Kuvendi tërësisht jashtë funksionit, deputetët “ikin” nga seancat e përfitojnë mëditjet

Politika

Kuvendi tërësisht jashtë funksionit, deputetët “ikin” nga seancat e përfitojnë mëditjet

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 15 qershor 2018 Në ora: 11:09
Kuvendi i Kosovës

“Ky komoditet i deputetëve për të mos marrë pjesë në punimet e Kuvendit, për të mos qëndruar deri në përfundim të seancave dhe për të përfituar mëditjet pa pjesëmarrje të plotë në punimet e Kuvendit vjen edhe nga mungesa e sanksionimit të këtyre veprimeve me anë të Rregullores së punës së Kuvendit”, ka thënë Haxhiu, hulumtuese nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Mungesa e kuorumit ka bërë shpesh që shumë ligje të mos miratohen. E një gjë e tillë po vazhdon ende, ku deputetët nuk marrin pjesë në seanca, ndërsa disa nënshkruhen dhe dalin.

E për këtë mungesë të deputetëve dhe kuorumit, më pas kështu duke lënë ligje të pa votuara, hulumtuesja nga Instituti Demokratik i Kosovës, Agnesa Haxhiu, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se kjo gjendje e ka bën Kuvendin jofunksional, ku shumë pika të rendit të ditës hiqen për shkak të humbjes së aktualitetit.

Sipas Haxhiut, e gjithë kjo mungesë e deputetëve vjen edhe nga mungesa e sanksionimit të veprimeve të tyre me Rregullore të Kuvendit.

Image
Agnesa Haxhiu

“Kuvendi i Kosovës ka kohë që vazhdimisht është duke u përcjellë më mungesë kuorumi, për çka edhe shumë seanca po dështojnë të mbahen. Kjo ka ndikuar edhe në grumbullimin e pikave të rendit të ditës, dhe shumë çështje edhe janë tërhequr nga rendi i ditës pikërisht për mostrajtimin e tyre në kohën e duhur dhe humbjen e aktualitetit të atyre çështjeve. Dështimi i shpeshtë i seancave të Kuvendit e ka lënë prapa atë sa i përket miratimit të ligjeve. Kjo gjendje e bën Kuvendi tërësisht jo funksional si institucion”, është shprehur ajo.

“Ky komoditet i deputetëve për të mos marrë pjesë në punimet e Kuvendit, për të mos qëndruar deri në përfundim të seancave dhe për të përfituar mëditjet pa pjesëmarrje të plotë në punimet e Kuvendit vjen edhe nga mungesa e sanksionimit të këtyre veprimeve me anë të Rregullores së punës së Kuvendit. Rregullorja parasheh dënime për deputetët vetëm në rast të mungesës në Kuvend për më shumë se gjashtë muaj, por nuk specifikon ndëshkime tjera për numrin e madh të mungesave. Përderisa Rregullorja e Re e Punës së Kuvendit është në procedurë të shqyrtimit, deputetët duhet që të adresojnë dhe rregullojnë këtë çështje duke aplikuar masa ndëshkuese për mungesat e deputetëve në punimet e Kuvendit”, vlerëson hulumtuesja Agnesa Haxhiu.

Ajo thotë se mungesa e kuorumit po ashtu vjen edhe si rezultat i mos planifikimit të duhur të punimeve të Kuvendit nga Kryesia.

“Mungesa e kuorumit vjen edhe si rezultat i mos planifikimit të duhur të punimeve të Kuvendit nga ana e Kryesisë. Tashmë në Kuvend kemi ç’organizmi të punimeve, ku edhe seancat edhe mbledhjet e komisioneve mbahen çdo ditë, pa një plan të caktuar të aktiviteteve, çka edhe po e pengon punën e njërës trup ndaj tjetrës”, ka përfunduar Haxhiu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat