Finalja e rrezikshme

Politika

Finalja e rrezikshme

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 23 maj 2018 Në ora: 22:01
Foto ilustrim

Procesi i dialogut me Serbinë i filluar qysh në vitin 2011 po shkon drejt përfundimit. Një gjë të tillë po e lënë të kuptohet deklaratat e përfaqësuesve të shtetit të Kosovës dhe ata ndërkombëtar.

Për më shumë se 7 vite, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje, ku shumica prej tyre janë zbatuar vetëm nga Kosova.

Sikurse në çdo proces dialogu edhe ky i yni me Serbinë nuk do të shpëtoj pa kompromise. E nga krerët dhe udhëheqësit e dialogut, kërkohet më shumë vëmendje që këto kompromise të mos jenë të dëmshme ashtu siç aktualisht po pretendohet se do të jenë.

Shkëmbimi i territoreve është një prej opsioneve të përmendura në diskutimet jozyrtare ndërmjet Presidentit të vendit Hashim Thaçi dhe Presidentit serb, Aleksander Vuçiç. Kështu kanë raportuar edhe mediet ndërkombëtare, të cilat kanë  shkruar për darka sekrete ku në qendër diskutimi kanë pasur opsionin për ndërrim territoresh.

Sipas asaj që e përcjellin mediet e huaja, janë shqyrtuar mundësitë e këmbimit të territoreve të Luginës së Preshevës – Presheva, Bujanoci e Medvegja në Serbi me katër komunat në veri të Kosovës – Zveçani, Zubin- Potoku, Leposaviqi dhe pjesa veriore e Mitrovicës.

Finalizimi i dialogut me Serbinë, me pranimin e këtij opsioni do të ishte fatal për shtetin e Kosovës, me ç`rast do të ndryshonte struktura administrative nëpër komuna e po ashtu edhe do të cenohej siguria.

Në kohën kur po flitet dhe synohet përmbyllja e dialogut me Serbinë, opsione të ndryshme për zgjedhje dhe normalizim marrëdhëniesh ndërmjet të dyja vendeve, po paraqiten vazhdimisht.

Por, në këtë normalizim marrëdhëniesh, duket se askush nga përfaqësuesit e shtetit të Kosovës nuk po shpreh interesim që t`i bëj kërkesë Serbisë për dëmshpërblim moral e material mbi krimet e luftës.

Lufta është pjesa më e dhimbshme e historisë së Kosovës, ku Serbia me të cilën si shtet po synojmë normalizimin e raporteve “fqinjësore”, ka kryer krimet më të rënda kundër njerëzimit.

Këtyre ditëve, po përkujtohet masakra e burgut të Dibravës. Në këtë ngjarje, serbët vranë e masakruan mbi 120 të burgosur, ndërsa mbi 300 të tjerë u plagosën rëndë e lehtë prej granatave dhe breshërive të mitralozave e armëve të tjera të zjarrit.

Por, këto krime rrezikojnë të mbesin të pandëshkuara, nëse të njëjtat nuk shtrohen si tema diskutimi në fazën finale të bisedimeve me Serbinë.

Andaj, kjo fazë finale mund të konsiderohet edhe e rrezikshme për të ardhmen e vendit. Gjithnjë, nëse institucionet e Kosovës vazhdojnë me avazin e vjetër, duke shkuar në Bruksel pa dokumente, me duar në xhepa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat