberalizmi i vizave, kjo prapë do të jetë për shkak e për fajin tuaj, dhe për arsye të rrethanave të qeverisë dhe qeverisjes suaj të keqe, e kurrsesi jo për fajin e LDK-së”- tha Gecaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat