Njohësi i çështjeve politike, Lirim Zora thotë se institucionet e Kosovës në asnjë mënyrë nuk duhet të pranojnë që Asociacioni i komunave serbe të formohet duke i tejkaluar ligjet e Kosovës.
Deklarata e tij vjen pasi që Ivan Todosijeviq, ministër i Administrimit Lokal në dorëheqje, ka thënë se ligjet e Kosovës duhet t’i përshtaten Asociacionit të Komunave Serbe.
“Kjo kërkese e Todosijeviq është thelbi i kërkesave të serbëve për Asociacion për arsye që pozita e tyre brenda Kosovës të jetë sa më e fuqishme para vendimeve përfundimtare në raportet Serbi-Kosovë, sepse me fuqizim të rolit të tyre në kushtetutën e Kosovës ata mund ta bllokojnë çdo vendim të rëndësishëm kushtetues duke pasur edhe mundësinë e kërkesës për ndryshime në kushtetute me 2/3 e deputetëve minoritare”, thotë Zorra për Bota sot.
Për këtë sipas Zorrës, Asociacioni duhet të krijohet në bazë të kushtetutës momentale pa rritje të kompetencave të serbët.
Ai shtoi se themelimi i Asociacionit duhet të bëhet në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese në mënyrë që në të ardhmen ky entitet politik mos të jetë në gjendje për të bllokuar jetën institucionale të shtetit të Kosovës.