Nga shkëlqimi deri në rënien e Hashim Thaçit

Politika

Nga shkëlqimi deri në rënien e Hashim Thaçit

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 13 qershor 2018 Në ora: 20:58
Hashim Thaçi

"Shtet i ri, burrështetasi modern", titullohet libri të cilin aktualisht mund ta hasim në duart e secilit politikan të afërt me PDK-në. Bëhet fjalë, për një libër kushtuar Presidentit të vendit Hashim Thaçi, të cilin e kanë shkruar dy gazetarë britanikë.

Ata nuk është se kanë njohuri rreth zhvillimeve në Kosovë, pasi sipas media zvicerane, Neue Zürcher Zeitung, të njëjtit nuk kanë raportuar nga Kosova asnjëherë.

Por, ka mjaftuar një intervistë 8 orshe me Presidentin Thaçi, që dy gazetarët britanikë të marrin informacione lidhur me veprimtarinë e tij në Kosovë.

Natyrisht, në këtë libër bëhet fjalë vetëm për Thaçin dhe gazetarët janë bazuar vetëm në deklaratat e tij, për të shkruar të njëjtin. Ato që thuhen në librin "Shtet i ri, burrështetasi modern", paraqesin pikëpamjen e Thaçit, pa e marrë parasysh fjalën e akterëve të tjerë që kanë kontribuar për vendin që prej viteve të 90-ta deri më sot.

Sikurse Thaçi, mendojnë vetëm ata që janë vartës të tij, siç është rasti i Abelard Tahirit, ish këshilltar i tij e aktualisht Ministër i Drejtësisë.

Ai ka shumë kundërshtarë me pikëpamje të kundërta nga ajo që na e thotë libri.

Në librin kushtuar Thaçit, Presidenti Historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, paraqitet si një pijanec kronik.

Autorët britanikë nuk e kanë shpikur nga vetja këtë mendim të Thaçit për Ibrahim Rugovën. Në intervistën 8 orëshe përballë tyre, ai medoemos duhet t`ua ketë përshkruar si të tillë Presidentin, të cilin e nderoi gjithë bota dhe i cili, kërkesën e popullit të Kosovës për paqe e përçoi në gjithë botën.

Në një intervistë të dhënë më herët, Presidenti Thaçi nuk kishte pranuar të komentonte pjesën e librit ku Rugova paraqitet si pijanec kronik.

Në anën tjetër, nëse e krahasojmë atë që thuhet në libër me veprimet e përditshme të tij, atëherë na shfaqet një President hipokrit.

Sa herë që pyetet për Rugovën, ai mundohet t`i thotë fjalët më meritore. Madje, në përvjetorë të ndryshme ai e nderon me homazhe varrin e Presidentit historik. Në këto raste, ai nuk është Thaçi i librit "Shtet i ri, burrështetasi modern", por është një Personalitet që ndër vite ka arritur t`a kuptojë vlerën historike të Presidentit Rugova.

Përveç kësaj, vazhdon të mbetet ende e paqartë mënyra se si është financuar libri kushtuar Thaçit dhe nëse i njëjti është paguar me taksat e qytetarëve të Republikës së Kosovës

Thaçi, më shumë se kurrë ka nevojë për një libër me të cilin do t`u hidhte hi syve qytetarëve për të bëmat e tij ndër vite. Kur, kësaj ia shtojmë edhe mundësinë që të jetë i akuzuar nga Gjykata Speciale, atëherë nuk kishte se si të mungonte libri.

Megjithatë, botimi i këtij libri mori kritika të shumta dhe përveç militantëve të tij, thuajse askush nuk shfaqë interesim që ta ketë në dorë.

Natyrisht, rrethi i ngushtë i tij, ata që përbetohen në figurën e Thaçit do ta ruajnë me xhelozi librin.

Por, në histori do të shkruhet krejt diçka tjetër. Do të shkruhet për qeverisjen Thaçi 1 dhe 2 përplot korrupsion e krim të organizuar. Do të shkruhet për zgjedhjen e tij si President mes tymit të gazit lotsjellës. Do të shkruhet për marrëveshjet me Serbinë, e çka jo tjetër që qytetarët e Republikës së Kosovës përjetuan ndër vite nga udhëheqja e shtetit prej tij.

Për këtë arsye, libri i cili po promovohet në mënyrë glamuroze, ku Thaçi po paraqitet si burrështetas modern, do të harrohet shumë shpejt.

Radhën do ta ketë historia!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat