“Qeveria nuk e meriton të ketë jetëgjatësi”, Krasniqi tregon se kur duhet shkuar në zgjedhje

Politika

“Qeveria nuk e meriton të ketë jetëgjatësi”, Krasniqi tregon se kur duhet shkuar në zgjedhje

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 22 maj 2018 Në ora: 14:10
Ilustrim

“Zgjidhja nëpërmjet zgjedhjeve” është titulli i tryezës që do të mbahet të premten, e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje.

Përmes kësaj tryeze, kjo parti synon arritjen e konsensusit “për realizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare”.

Lidhur me tryezat e tilla që po organizohen dhe mundësinë që të arrihet konsensusi për të shkuar në zgjedhje, për gazetën “Bota sot”, njohësi i çështjeve politike në vend, Faik Krasniqi, ka thënë se tryezat e tilla nuk kanë efekt, pasi për rrëzimin e qeverisë duhen dhe votat e Listës Serbe.

“Tryezat e tilla nuk do të kenë ndonjë efekt, sepse opozita e ka të vështirë ta rrëzojë edhe pa votat e Listës serbe. Kurse kësaj të fundit nuk i leverdis edhe shkuarja në zgjedhje, jo të paktën pa e realizuar krijimin e Asociacionit e komunave me shumicë serbe. Zgjedhjet e parakohshme do ta zvarrisnin krijimin e Asociacionit”, është shprehur ai.

Image
Faik Krasniqi

Sipas Krasniqit, këto tryeza duhet të shërbejnë që të arrihen marrëveshje mes partive për tema të mëdha për Kosovën dhe të mos shkohet në zgjedhje edhe pse Qeveria nuk e meriton të vazhdojë më tutje punën.

“Tryezat e tilla duhet të shërbejnë për një marrëveshje me partitë politike, rreth temave të mëdha që e presin Kosovën në javët dhe muajt në vazhdim. Edhe pse kjo Qeveri nuk e meriton të ketë jetëgjatësi për qytetarët e Kosovës nuk është e shëndetshme për qytetarët e Kosovës që vendi të shkonte prapë në zgjedhje, sepse gjatë 2017 kishim dy palë zgjedhje”, ka vlerësuar ai.

Si kohë për të shkuar në zgjedhje, Krasniqi e sheh në fillim të vitit të ardhshëm.

“Shkuarja në zgjedhje të parakohshme do ta dëmtonte edhe procesin e liberalizimit të vizave, meqë jemi në kilometrin e fundit të saj. Prandaj, zgjedhjet si opsion do të ishin në fillim të vitit të ardhshëm, pasi atëherë qytetarët e Kosovës do të lëviznin lirshëm në Zonën Shengen”, ka përfunduar Faik Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat