“Koalicioni ‘Pronto’ i frikësohet rritjes së LDK-së”

Politika

“Koalicioni ‘Pronto’ i frikësohet rritjes së LDK-së”

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 20 maj 2018 Në ora: 22:01
Ilustrim: Klani Pronto

Lëvizja Vetëvendosje, sot ka bërë me dije se do të organizojë të premten, më 25 maj, në ambientet e Kuvendit, tryezën e titulluar “Zgjidhja nëpërmjet zgjedhjeve”, ku do jenë të ftuara subjektet politike në Kosovë.

“ZGJIDHJA NËPËRMJET ZGJEDHJEVE. Lëvizja Vetëvendosje do të organizojë të premten, më 25 maj, në ambientet e Kuvendit, tryezën e titulluar “Zgjidhja nëpërmjet zgjedhjeve”, ku do jenë të ftuara subjektet politike në Kosovë”, ka njoftuar VV në Facebook.

Lidhur më këtë, analisti politik, Faton Mehmeti, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se tryezat po përdoren si marketing politike, përmes se cilave ato po synojnë të fuqizohen edhe më shumë.

Image
Faton Mehmeti

“Tryezat po përdoren si marketing politike nga partitë politike, përmes se cilave ato synojnë të fuqizohen. Në tryezën e radhës e të cilën do të organizojë Vetëvendosje, pritet të kërkohet zgjedhje të jashtëzakonshme, krejt kjo e kuptueshme, por jo e synuar realisht nga Lëvizja Vetëvendosje”, u shpreh Mehmeti.

Ai thotë se koalicioni ''Pronto" i frikësohet rritjes së LDK-së, ndryshe, sipas tij, do të mbaheshin zgjedhjet këtë vit.

“Nëse Kadri Veseli dhe Ramushi Haradinaj do të ishin kaq të zgjuar, besoj se do të plotësonin kërkesën e VV-së për zgjedhje të jashtëzakonshme, duke ditur se forca e kësaj partie që ka rënë shumë. Por koalicioni ''Pronto" i frikësohet rritjes së LDK-së, ndryshe do t’i mbante përsëri zgjedhjet këtë vit. Nëse ka një parti që nuk i konvenojnë zgjedhjet tani është pikërisht Lëvizja Vetëvendosje, e sapo ndarë dhe e shkapërderdhur”, tha ai.

Mehmeti thekson se thirrja e liderit të Lëvizjes Vetëvendosje më tepër është propagandë se qëllim në vetvete.

“Gjithsesi është i kuptueshëm synimi i Albin Kurtit që përmes kërkesës për zgjedhje të mobilizoj anëtarësinë e vet se jemi ende të fortë, duke u munduar të vazhdoj frymën që e kishte kjo parti në zgjedhjet e fundit. Më tepër është propagandë se qëllim në vetvete, thirrja e Albinit për zgjedhje”, përfundoi analisti politik, Faton Mehmeti, për “Bota sot”.

Kujtojmë se LDK dhe PDK kanë organizuar javë më parë tryeza më partitë politike të vendit ku është diskutuar për situatën politike në vend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat