“Nga Luli i vocërr i Migjenit në Lulin e madh të SHIK-ut”

Politika

“Nga Luli i vocërr i Migjenit në Lulin e madh të SHIK-ut”

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 22 maj 2018 Në ora: 07:58
Kadri Veseli

“Në momentin që këta akuzohen për krimet dhe keqpërdorimet që i kanë bërë në pamundësi që t’i përgjigjen akuzave këta fillojnë e ofendojnë deputetët. Edhe pse Kadri Veseli po mundohet që ta luajë rolin e Lulit të vocërr të Migjenit në momente te caktuara po e tregon se është Luli i madh i SHIK-ut. Si duket janë të vetëdijshëm se i ka ardhur fundi dhe se është mandati i tyre i fundit në qeveri, andaj bëjnë edhe reagime të tilla ofenduese dhe pa kontroll”, theksoi deputetja Drita Millaku për “Bota sot”.

Vulgariteti që po shfaqet së fundi në Kuvendin e Kosovës nga kreu Kadri Veseli dhe Xhavit Haliti, po e vendosin këtë institucion jashtë etikës së duhur dhe po e çojnë në një degradim të theksuar.

Sjellje të pahijshme, debat të ashpër, fjalor ofendues, konflikt fizik etj, po  shohim në çdo seancë të Kuvendit të Kosovës.

Madje, zhvillimet e tilla, po lënë në hije edhe shumë pika të tjera të rendit të ditës të seancave plenare.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ishte ai që kohë më parë e kishte filluar këtë shfrenim degradues në Kuvend, e tash po e përcjell edhe zëvendësi i tij, Xhavit Haliti.

Një debat të ashpër dhe ofendues, Veseli e pati me deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, ndaj të cilës nuk u përmbajt dhe përdori fjalë banale. Ky ishte vetëm njëri prej rasteve të shumta të vulgaritetit dhe ofendimeve në Kuvend.

Haliti i “sulet” LDK-së

Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, ishte më i heshtur dhe më i matur nëpër seanca, mirëpo kohëve të fundit e kemi parë që nuk po arrinë të përmbahet dhe po e ndjek rrugën e Veselit.

E filloi me deputetin e LDK-së, Anton Quni, pasi ky i fundit e akuzoi Halitin se kishte marrë 8 milionë marka gjatë kohës së luftës nga Ahmet Krasniqi, e reagimi i Halitit ishte shumë i ashpër dhe i papërmbajtshëm.

Para disa ditësh, Haliti e pati një përplasje të ashpër me deputetin tjetër të LDK-së, Arben Gashin, e kjo krejt filloi kur Gashi e kërkoi fjalën të cilën ia pamundësoi Haliti.

Kjo nuk mbaroi me kaq. Të nesërmen në seancën e radhës, Haliti ende i mllefosur me Gashin, e shfrytëzoi një moment për ta provokuar Arben Gashin, duke e shtyrë qëllimisht, për t'u arsyetuar më vonë se kishte rrëshqitur.

Millaku: Veseli Luli i madh i SHIK-ut

Image
Drita Millaku

Drita Millaku, deputete nga radhët e Vetëvendosjes, që ka qenë e ofenduara e Kadri Veselit, ka thënë për “Bota sot” se gjuha në Kuvend është degraduar dhe fajtor është Kadri Veseli. Të njëjtën rrugë sipas Millakut, është duke e ndjekur edhe Xhavit Haliti.

“Jemi dëshmitarë se gjuha në parlamentin e Kosovës veç është degraduar dhe fajtor kryesor është Kadri Veseli. Në vazhdimësi gjatë dy mandateve si kryetar i Kuvendit, Veseli ofendon dhe shan deputetët, dhe në të njëjtën mënyrë ka filluar edhe Xhavit Haliti”, thotë Millaku.

Ajo shton, se ky shfrenim i gjuhës së tyre, vjen atëherë kur në pamundësi që t’i përgjigjen akuzave këta fillojnë e ofendojnë deputetët. Tutje, Millaku thekson, se Kadri Veseli duke u munduar që ta luajë rolin e Lulit të vocërr të Migjenit, në momente të caktuara po e tregon se është “Luli i madh i SHIK-ut”.

“Në momentin që këta akuzohen për krimet dhe keqpërdorimet që i kanë bërë në pamundësi që t’i përgjigjen akuzave këta fillojnë e ofendojnë deputetët. Edhe pse Kadri Veseli po mundohet që ta luajë rolin e Lulit të vocërr të Migjenit në momente te caktuara po e tregon se është Luli i madh i SHIK-ut. Si duket janë të vetëdijshëm se i ka ardhur fundi dhe se është mandati i tyre i fundit në qeveri, andaj bëjnë edhe reagime të tilla ofenduese dhe pa kontroll”, theksoi Millaku për “Bota sot”.

MakollI: Kërkimfalja për zgjidhjen e problemeve

Image
Vesel Makolli

Ndërsa sekretari i AKR-së, Vesel Makolli, në një prononcim për “Bota sot” ka folur rreth kësaj çështje në në përgjithësi, duke e cekur kulturën e rajonit të Ballkanit si larg shteteve perëndimore. E fjalorin në Kuvendin e Kosovës, ai e quan fatkeqësi.

 “Kosova dhe ne shqiptarët gjeografikisht gjendemi në Evropë, në pjesën më të zhvilluar të globit, mirëpo ne dhe Ballkani në përgjithësi, jemi larg BE-së në të gjitha lëmit, e sidomos në lëmin e zhvillimit ekonomik dhe të kulturës. Shprehjet e zhargonit të rrugëve ne i dëgjojmë edhe në mjetet e informimit (në disa prej tyre) dhe fatkeqësisht po i dëgjomë edhe në tempullin e demokracisë sonë - në Kuvend. Njeriu është produkt i kulturës, e jo i racës as i kombit. Në këtë kontekst ne duam apo nuk duam ta pranojmë, sjelljet tona janë produkt i atavizmave tona që ende nuk i kemi flakur, si dhe i nivelit të kulturës folklorike të rrethit ku jetojmë”, u shpreh për “Bota sot” Makolli.

Për këto fyerje dhe sharje që po ndodhin, Makolli thotë se kërkim falja publike, është mënyra më e mirë për t’i zgjidhur problemet.

“Përpos sharjeve dhe fyerjeve, ne jemi dëshmitarë edhe të kacafytjeve fizike(besa edhe të rrahjeve publike). Çdo njeri është i gabueshëm, mirëpo gabimet nuk duhet të përsëriten. Institucioni i kërkim faljeve ekziston në çdo lëmi, e më së shumti aplikohet te ritet fetare, andaj çdo kush që ka fyer apo share publikisht dikën, duhet po ashtu publikisht t’i kërkojë falje dhe mos ta përsërisë më. Të gjithë njerëzit, e në veçanti intelektualët dhe personat publik, duhet t’i largojnë përgjithmonë nga fjalori i tyre fjalët fyese dhe sharjet. Personat publik duhet t'i përmbahen në mënyrë strikte kodit të sjelljes dhe duhet të japin shembull të tjerëve për mirësjellje. Seneka thotë: "Pushteti më i madh, është pushteti mbi vetveten””, potencoi Makolli.

Mehmeti: Veseli dhe Haliti po e nxjerrin fytyrën e tyre të vërtetë

Image
Faton Mehmeti

E analisti politik, Faton Mehmeti, tha për “Bota sot” se Veseli dhe Haliti po e nxjerrin fytyrën e tyre të vërtetë e të maskuar pas demokracisë, e shprehjet e tyre në Kuvend, manifestojnë karakterin e tyre të vërtetë.

“Dalëngadalë Veseli dhe Haliti po e nxjerrin fytyrën e tyre të vërtetë, të maskuar gjoja pas demokracisë. Si Xhaviti ashtu edhe Kadriu, nuk janë të gatuar për demokraci, pasi janë edukuar dhe krijuar në anarki ku dhuna zgjidh çdo gjë. Shprehjet e tyre vulgare manifestojnë karakterin e tyre të vërtetë, atë prej banditëve e rrugaçëve. Edhe ata që besonin se këta të dy por edhe ca të tjerë brenda PDK-së, kanë ndryshuar besoj se janë bindur se këta të dy nuk ndryshojnë dot, pasi është në gjenet e tyre dhuna, ofendimi dhe kaosi”, tha Mehmeti.

Ai e quan të habitshëm faktin se si nuk janë përjashtuar për disa ditë nga Kuvendi, siç e parasheh rregullorja dhe Kuvendin e sheh si një vend ku PDK-së po i bien maskat çdo ditë.

“Është e habitshme se si nuk janë përjashtuar për disa ditë nga Kuvendi, siç e parasheh rregullorja, ndryshe s’ka pse ekziston rregullorja kur nuk zbatohet. Kuvendi është vendi ku bien maskat, e të cilat PDK-së veç po i bien çdo ditë. Po tregojnë kush janë, edhe pse shumica tashmë e kanë kuptuar", përfundoi Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat