Ky është numri i dëshmive që ka arritur t’i sigurojë Gjykata Speciale

Politika

Ky është numri i dëshmive që ka arritur t’i sigurojë Gjykata Speciale

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 9 qershor 2018 Në ora: 21:38
Gjykata Speciale

Gjykata Speciale e cila do të merret me krime që pretendohen të jenë kryer nga ish- lufëtarët e UÇK-së në periudhën e luftës së viteve 1998- 1999 dhe pas përfundimit të saj, edhe pas dy vite të miratimit të saj nuk ka filluar me aktakuzat e para.

Chris Bennett nga zyra e Gjykatës Speciale ka treguar për “Bota sot” se hetimet janë duke vazhduar dhe këto hetime përfshijnë përafërsisht 70.000 dokumenteve, që do të thotë rreth 700,000 faqeve të dëshmisë, të cilat janë mbledhur nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe e paraardhësit të saj, Task Forca Hetimore Speciale.

Në këto dokumente përfshihen prova dëshmitarësh si  dhe prova  material dokumentare.

 “Hetimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar po vazhdojnë, që përfshijnë rishikimin e përafërsisht 70,000 dokumenteve, që do të thotë rreth 700,000 faqeve të dëshmisë, të cilat janë mbledhur nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe e paraardhësit të saj, Task Forca Hetimore Speciale. Dokumentet përfshijnë prova dëshmitarësh si dhe prova materiale dokumentare. Po punojmë në mënyrë profesionale me zell dhe integritet që ta përfundojmë hetime të suksesshme”, ka thënë Bennett.

Ai është shprehur se nuk mund të japë informata konrekte në lidhje me dëshmitarët e Gjykatës Speciale, mirëpo ka shtuar se siguria e tyre është një nga detyrat më të rëndësishme të ZPS-së.

“Ne nuk mund të japim informata konkrete në lidhje me dëshmitarët. Ruajtje e sigurisë së dëshmitarëve është një nga detyrat më të rëndësishme të ZPS-së. Ne kemi mësuar nga përvojat e gjykatave të tjera dhe kemi adoptuar procedura dhe praktikat më të mira për mbrojtjen e dëshmitarëve. Ne e marrim shumë seriozisht obligimin tonë të ruajmë sigurinë dhe privatësinë e dëshmitarëve”, ka deklaruar Bennett.

Gjykata Speciale e cila do të hetojë pretendimet e hedhura në raportin e Dick Martyt, senatorit zviceran i cili në vitin 2010, në Këshillin e Evropës pati hedhur dyshime se ish UÇK-ja, përfshirë edhe presidentin aktual, Hashim Thaçi, janë të përzier në krime kundër serbëve lokalë, të cilëve u janë marrë organet dhe u janë shitur në tregun e zi gjatë viteve 1998-99.

Kjo Gjykatë është miratuar nga Kuvendi i Kosoëvs më 3.08.2015 me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat