“Konsensus nuk mund të ketë me PDK-në dhe koalicionin që mban peng shtetin”, ky është veprimi i guximshëm i Vetëvendosjes

Politika

“Konsensus nuk mund të ketë me PDK-në dhe koalicionin që mban peng shtetin”, ky është veprimi i guximshëm i Vetëvendosjes

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 21 maj 2018 Në ora: 21:29
Vetevendosje

Tryezat politike të partive po vazhdojnë. Ato i filloi Lidhja Demokratike e Kosovës, për të vazhduar me PDK-në dhe e radhës do të mbahet nga Lëvizja Vetëvendosje të premten.

Vetëvendosje po përgatit ftesat për të gjitha partitë politike, përpos Listës Serbe.

“Për tryezën që do të mbahet të premten, Sekretariati për Marrëdhënie me Jashtë është duke përgatitur ftesat për të gjitha subjektet politike të regjistruara në KQZ dhe që e njohin pavarësinë e Kosovës”, ka thënë anëtarja e Kryesisë së Vetëvendosjes, Tinka Kurti.

Sipas VV-së, Lista Serbe i përfaqëson interesat e Beogradit dhe jo të qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë.

Tryeza e organizuar nga Vetëvendosje ka titullin “Zgjidhja nëpërmjet zgjedhjeve”, përmes së cilës synohet arritja e konsensusit “për realizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare”.

Lidhur me këtë tryezë dhe faktin që VV nuk e ka ftuar Listën Serbe derisa partitë tjera e kanë bërë, për gazetën “Bota sot”, njohësi i çështjeve politike në vend, Haki Abazi, ka thënë se konsensus nuk mund të ketë me nismën e PDK-së dhe koalicionit që po e mban shtetin peng dhe e ka vendosur vendin peng të Listës Serbe.

Image
Haki Abazi

“Dështimet e njëpasnjëshme dhe degradimi i plote i funksionimit demokratik të institucioneve kërkon një dialog ndërshqiptarë. Konsensusi nuk arrihet me nismën e PDK-së dhe koalicionit që po e mban shtetin peng. Ata nuk e kanë shumicën në parlament dhe edhe shumicën që kanë pasur e kanë arritur duke e vendosur vendin peng të Listës Srpska”, është shprehur ai.

Sipas Abazit, është inkurajues dhe i guximshëm fakti që VV nuk e ka ftuar Listën Serbe në këtë tryezë, pasi ajo përfaqëson politikën e Beogradit dhe jo të Kosovës dhe se serbët po e mbajnë peng njohjen e Kosovës, formimin e ushtrisë dhe funksionimin e shtetit

“Tani edhe VV është parti opozitare me rëndësi të madhe. Fakti që ka ftuar të gjithë përpos Listës Srpska në fakt duhet të jetë fakt inkurajues dhe i guximshëm politik. Lista Srpska është grupacion politik antikushtetues dhe në shërbim të politikave sabotuese të Beogradit. Ata nuk përfaqësojnë serbët e Kosovës. Zgjedhja e tyre në parlament ka qenë ilegale dhe me shkelje të shumta këtë e ka verifikuar edhe misioni monitorues i Bashkimit Evropian. Ajo listë është duke mbajtur peng njohjen e Kosovës, bërjen e ushtrisë së Kosovës dhe funksionimin e shtetit në gjithë territorin e vendit. Në cilindo vend këto grupacione do të shpalleshin të jashtëligjshme”, vlerëson ai.

Sa i përket temës së tryezës së thirrur nga VV, Abazi thotë se kërkesa për zgjedhje është e domosdoshme, pasi qeveria ka humbur shumicën.

“Pa i ditur deri në detaje qëllimin e tryezës por kërkesa për zgjedhje të reja nuk është vetëm nevojë por domosdoshëm për të ruajtur rendin kushtetues dhe demokratik meqë kjo qeveri ka humbur shumicën dhe nuk ka se çka diskutohet aty. Tregti me kushtetutë nuk bëhet”, ka përfunduar Haki Abazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat