Papërgjegjësia e deputetëve, lë mbrapa miratimit e ligjeve

Politika

Papërgjegjësia e deputetëve, lë mbrapa miratimit e ligjeve

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 11 qershor 2018 Në ora: 22:14
Kuvendi i Kosovës

“Përderisa Rregullorja e Re e Punës së Kuvendit është në procedurë të shqyrtimit, deputetët duhet që të adresojnë dhe rregullojnë këtë çështje duke aplikuar masa ndëshkuese për mungesat e deputetëve në punimet e Kuvendit”, ka thënë për “Bota sot” Agnesa Haxhiu nga KDI.

Janë vetëm seancat e jashtëzakonshme, ato të cilat e mbushin Kuvendin e Kosovës me deputetë. Hera e fundit kur kuvendi u mbush plot me përfaqësues te popullit ishte votimi i demarkacionit, ku detyrimisht duheshin mbi 81 vota që marrëveshja të kalonte.

E në seancën e së mërkurës, edhe pse të nënshkruar 112 deputetë, të pranishëm në Kuvend ishin vetëm 32 deputetë. Përveç mungesës së deputetëve, në pjesën e sipërme nuk ishte as edhe një ministër.

Përpos deputetëve dhe ministrave, në kuvend mungoi edhe shefi i qeverisë, Ramush Haradinaj, i cili aty zakonisht paraqitet vetëm në rast të interpelancave, e kohëve të fundit ka filluar t'i shmang edhe këto.

Shoqëria civile dhe organizatat që monitorojnë punën e kuvendit, vazhdimisht lobojnë që deputetëve të u hiqen mëditjet dhe të këtë sanksione ndaj atyre të cilët nuk i ndjekin seancat me rregull.

Image
Lirije Kajtazi

Qeveri e madhe por pa peshë

Deputetja e partisë më të madhe opozitare, LDK-së, Lirije Kajtazi në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se  kryesorja që po devalvoin seancat është mungesa e Qeverisë.

“Fajet burojnë edhe nga agjendat irracionale që i cakton kryesia me nga 30-40 pika vetëm për t'iu shmangur dy pikave të para që e mbajnë Qeverinë llogaridhënëse para Kuvendit dhe qytetarëve. Ndryshimet- prolongimet në rendin e ditës veç për tëhumbur peshën e çështjeve të ngritura. Kryesorja që devalvoin seancat është mungesa e Qeverisë. Ju lutem, të gjitha burojnë nga kjo, e gjithë kjo qeveri, e madhe e pa peshë. Dhe, kjo duhet rregullohet njëherë e përgjithmonë me Rregullore të Punës së Kuvendit. Deputetet nuk kane as ambiente pune, kështu që duhet ti kenë me vete materialet e " 80 pikave" zvarrë..”, ka theksuar Kajtazi.

Image
Valon Ramadani

Deputetët të ndëshkohen me mëditje

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se  deputetët duhet të ndëshkohen edhe me mëditje, mirëpo edhe me votë të qytetarëve.

“Unë mendoj që çdo deputetë që paguhet prej buxhetit të Kuvendit duhet të qëndrojë në sallë. Unë e  kuptoj që gjate ditës  mundet që një  orë apo dy mos me qenë, por duhet që çdo deputet i nënshkruar të qëndrojë dhe të votoj ënë sallë. Nëse është në pyetje vetëm dhe një pikë në rend të ditës ata duhet me qenë. Duhet të ndëshkohen me mëditje por edhe me votë të qytetarëve. Unë jam pro mëditjeve ajo është në rregull, mirëpo kjo duhet me qenë në rregullore të kuvendit”, ka thënë Ramadani.

Tutje deputeti i VV-së, ka thënë se mungesa e deputetëve është parë edhe në seancën për të pagjeturit.

“Mënyrë tjetër do të ishte edhe puna e nënshkrimit, deputetet të nënshkruhen dhe ta vërtetojnë prezencën edhe në fillim të seancës dhe në përfundimin e saj. Nuk është në rregull sepse  edhe kur e kemi pasur ligjin për të pagjeturit 98  deputetë kanë qenë të nënshkruar ndërsa 56 ishin në seancë, ku edhe rezoluta nuk u votua në ditën e të pagjeturve, por u desh të shtyhej dy ditë me vonë“, ka përfunduar deputeti i VV-së, Valon Ramadani.

Dështimi i seancave e ka lënë mbrapa Kuvendin sa i përket miratimit të ligjeve

Agnesa Haxhiu, nga KDI ka thënë për “Bota sot”, se komoditeti i deputetëve për të mos qëndruar deri në përfundim të seancave dhe për të përfituar mëditjet pa pjesëmarrje të plotë në punimet e Kuvendit vjen edhe nga mungesa e sanksionimit të këtyre veprimeve me anë të Rregullores së punës së Kuvendit.

“Kuvendi i Kosovës këtë legjislaturë është përballur vazhdimisht me mungesë të kuorumit, ndërkaq kjo problematik është më e theksuar këtë vit. Çdo seancë është përcjellë deri në 4 - 5 vazhdime të seancave për mungesë kuorumi për t’i përfunduar pikat e rendit të ditës të parapara për një seancë. Pothuajse në të gjitha seancat që janë mbajtur këtë vit, në listave të nënshkrimit të pjesëmarrjes, figurojnë mbi 90% të deputeteve, mirëpo ata nuk qëndrojnë në sallë deri në fund. Dështimi i shpeshtë i seancave të Kuvendit e ka lënë prapa atë sa i përket miratimit të ligjeve, për më tepër ka ndikuar edhe në prolongimin e shumë çështje të parapara për shqyrtim dhe stërngarkimin e seancave me shumë pika të rendit të ditës”, ka thënë ajo.

Tutje, Haxhiu theksoi se në Kuvendi e Kosovës duhet aplikuar modeli i sanksioneve sikur në Parlamentin e Gjeorgjisë.

“Ky komoditet i deputetëve për të mos qëndruar deri në përfundim të seancave dhe për të përfituar mëditjet pa pjesëmarrje të plotë në punimet e Kuvendit vjen edhe nga mungesa e sanksionimit të këtyre veprimeve me anë të Rregullores së punës së Kuvendit. Rregullorja parasheh dënime për deputetët vetëm në rast të mungesës në Kuvend për më shumë se gjashtë muaj, por nuk specifikon ndëshkime tjera për numrin e madh të mungesave. Përderisa Rregullorja e Re e Punës së Kuvendit është në procedurë të shqyrtimit, deputetët duhet që të adresojnë dhe rregullojnë këtë çështje duke aplikuar masa ndëshkuese për mungesat e deputetëve në punimet e Kuvendit. Një shembull i mirë është modeli i Parlamentit të Gjeorgjisë, për të cilën KDI më herët ka publikuar edhe fakt lidhur me atë se si sanksionohen deputetët për mos pjesëmarrje. Përveç reduktimit të pagës, ata aplikojnë një metodë tjetër, ku deputetët obligohen të nënshkruhen në fillim të seancës dhe para procesit të votimit” ka përfunduar Agnesa Haxhiu nga KDI.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat