Kushtetueses i duhen gjyqtarët me të kaluar të pastër

Politika

Kushtetueses i duhen gjyqtarët me të kaluar të pastër

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 21 maj 2018 Në ora: 22:43
Hashim Thaçi

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi duhet të pezullojë dekretimin e Radomir Labanin si gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese deri sa të verifikohet e kaluara e tij.

Kjo pasi që personi në fjalë pretendohet se ishte dënuar qysh në vitin 2012 nga Gjykata Themelore në Beograd si pjesë e një grupi kriminal, i cili kishte kontrabanduar tekstil, teknikë të bardhë, cigare, alkool, etj.

Madje, sipas mediave Gjykata e Kralevës kishte lëshuar urdhër për arrestimin e tij pasi që Labanin gjendej në territorin e Kosovës.

Këto pretendime janë shqetësuese dhe i pari i vendit duhet t’i marrë parasysh për faktin se Gjykata Kushtetuese është institucioni më i lartë për mbrojtjen e kushtetutshmërisë. Kurse, dyshimet se një gjyqtarë i saj ka të kaluar kriminale në një shtet tjetër, ia humb kredibilitetin këtij institucioni.

Si mund të pretendojë Kushtetuesja për një staf etik brenda saj dhe për nxjerrjen e aktgjykimeve të pavarura, pa u verifikuar e kaluar e anëtarit të saj të sapo zgjedhur për të cilin ekzistojnë dyshime për përfshirje në vepra kriminale.

Kështu që presidenti gjëja e parë që duhet të bëjë është të pezullojë dekretimin e tij, e në të njëjtën kohë të kërkojë informata shtesë nga Kuvendi lidhur me personin në fjalë.

Edhe pse deputetët e Kuvendit para se të votonin emërimin e gjyqtarit në fjalë, ata është dashur paraprakisht të bënin një kërkim të thjeshtë në internet të Radomir Labanit pasi që emri i tij është lakuar edhe më herët në media për përfshirje në këto vepra.

Presidenti e ka mundësinë të kërkojë informata shtesë edhe nga Policia e Kosovës, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë dhe institucionet e tjera kompetente.

Institucionet e sipërpërmendura janë të obliguar të bëjnë verifikimin e gjyqtarit në fjalë dhe nëse del që ai më të vërtetë është i përfshirë në këto afera, atëherë presidenti duhet të refuzojë dekretimin e tij.

Për Labanin ka pasur shkrime edhe më herët se ai ishte i përfshirë në këto krime, por Gjykata Kushtetuese ishte arsyetuar se kur ai ishte punësuar në këtë institucion, kishte sjellë një vërtetim të Gjykatës Komunale të Prishtinës që dëshmonte se nuk ishte nën hetime apo i dënuar për ndonjë vepër penale.

Por, tashmë gjërat janë ndryshe sepse ekzistojnë dyshimet për përfshirje në vepra penale. E vetmja gjë që duhet bërë është të merren këto të dhëna në mënyrë zyrtare e më pas presidenti mos të dekretojë.

Presidenti duhet ta bëjë këtë gjë në mënyrë që të mbrojë institucionin e Gjykatës kushtetuese për shkak të rëndësisë që e ka dhe në të njëjtën kohë t’i tregojë Listës Serbe se Kosova është shtet dhe institucionet e saj duhet të respektohen nga të gjithë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat