Hashim Thaçi cenon pavarësinë e Kosovës

Politika

Hashim Thaçi cenon pavarësinë e Kosovës

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 12 qershor 2018 Në ora: 11:08
Hashim Thaçi

Deklarata e ministrit të mbrojtjes së Serbisë, Aleksandër Vulin se serbët nuk do të përkrahin formimin e ushtrisë së Kosovës tregon absurditetin e shtetit tonë. Tregon se Kosova është një shtet i pavarur, por që në të njëjtën kohë se ajo qeveriset edhe nga Beogradi.

Ai e tha se serbët nuk e përkrahin formimin e forcave të armatosura, por fjalën e kishte për Listën Serbe, një subjekt politik që dirigjohet nga Beogradi dhe që në misionin e saj e ka pengimin e konsolidimit të shtetësisë së Kosovës.

Vulin e din se ushtria nuk mund të bëhet, sepse për të bërë këtë duhet bërë ndryshimet kushtetuese që nevojiten votat e Listës Serbe.

Andaj, ai pa hezituar e tha se ushtria e Kosovës nuk do të bëhet. Tregoi se në Kuvendin tonë nuk mund të merren vendime pa pëlqimin e Beogradit. Nga ana tjetër, dihet mirë se cili është qëndrimi i Serbisë për themelimin e ushtrisë.

Ajo e sheh ushtrinë si një institucion që e përforcon konsolidimin e shtetësisë së Kosovës dhe në të njëjtën kohë si një forcë ushtarake që mund t’i paraqes rrezik në të ardhmen për sigurinë e saj.

Por, pavarësisht interesave të Beogradit, pyetja që duhet shtruar këtu është si erdhi Kosova deri në këtë pikë që për vendimet e saj të rëndësishme të vendos Beogradi.

Kjo e ka një emër, e ai është Hashim Thaçi. Pas gati tri viteve të shpalljes së pavarësisë, ai si kryeministër i vendit pranoi që të hyjë në bisedime me Serbinë për çështjen e Kosovës.

Edhe pse mendohej se me shpalljen e pavarësisë, bisedimet ishin një çështje e kryer. Krejt çfarë duhet bërë ishte, dhënia e kompetencave komunitetit serb, ashtu siç e parasheh pako e Ahtisarit.

Në vitin 2010, dolën edhe akuzat e Dick Martit, i cili akuzonte UÇK-në gjëja për krime ndaj serbëve dhe Hashim Thaçin personalisht si një njeri që ishte i përfshirë në trafikimin e organeve. Më pas, këto akuza çuan në themelimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në fillim, ai paralajmëroi një padi ndaj senatorit, zviceran Dick Marti lidhur me akuzat që ai bënte në drejtim të tij, por nuk ndërmori asgjë në këtë drejtim.

Kështu duke u gjendur para presionit ndërkombëtar dhe në të njëjtën kohë para akuzave të Dick Martit, Thaçi pranoi të hyjë në bisedime me Serbinë.

Fillimisht, ato u quajtën si bisedime teknike, edhe pse në to negociata po merrnin pjesë njerëz të dyja qeverive dhe u arrit marrëveshja për menaxhimin e kufirit.

Më pas nga bisedimet e ashtuquajtura teknike, kryeministri pranoi të hyj në bisedime politik që rezultoi me nënshkrimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Bisedimet politike ia sollën Kosovës në parlament edhe Listën Serbe, për të cilën Thaçi thoshte se do të jetë një subjekt politik që do të punonte me ligjet e Kosovës.

Por, Lista Serbe prej fillimit e tregoi të kundërtën. Ajo haptas e thotë se ata nuk votojnë asnjë ligj pa pajtimin e Beogradit. Andaj, kjo ia jep luksin Vulinit të deklarojë së Kosova nuk mund të themelojë ushtrinë pa pëlqimin e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat